Maqedoni, a duhet nxënësit ta bojkotojnë testimin e fundit ekstern, çfarë do të ndodhë me të?

Deri kur më së voni mund të shfuqizohet ligji për testimin ekstern që i njëjti të mos mbahet më 5 qershor? A mund të shtyhet data e testimit ekstern? A mund të bojkotohet testimi ekstern nga nxënësit? Nëse nuk mund të ndodhin tre të parat, dhe i njëjti realizohet siç është paraparë dhe dështojnë nxënësit (ngaqë nuk janë përgatitur si pasojë e premtimeve politike) a mund të shpallet i pavlefshëm apo të mos merret në shqyrtim gjatë regjistrimit në universitete?

Janë këto pyetjet që Portalb ua parashtroi ekspertit juridik, Osman Kadriu, pjesëtarit të Plenumit të Arsimtarëve, Avzi Mustafa dhe zëdhënësit të Ministrisë së Arsimit, Safet Neziri.

Shfuqizimi i ligjit për testim ekstern duhet të ndodhë më së voni deri më 3 qershor

Sipas Osman Kadriut, miratimi i shfuqizimit të çdo ligji merr kohë më së paku 10 ditë që nga dita e votimit të tij në Kuvend, por duke e pasur parasysh kohën e ngushtë dhe llojin e problemit, testimi ekstern mund të shfuqizohet më së voni deri më 3 qershor që i njëjti të mos mbahet me 5 qershor, kjo duke iu shmangur tetëditëshit të publikimit të vendimit për shfuqizim të ligjit në Gazetën Zyrtare.

“Ligjet të cilat shfuqizohen pas miratimit duhet të publikohen në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë prej të cilës ditë edhe hyn në zbatim. Kjo duhet të ndodh para se të skadojë afati i miratimit që i njëjti të vihet në praktikë deri në ditën kur duhet të mbahet provimi esktern. Nëse nuk ndodh kjo nxënësit do të duhet t’i nënshtrohen testimit. Që të ketë vendimi për testimin esktern efekte juridike dhe praktike dhe i njëjti të mos mbahet më 5 qershor ajo duhet të votohet në Kuvend më së voni deri më 3 qershor. Nëse votohet deri më 3 qershor atëherë me procedurë të përshpejtuar vendimi në Gazetën Zyrtare shpallet një ditë pas”, sqaroi për Portalb Kadriu.

Maqedoni, nxënësit shqiptarë paralajmërojnë bojkot të testimit ekstern

Nëse nuk ndodh shfuqizimi i ligjit, sipas Avzi Mustafës i njëjti mund të bojkotohet me të drejtë nga nxënësit. Por që t’i shmangemi këtij bojkoti, ai vlerëson se e mundshme do të ishte edhe shtyrja e mbajtjes së testimit ekstern e kjo do të bëhej me veto nga ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.

“Situata e deritashme politike dhe premtimet se sivjet nuk do të mbahet testimi ekstern nxënësit i solli në një hallakam.  Por edhe pse ligji parasheh mbajtjen e testimit esktern dhe i njëjti nuk shfuqizohet, nga ana tjetër nxënësit janë të papërgatitur dhe të hutuar, nëse thirrem në përvojën arsimore dhe në njohjen e problemeve arsimore do të kisha thënë se më e mira do të ishte që nxënësit ta bojkotojnë testimin esktern”, tha Mustafa.

Ai vlerëson se edhe “nëse nuk arrihet një bojkot i tillë, dhe mbahet testimi, mosangazhimi i deritashëm i nxënësve dhe arsimtarëve për këtë testim do të sjell rezultate katastrofale për të gjithë” por që t’i iket këtij dështimi të nxënësve dhe arsimtarëve Mustafa vlerëson “se mund të shtyhet data e mbajtjes së testimit ekstern nga ministri i Arsimit i cili ka kompetenca për këtë gjë nëpërmjet vetos”.

Por të drejtën dhe mundësinë e shtyrjes së testimit ekstern nga ministri Lutfiu e mohoi zëdhënësi i tij,  Safet Neziri duke thënë se ligji nuk parasheh mundësi të tillë dhe se zgjidhje e vetme në këtë situatë do të ishte vetëm shfuqizimi i këtij ligji në Kuvend. As ministri e as nxënësit nuk kanë të drejtë të ndryshojnë këtë gjë.

