FRIKA NGA E PANJOHURA

Kur Stefan Roji mbushi dymbëdhjetë vjeçët, i kërkoi babait të tij, kapiten dhe pronar i një anije me vela, që ta merrte me vete në anije“…

Kështu fillon tregimi “Kolombreja” i shkrimtarit italian Dino Buxati, autor i romanit “Shkretëtira e Tartarëve”, i romanit mbi pritjen e kotë, si tek “Godoja” i Beketit apo si tek poezia “Duke pritur barbarët” e Kavafisit.

Tregimi “Kolombreja”  duket si rrëfim mbi praninë e vdekjes dhe mashtrimin e quajtur jetë.

Kolumbreja përshkruhet si peshk i madh, i frikshëm dhe i rrallë, “që e kanë frikë të gjithë detarët, në çdo det të botës“.

Është peshku që e zgjedh viktimën, e ndjek me vite, derisa e përlan.

Është e çuditshme se askush nuk e sheh përveç viktimës dhe njerëzve të gjakut të tij“.

Kolombreja e ka zgjedhur Stefan Rojin. Vetëm ky e sheh hijen e zezë në detin e gjerë.

Kolombreja është thirrja që u bëhet njerëzve të zgjedhur, për të rendur matanë kufizimeve jetësore, morale, kulturore, shoqërore.

Njerëzit që duan të shkojnë “matanë” janë krijesa tragjike të botës. Janë qeniet me “virtyt dhurimi”, që joshen nga humnera. Ata nuk lumturohen me gjërat e adhuruara nga pjesa tjetër e botës.

Tolstoi besonte se keqkuptimi ndërmjet njerëzve të zgjedhur dhe njerëzve të zakonshëm ishte i përhershëm për shkak të këtij adhurimi mediokër.

Njerëzit e zakonshëm u gëzohen gjërave utilitare: kur japin provime, kur zgjidhen deputetë a ministra, që për të zgjedhurit mund të duket si fatkeqësi.

Të zgjedhurit rendin drejt rrezikut. Një forcë e brendshme i tërheq drejt dyluftimit: është “mendimi për atë krijesë armike”, që  bëhet “ankth i fshehtë“, kurse me “kalimin e kohës ky mendim bëhet më ngulmues“.

Stefanin, që i ecte puna mirë larg detit, e josh lundrimi, e josh rreziku. Është një forcë e brendshme që e trazon. Ai dëshiron të përballet me armikun, kolombrenë, ankthin…

Janë kënaqësi të mëdha ato që jeta t’i fal me punë, por joshja e humnerës është më e madhe“.

Është kjo joshje, kjo aventurë, që e nxit pasionin e lundrimit nën kërcënimin e pandërprerë që i vjen nga sinonimi i shkatërrimit – kolombreja.

Ngasja është më e madhe “se sa jeta e qetë dhe me bollëk“.

Kjo filozofi sikur na kujton jetën e dyfishtë të personazhit tek “Prilli i thyer” i Kadaresë: jetën e gjatë, monotone dhe jetën e shkurtë dinamike të Gjorgjit.

Jeta e dytë është për të zgjedhurin, që i ka ditët e numëruara, që i afrohet humnera, që është zgjedhur për t’u goditur.

Niçe thoshte: “Kur e shikon gjatë humnerën, ajo fillon e afrohet drejt teje”.

Është një jetë e mbështjellë me frikë që e shkakton e panjohura.

Udhëtimi drejt të panjohurës, kundër rrymës, njerëzimit i ka hapur horizonte të reja.

Shumica, që mendojnë më pak, nuk e shohin kolombrenë e vet dhe janë të lumtur.

Të zgjedhurit e Kolombresë edhe kohën për argëtim e kalojnë duke menduar për fatkeqësinë që i ndjek vazhdimisht. Ata mendojnë për humnerën.

Tani unë po vdes. Edhe ai tani do të jetë shumë i plakur. Nuk mund ta tradhtoj“.

Kështu flet Stefan Roji i vendosur të takohet me ndjekësin e përhershëm – burimin  e ankthit. E ndjen se është më i fortë për t’u përballur me atë hije të zezë.

Do të luftoj me gjithë fuqinë që më ka mbetur“.

Kolombreja nuk ka dëshiruar ta përlajë Stefan Rojin, vetëm ka dashur t’ia përcillte porosinë nga “mbreti i detit”, t’i jepte “perlën e detit”, që sillte fat, fuqi, dashuri dhe paqe shpirtërore.

Kolombreja është lodhur duke e ndjekur për t’ia falë fatin, fuqinë dhe paqen shpirtërore.

Një jetë të tërë Stefan Roji këto ideale i kishte afër vetes, por ishte frikësuar prej tyre, sepse ishte frikësuar nga e panjohura.

Tani ishte vonë, shumë vonë…

Në breg të detit, brenda lundrës, ndodhej një skelet i bardhë.

Mes eshtrave të gishtave një gur i bardhë, i “shndritshëm si yll“.

Ishte fati, fuqia dhe paqja shpirtërore, që shtrëngohej nga gishtat e një skeleti…

Duke ikur nga vetvetja e përjetojmë fatin e Stefan Rojit. E humbim rastin për ta pasur perlën e detit, që sjell fat, fuqi, dashuri dhe paqe shpirtërore.

Stefan Roji tha: “Gjithçka paska qenë e rreme. Mallkova jetën time, por edhe tënden e shkatërrova”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button