Memorandum SHBA-Kosovë për parandalimin e trafikimit të materialeve bërthamore

Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore, ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Departamentin e Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), përmes të cilit synohet zbulimi dhe parandalimi i trafikimit të paligjshëm të materialeve të veçanta bërthamore dhe materialeve të tjera radioaktive, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, bëhet e ditur se institucionet përgjegjëse për zbatimin e memorandumit të nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Departamentit të Energjisë të SHBA-ve do të jenë Administrata Nacionale për Siguri Bërthamore e SHBA-së dhe Policia e Kosovës.

Beqir Mezelxhiu, kryeshef i Agjencisë ka thënë se “Qëllimi i këtij memorandumi është që të vendoset niveli i lartë i sigurisë bërthamore dhe që Kosova t’i përmbushë detyrimet ndërkombëtare në zbulimin dhe parandalimin e trafikimit të paligjshëm të materialeve bërthamore dhe atyre radioaktive”, thuhet në njoftim.

“Administrata për Siguri Bërthamore e shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmes Memorandumit do t’i ofrojë Policisë së Kosovës bashkëpunim teknik dhe metodik, përfshi këtu montimin dhe përmirësimin e sistemeve teknike për zbulimin dhe identifikimin e këtyre materialeve në pikat e kontrollit kufitar të Kosovës”, ka thënë Mezelxhiu duke bëre te ditur që Kosova nuk është pjesë e traktateve bilaterale në fushën e sigurisë Bërthamore prandaj në mënyrë të njëanshme ka marrë përgjegjësinë ti përmbushë të gjitha obligimet e saj ndërkombëtare.

Rick Clarke, përfaqësues i Departamentit të Energjisë nga SBBA, ka thënë se ky memorandum vë në pah bashkëpunimin e mëtutjeshëm mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Ky memorandum i ndihmon Policisë së Kosovës zbulimin dhe parandalimin e trafikimit të paligjshëm të materialeve të veçanta bërthamore dhe materialeve të tjera radioaktive nëpërmjet bashkëpunimit teknik dhe metodik, përfshi këtu montimin dhe përmirësimin e sistemeve teknike për zbulimin dhe identifikimin e këtij materiali në pikat e kontrollit kufitar të Republikës së Kosovës”, ka thën Clarke.

Policia e Kosovës këto pajisje do t’i ketë shumë shpejt në dispozicion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button