Thaçi: Besoj në zgjedhje demokratike, moderne dhe evropiane

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur shpresën se zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit do të jenë fer, demokratike, gjithëpërfshirëse, me standarde të larta dhe që rezultati i tyre do të pranohet nga të gjithë.

Presidenti Thaçi, i cili për herë të parë nuk do të jetë pjesë e kësaj gare elektorale ka thënë se nuk i mungon gara elektorale dhe se do të jetë i përkushtuar në obligimet e tij që ia jep Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

“Fillimisht dëshiroj t’i uroj të gjithë qytetarët për këtë mundësi të re elektorale dhe dëshiroj t’i uroj të gjitha partitë politike për këtë garë të re demokratike. Pavarësisht nga përgjegjësia institucionale që e kemi sot si president i vendit, pas mocionit të mosbesimit të Qeverisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, unë si president i vendit duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Kosovës e kam shpërndarë Kuvendin dhe tash vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Nuk është diçka e jashtëzakonshme, është diçka e zakonshme në sistemet parlamentare. Edhe si president i vendit edhe pse nuk  jam pjesë e garës elektorale jam i përqendruar me tërë qenien time në dy segmente që më jep lejon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës dhe që e kam obligim dhe përgjegjësi të punoj. E para është krijimi i mundësisë për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike dhe e dyta që njerëzit sa më masovikisht të dalin dhe të marrin pjesë në procesin elektoral”, ka theksuar presidenti Hashim Thaçi në emisionin “Monitor” në RTK.

Ai tutje ka mbrojtur tezën e tij se presidenti i vendit duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga vota e popullit.

“Nga përvoja ime politike dhe nga niveli i liderit politikë, edhe si kryeministër i vendit, edhe si njeri që ka kaluar kohë të gjatë nëpër përgjegjësi të ndryshme institucionale të Kosovës, definitivisht mendoj se duke pasur parasysh edhe kompetencat  e shumta që ka presidenti i vendit, që ka shumë më shumë kompetenca se sa presidenti i Sllovenisë, Kroacisë apo presidenca në Bosnje, Serbi e Mal të Zi, Shqipëri e Maqedoni, ku në shumicën e tyre presidenti zgjidhet drejtpërdrejt me votën e qytetarëve dhe ka kompetenca më pak. Ndërsa në Kosovë zgjidhet nga Kuvendi por ka kompetenca më shumë.  Për këtë arsye preferenca ime është se në interes të vendit është që vetë qytetarët ta zgjedhin presidentin me votën e tyre, në mënyrë që të mos bëhet çështja e zgjedhjes së presidentit pjesë e kombinatorikave matematikore në parlament apo e marrëveshje të ndryshme politike, sepse mendoj se presidenti i vendit definitivisht duhet të zgjidhet nga vota e qytetarëve, në mënyrë që të përfaqësojë në mënyrë shumë më të fuqishme unitetin politik dhe qytetarë dhe të mos jetë e ritheksoi në asnjë rrethanë pjesë e këtyre matematikave politike, por në të njëjtën kohë zgjedhja e presidentit të mos e reflektojë pastaj  stabilitetin e institucioneve të vendit sepse nuk e di se cili koalicion apo formulë politike në të ardhmen mund t’i bëjë 2/3 që të zgjedh presidentin e vendit. Prandaj preferenca ime është që zgjedhja e presidentit të bëhet drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve, për çka e kam iniciuar si reformë”, ka nënvizuar Thaçi.

Thaçi ka ritheksuar besimin e tij të plotë në vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe pjekurinë e tyre politike, por edhe besimin tek spektri politik dhe shoqëria civile se do të angazhohet për zgjedhje të lira, fer e demokratike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button