Riasfaltohet rruga kryesore e Lagjes “Dutllëk” në Gostivar

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta mori pjesë në inaugurimin e riasfaltimit të rrugës kryesore të Lagjes “Dutllëk”, si dhe rrugëve anësore që çojnë tek institucionet arsimore, i shoqëruar nga drejtorët e shkollave të mesme të qytetit.

Gjatë fjalës së tij  Bejta u shpreh se këto përmirësime janë pjesë e vizionit të përbashkët për një Gostivar të së ardhmes.

“Atë që e kemi thënë në vitin 2013 në aktivitetet parazgjedhore se do të bëjmë përmirësime edhe në shkarkimin e komunikacionit, tash është bërë realitet. Me asfaltimin e rrugës kryesore të Lagjes “Dutllëk”, e cila lidhet me Rrugën dhe Urën e re që ka dalje në magjistralet Gostivar – Tetovë Shkup dhe Gostivar – Mavrovë – Kërçovë, tashmë mund të themi që kemi arritur të ndikojmë në shkarkimin e komunikacionit urban dhe qytetarët e Gostivarit nuk do të kenë më nevojë që për punët e tyre të përditshme të frekuentojnë rrugët në pjesën qendrore. Rrugët alternative do të lehtësojnë qarkullimin në komunikacion,” u shpreh Bejta.

Ai u ndal gjithashtu në rëndësinë e veçantë që ka kjo rrugë për zonën.

“Karakteristikë e investimit është fakti që rruga frekuentohet nga nxënësit dhe kuadri mësimor i tre shkollave të mesme publike të qytetit, Gjimnazit, Ekonomisë dhe Mjekësisë. Po ashtu, kemi edhe Institucionet e Drejtësisë, Gjykatat dhe Prokurorinë. Nxënësit, prindërit, kuadri i angazhuar dhe qytetarët e tjerë të Gostivarit, tashmë do ta kanë më të lehtë qasjen deri tek këto institucione,” tha Bejta.

Investimi i realizuar nga Komuna e Gostivarit do t’i shërbejë gati 4500 nxënësve si dhe rreth 500 profesorëve të angazhuar në tre shkollat e mesme të qytetit.

Drejtorët e shkollave, ashtu sikurse mësimdhënësit dhe nxënësit, shprehën mirënjohje deri te Kryetari dhe Komuna e Gostivarit për investimin e kryer.

Gjatësia e rrugës është mbi 1200 metra. U riasfaltuan gati 10 mijë metra katrorë. Vlera e investimit është 8 milionë e 500 mijë denarë ose rreth 140 mijë euro.

Komuna e Gostivarit njoftoi se do të vazhdojë punën për projekte të tjera ekzistuese dhe të reja të nevojshme për të ardhmen dhe banorët e qytetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button