Aktet terroriste të 27 prillit dhe Qeveria e re e Maqedonisë 

Përderisa forcat politike që aktualisht e përbëjnë shumicën e deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë, studiuesit, analistët, gazetarët dhe mediat, nuk e bëjnë kualifikimin e saktë të akteve terroriste në Parlamentin e Maqedonisë, mbi deputetët dhe pretendentët e Qeverisë së ardhshme, më 27 prill 2017, kjo çështje do të përfundojë vetëm me formimin e një ,,komisioni parlamentar për hulumtimin e rastit” dhe me amnestimin e kriminelëve nga presidenti i shtetit.

Fatkeqësisht, disa parti politike ende sillen si satelitë të qeverisë së derisotme, të udhëhequr nga OBRM-PDUKM. Udhëheqësit e partive politike parlamentare të shqiptarëve duhet të kenë kujdes nga kurrthet, sepse kjo lojë e dyfishtë mund t’u kushtojë shtrenjtë.

Shqiptarët duhet ta aktivizojnë Tryezën e partive parlamentare të shqiptarëve në Maqedoni (ose të formojnë këshill koordinues), e cila duhet të jetë paradhomë për hyrje në qeveri, ndërsa Deklarata e përbashkët e 7 janarit 2017 (me ndryshime dhe plotësime të domosdoshme), duhet t’u shërbejë si çelës kryesor për programin, punën dhe zbatimin e reformave nga qeveria e ardhshme.

Sigurisht që skenari i 27 prillit ka qenë i përgatitur mirë dhe me shumë prapaskena, me të gjitha elementet e një grusht shteti dhe marrjen e pushtetit me dhunë nga disa grupe terroriste të paidentifikuara mirë deri më sot. Një pjesë e këtij skenari vazhdon të luhet edhe sot, ndërsa pjesa tjetër sigurisht do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Shenjat e para tanimë janë shfaqur me dorëzimin e ,,garancive” me shkrim nga manadatari për formimin e qeverisë së re, të kërkuara nga presidenti i shtetit jashtë kompetencave të tij dhe dispozitave kushtetuese e përcaktimeve ligjore. Këto ,,garanci” kanë të bëjnë kryesisht me të drejtat e shqiptarëve, të parashtruara si kushte për formimin e qeverisë së re, përmes Deklaratës së partive politike parlamantare të shqiptarëve në Maqedoni. Për aq më keq, nëse këto ,,garanci” e kanë marrë edhe pëlqimin e partive politike të shqiptarëve.

Ngjarjet rrjedhin shumë shpejtë, në vend dhe në rajon, ndërsa partitë politike të shqiptarëve nuk do ta kenë edhe më tej komoditetin që e kanë pasur më parë, t’i lënë në heshtje kërkesat jetike të shqiptarëve në Maqedoni, ose t’i shkëmbejnë ato me interesa personale dhe grupore, siç kanë vepruar deri më sot.

Porosia: Nëse viktima arrin për momentin të shpëtojë nga goja e egërsirës, ajo mund ta pësojë në të ardhmen nga plagët e helmuara prej saj, të pashëruara mirë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button