​Mustafa: Qytetarëve duhet t’iu sigurojmë liberalizimin e vizave

Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të mërkurën në Bruksel se mbetet i përkushtuar në procesin për t’i çuar përpara çështjen e demarkacionit, asociacionit, si dhe për dialogun me Beogradin, ndërsa ka potencuar edhe një herë rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit.

Ai këto komente i bëri pas takimit me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Kosovës dhe BE-së, transmeton Kosova Press.

Mustafa tha se në takim me kryediplomaten evropiane ka shprehur përkushtimin e Kosovës për perspektivën evropiane dhe për avancimin e raporteve me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Biseduam edhe për nevojën e vazhdimësisë duke pas parasysh se janë iniciuar dhe jemi në proces të disa vendime që janë të rëndësisë themelore, siç janë ato të demarkacionit, asociacionit dhe për dialogun. Me këtë rast unë ndava qëndrimin që e përfaqësoj tani në krye të LDK-së, se ne do të mbesim të përkushtuar në këto procese dhe se kandidati ynë për kryeministër, po ashtu, mbetet i përkushtuar që këto procese t’i çojë përpara me Bashkimin Evropian”, ka thënë Mustafa.

Për më tepër, kryeministri në largim i Kosovës ka theksuar se nuk ka rrugë tjetër dhe se qytetarëve duhet t’iu sigurohet liberalizimi i vizave dhe të implementohet marrëveshjet e arritura.
Ndryshe, kryeministri në largim Isa Mustafa, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, do të marrë pjesë në darkën që shtrohet sot për liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku do të diskutohet për gjendjen aktuale, perspektiven si dhe avancimin e rrugës euro-integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button