DUA TË BESOJ

Koha jonë është kohë politike. Ngado që të kthehesh – politikë. Politikë në rrugë, politikë në kafene, politikë në familje, politikë në shkolla, politikë në institucione, politikë në medie, politikë, politikë, politikë.

Nuk thoshte kot poeti Murtezan Arifi se: gjithçka është politikë, përfshirë këtu edhe mosmarrjen me politikë, sepse edhe kur s’merresh me të, merret ajo me ty…

Zoti madh! Gjithë kjo politikë dhe gjithë këto probleme që presin zgjidhje prej saj (politikës), në shkretishten ku ndeshen intereset e papajtueshme të dy etnive dominante, njëra prej të cilave ushtron hegjemonizmin shumëdimensional mbi tjetrën, duke e pandehur veten superfuqi dhe duke harruar se ka perënduar koha e mendësive mesjetare.

Dua të besoj se qeveria e re e vendit do ta ndryshojë politikbërjen e deridjeshme, fytyra e vertetë e së cilës u pa në aktin e dhunës shtazarake ndaj të zgjedhurve të popullit.

Dua të besoj se qeveria e pritshme e zotit Zaev do të marë mësimet e duhura nga diktatori me isharete pinguini, po dhe nga despotët e partisë së tij, që kanë lënë pas vetes histori të trishta bitpazarësh e gostivarësh…

Dua të besoj se pushtetarët e rinj maqedonas do të angazhohen për ndërtimin e një shteti në të cilin shqiptarëve nuk do t’u mungojë asnjë e drejtë që gëzojnë vëllezërit e tyre në Shqipëri dhe në Kosovë.

Dua të besoj se relikti që nuk do të vijë më në shprehje është durimi shekullor i shqiptarëve i imponuar nga frika e kërbaçit dhe e drejta shekullore e dikujt për të caktuar doza të kërmillta për rritën (zhvillimin) e të tjerëve.

Dua të besoj, gjithashtu, se pushtetarët e ardhshëm shqiptarë nuk do të pajtojen më me bashkëjetesa ndërmjet të pabarabartëve; se ka ikur në pakthim koha e pushteteve fiktive dhe e të drejtave të ndara me shputa arrushe; se ajo që ishte nuk mund të jetë assesi model i së nesërmes; se barabarësia e plotë nënkuton ndarjen fer të buxhetit të shtetit; konditat e barabarta të emancipimit, kultivimit dhe ruajtjes së vlerave shpirtërore e materiale të gjithsecilit; barabarësi në punësim, biznes, shëndëtësi,…; barabarësi për zhvillim harmonik dhe të njëtrajtshëm të lindjes dhe të perëndimit të vendit, të Dizhonskës dhe Aerodromit të Shkupit…; barabarësi në kontrollin e organeve represive, sepse ekskluziviteti i dikujt mbi pronësinë e hekurave të dhunës ka shpërfaqur qartë utopinë e demokracisë dhe kosmopolitizmit ballkanik.

Dua të besoj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button