Samiti i NATO, Trump: Paguani për mbrojtjen

Udhëheqësit e NATO-s janë mbledhur për takimin e parë në selinë e re të aleancës në Bruksel, e të parin ku merr pjesë presidenti amerikan, Donald Trump.

Në hapje të samitit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se aleanca përballet me shumë sfida, mes të cilave më të rëndësishmet janë terrorizmi, agresioni rus dhe vendet që duan të zhvillojnë armët bërthamore, transmeton Top Channel.

Por veç axhendës publike të samitit, nuk ka dyshim se rëndësi kryesore do të jetë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe Trump ndaj aleancës. Shumë analistë mendojnë se, për një pjesë të krerëve europianë, testimi i Trump do të jetë po aq i rëndësishëm, sa gjetja e terrenit të përbashkët me të.

Në këtë kuadër, para samitit, Trump dërgoi sinjale të qarta kritike për NATO-n, sidomos për ata anëtarë që sipas tij nuk po ndajnë barrën financiare sipas rregullave. Këto komente, Trump i bëri pasi zbuloi Memorialin e sulmeve të 11 shtatorit 2001, që qëndron pranë një segmenti të Murit të Berlinit.

“Anëtarët e aleancës duhet të kontribuojnë me aq sa u takon dhe të përmbushin detyrimet e tyre financiare. 23 nga 28 vendet anëtare vazhdojnë të mos paguajnë atë që duhet të paguajnë dhe atë që supozohet se duhet të paguajnë për mbrojtjen e tyre. Kjo nuk është e drejtë për njerëzit dhe taksapaguesit në Shtetet e Bashkuara”, tha Trump.

Ai madje tha se niveli 2 për qind i GDP-së, që është detyrimi i çdo vendi anëtar ndaj aleancës, është një shumë minimale përballë situatës globale. Në samitin e NATO-s në Bruksel merr pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili mori pjesë edhe në takimin me dyer të mbyllura që u zhvillua më herët mes udhëheqësve të aleancës së Atlantikut të veriut.

Rama u takua me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe krerë të tjerë shtetesh në këtë samit, që merr rëndësi të veçantë për praninë e presidentit amerikan Trump, një kritik i vjetër i aleancës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button