Analizë: Ndarja e ministrive dhe përfaqësimi shqiptar, të gjithë kërkojnë kulaçin

Ndarja e resorëve është njëra nga çështjet më të ndjeshme dhe me interes më të madh në tërë procesin e formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë. Kjo nënkupton përfshirje të caktuar të një subjekti politik por edhe simbolizon fuqinë e partive në Qeveri, shkruan Portalb.mk.

LEXO: Si të ndahen ministritë

Ditë më parë, kolumnisti i Portalb-it, Robert Nesimi doli me një llogaritje matematikore se “LSDM kryeministrin dhe 10 ministri prej të cilëve njëri shqiptar, BDI Kryetarin e Parlamentit dhe tre ministri, Aleanca dy ministri dhe Besa dy ministri. Kjo është ndarja më reale sipas rezultatit të zgjedhjeve, forcave në parlament dhe kontributit politik për formimin e qeverisë së re“.

Sipas Nesimit, në praktikë kjo do të thotë se LSDM-së duhet t’i takojë kryeministri dhe 10 ministri. Në realitet LSDM ka partnerë të saj të koalicionit, por pasi ka garuar bashkë me ta në zgjedhje, ndarja e këtyre 10 ministrive është punë interne e saj. Për hir të korektësisë ajo duhet të ruajë ndonjë vend për kuadrot e saj shqiptare. Pasi shqiptarët i kanë dhënë rreth 10% të votave, do të ishte e drejtë që të paktën një ministër i saj të jetë shqiptar.

Por sërish ai vlerësoi se “ditët në vijim do të ndëgjojmë lloj-lloj pretendimesh e spekulimesh se si do të duket e si duhet të duket qeveria e re. Sipas meje ndarja më reale mbetet kjo: LSDM 10 ministri, BDI 3, Aleanca 2 dhe Besa 2. Kjo ndarje reflekton më së miri raportet e forcave matematikore dhe politike në parlament dhe popullatë“.

Por, edhe pse kjo llogaritje matematikore bazohet në tre parakushte sërish praktika e ndarjes së resorëve deri më sot na dëshmon ndryshe.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti u shpreh se ende nuk është marrë vendim për numra të ministrive, por vetëm për pozita.

“Ndryshim do të ketë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit. BDI dy vjet udhëhoqi Ministrinë e Arsimit, ndërsa në Qeverinë e re, kuadri i partive shqiptare do të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Ahmeti.

Sa i përket resorëve, Ahmeti tha se “BDI do të udhëheq me të gjitha ministritë të cilat i kishte deri tash”.

Nga kjo del se BDI në Qeverinë e re do të ketë sërish 5 ministri nën udhëheqje, edhe atë Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësiror, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

 Ndarja e ministrive kundrejt inkriminimit

Praktika e deritashme nxorri në pah edhe një faktor që do të përcaktojë ndarjen e ministrive, dhe ajo është cilësia dhe jo-inkriminimi i personave që do ti udhëheqin ato, për të cilën arsye edhe kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami deri sot nuk ka vendim se a do të merr pjesë në Qeveri.

“Nuk do të marrim pjesë në Qeveri me njerëz të cilët janë nën hetim nga PSP me vepra të inkriminuara. Këtë e kemi thënë edhe më herët dhe do ta themi edhe tash. PSP duhet t’i procedurojë të gjitha lëndët e atyre që dyshohen se kanë bërë vepra kriminale. Derisa PSP ngrit akuza ndaj personave për të njëjtët ne nuk do bashkëqeverisim me të njëjtët”, ka thënë disa herë Kasami.

Deputetja e Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Radmilla Sheqerinska duke folur për procesin e formimit të Qeverisë dhe ndarjen e resorëve të saj  vlerësoi se ende nuk dihet se cilat parti do të marrin pjesë në përbërjen e re qeveritare që të mund të dihet se sa resorë cilës parti i takojnë.

Por ajo sërish vlerëson se me rëndësi është se kush do të menaxhojë me resorët e jo cila parti do ti ketë ata.

“Por duhet të kuptohemi se askush nuk ka të drejtë të thotë kjo ministri është e imja dhe nuk ka rëndësi se kush do ta udhëheqë. Qëllimi është që të kemi përkrahje edhe për kandidatët. Insistohet të konsultohet për kandidatët e të gjitha partive ngaqë na duhet Qeveri e cila do të funksionojë si  ekip dhe e cila do të mbajë përgjegjësi për qytetarët”, tha Sheqerinska.

Ndarja e resorëve kërcënohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim

Dukshëm shihet se tërë problemi qëndron në strukturën e BDI-së e cila del prej qeverisjes me VMRO-DPMNE. Disa herë kjo parti ka paralajmëruar se do të bëjë reforma brenda partisë, por as sot e kësaj dite këto reforma nuk panë dritë.

Ditë më parë zëvendëskryetari i kësaj partie, Izet Mexhiti bëri me dije se në përbërjen e re qeveritare nuk do të merr pjesë me ministra të njëjtë dhe se do të jenë persona që as teorikisht nuk do të jenë të inkriminuar.

“BDI ka dëshmuar se ka kapacitet demokratik dhe se brenda kësaj periudhe ka pasur reforma të cilat nuk ishin radikale por në vazhdimësi. Këto ndryshime janë bërë me ardhjen e figurave të reja dhe se analizat dhe debatet për reformim të mëtutjeshëm do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ndryshimet e BDI-së kanë filluar që kur ne vendosëm për moskoalicionim me VMRO-DPMNE-në e cila nënkupton edhe ndryshim të kursit politik. Por sërish me rëndësi fillimisht është formimi i Qeverisë dhe funksionalizimi i institucioneve, dhe më pas do të rikthehem brenda partisë”, tha Mexhiti.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se në Ministritë e ardhshme nuk do të ketë pjesëtarë të BDI-së që janë të përfshira në afera korruptive.

Sërish, si BDI si Aleanca për Shqiptarët janë shprehur njëzëri që janë për përfaqësim cilësor se sa për numra.

Përndryshe, ka disa ditë që kur kanë filluar bisedimet për formim të Qeverisë, përbërjen e saj si dhe për ndarjen e ministrive.

Ashtu si edhe vlerësojnë analistët, ndarja e ministrive duhet të ndodh në bazë të tri parametrave numri i votave të fituara në zgjedhje, forcave të përfshira në Paralament dhe kontributi politik në formimin e Qeverisë.

Praktika në Maqedoni sjell faktorë të tjerë, edhe atë cilësinë e kuadrove të përfaqësuara dhe jo-inkrimimin i përfaqësuesve të BDI-së.

Në bazë të të gjitha këtyre parametrave, shtrohet dilema: A do të kenë kapacitet partitë shqiptare të përfaqësohen denjësisht në Qeverinë e re?!

Aq më tepër a sa do të jenë të dobishme për shqiptarët?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button