“Ministria e Arsimit është në pritje të realizimit të procedurës për shfuqizim të këtij ligjit në Kuvend, por nëse nuk ndodh kjo deri në afatet e paracaktuara atëherë do të mbahet testimi ashtu edhe siç parashihet me ligj. Por, nëse marrim parasysh situatën dhe mospërgatitjen e nxënësve sërish ministri nuk ka të drejtë që të shtyjë mbajtjen e testimit esktern ngaqë këtë nuk e jep ligji. E vetmja zgjidhje për momentin është Kuvendi. Por nëse nxënësit vendosin të mos hyjnë në testim ekstern ata duhet të tregojnë arsye objektive për mosprezencë që të mos ndëshkohen me nota të dobëta dhe të fitojnë mundësinë e rimarrjes pjesë në afatin e dytë të testimit esktern”, tha Neziri.

Nëse dështon testimi esktern mund të vihet në shqyrtim validiteti i tij

Sipas Avzi Mustafës dhe Safet Nezirit, mbajtja e testimit esktern dhe dështimi i tij nuk mundëson që i njëjti të shpallet i pavlefshëm dhe të mos futet në vlerësim gjatë regjistrimit të nxënësve në universitete.

“Nëse nuk ndryshohet ligji, dhe mbahet testimi nga ku dukshëm mund të kemi rezultate jo të mira, sërish ajo nuk mund të shpallet i pavlefshëm dhe do të merret në shqyrtim nga universitetet gjatë regjistrimit të studentëve”, tha Mustafa.

“Testimi esktern edhe nëse del i pasuksesshëm ajo do të merret në vlerësim nga universitet gjatë pranimit të studentëve. Nëse dështon në masë të madhe atëherë për këtë do të shqyrtohet nga establishmenti politik dhe do të merret vendim se çfarë do të ndodh më tutje ngaqë kjo nuk parashihet me ligj”, tha Neziri.

Përndryshe, nxënësit dhe mësimdhënësit e ciklit fillor dhe të mesëm thuajse kanë mbetur në udhëkryq, të përgatiten ose jo për realizimin e testimit ekstern. Mandatari për formimin e Qeverisë Zaev, ka paralajmëruar se do ta shfuqizojë të njëjtën pas nisjes me punë të Kuvendit.

Por ministri i Arsimit në largim Pishtar Lutfiu njoftoi nxënësit dhe arsimtarët, kërkon nga ta që të përgatiten për testimin ekstern.

“Unë besoj shumë se Qeveria e re nuk do të shkoj në sjelljen e një ligji që do të jetë i cenueshëm për qytetarët dhe nxënësit e Maqedonisë, prandaj kisha bë apel që nxënësit të përgatiten për testimin ekstern për shkak se sjellja e ligjeve nuk ndodhë brenda nate por, duhet të jetë në konsultim edhe me sektorin juridik edhe me ekspertë juridik për të sjell një ligj të mir. Ligji më andej do të duhet të kaloj nëpër komisione, do të duhet në parlament, kështu që besoj që do të duhet të kaloj një kohë, një periudhë pas ardhjes së Qeverisë së re. Prandaj, po bëj apel edhe një herë që edhe përkundër dëshirës së LSDM-së për të sjell një ligj për ndërprerjen e testimit ekstern ajo kërkon kohë”, tha Lutfiu.

ANALIZË: Vlerësimi ekstern në Maqedoni – nën thikë!

Stres, manipulim, dëmtim dhe jokreativitet i testimit “ekstern”

Kujtojmë, se edhe pse u mbajt ky testim ekstern, ai ka qenë përplot skandale duke filluar që nga gabimet drejtshkrimore e për të përfunduar në vlerësimin joefketiv si për nxënësit por edhe për arsimtarët.

LEXO MË SHUMË:

Testimi ekstern, maturantët ankohen për gabime të shumta

Testimi ekstern, sërish ankth për mësimdhënësit dhe nxënësit

 LSDM: Të hiqet testimi ekstern, të kthehet dinjiteti i arsimtarëve

Arsimtarët dhe nxënësit të pakënaqur: testimi ekstern nuk ka asgjë pozitive

Testimi ekstern sërish skandaloz, pyetje jo-logjike në kufi të talljes! (FOTO)

Testimi ekstern, arsimtarët nuk do të dënohen ata mund të largohen nga puna

Plenumi: Testimi ekstern është dështim total! (Foto)

Ja testimi ekstern për të cilën dënohen mësimdhënësit shqiptarë (FOTO)

Testimi ekstern sërish skandaloz!!

Dardhishta: Testimi ekstern ka gjasa të ketë manipulime të shumta

Ja kush janë përpiluesit e pyetjeve të testimit ekstern në Maqedoni

Ja kush i kontrollon pyetjet e testimit ekstern të stërmbushur me gabime

Portalb publikon emrat e përkthyesve të testimit ekstern për shkollat profesionale

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button