Britani, thuajse i gjithë rrjeti terrorist në pranga

Policia ka bërë arrestime dhe zbulime shumë të rëndësishme në kuadër të hetimit për sulmin në Manchester, njofton tch.

Kreu i Antiterrorizmit në Britani, ndihmëskomisioneri Mark Roëley tha se, autoritetet kanë arrestuar pjesën më të madhe të rrjetit terrorist, ku bënte pjesë kamikazi Salman Abedi. Ai shtoi se, progresi në hetime është i ndjeshëm dhe priten arrestime të tjera.

Ndërsa u bëri thirrje britanikëve që të mos ndihen të kufizuar dhe të dalin si të kenë dëshirë, ai shtoi se niveli i sigurisë nuk do të ulet ende, nga maksimumi “kritik” që është aktualisht.

Në shifra, suksesi i deritanishëm i policisë është arrestimi i 8 meshkujve, të moshave nga 18 deri në 38 vjeç, që dyshohen për terrorizëm në lidhje me sulmin e së hënës. Identitetet e tyre nuk bëhen ende publike. Arrestimi më i fundit u bë të premten dhe raportohet se shtëpia në fjalë, në zonën “Moss Side” në Manchester, është ende e rrethuar nga policia.

Ndërkohë, mediet zbulojnë detaje të reja për kamikazin 22-vjeçar, që vrau 22 persona në “Manchester Arena”. Raportime të ndryshme sugjerojnë se Abedi kishte luftuar që në moshën 16-vjeçare në Libi, ndërsa vëllai i tij i vogël, 20-vjeçari Hashem Abedi, që kur ishte 15 vjeç. Ky i fundit, bashkë me babain e tyre Ramadan, u arrestua nga milicitë libiane, që raportojnë se ata kishin dijeni për sulmin në Britani.

E ndërsa hetimet vazhdojnë, shërbimet sekrete britanike po përpiqen të justifikojnë sesi u shpëtoi organizimi i këtij rrjeti terrorist, për më tepër kur zbulohet se Abedi ishte i njohur nga shërbimet e sigurisë. Në dokumente shkruhet se, rreziku që ai paraqiste për publikun ishte në pritje të rishikimit, diçka që mesa duket s’do të jetë më e nevojshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button