Të paktën 22 të vrarë dhe 59 të plagosur nga shpërthimi në Mançester (FOTO+VIDEO)

Të paktën 22 persona janë vrarë dhe 59 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim jashtë një salle koncertesh në Mançester, kanë thënë autoritetet britanike, duke shtuar se rastin janë duke e trajtuar si “sulm terrorist”.

Policia britanike beson se sulmuesi në Mançester ka bartur një pajisje të cilën e ka detonuar. Policia beson se sulmuesi ka vdekur në vend-ngjarje.

Shpërthimi ka ndodhur në orët e vona të së hënës, vetëm pak kohë pas koncertit të këngëtares amerikane, Ariana Grande.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se autoritetet janë duke punuar për të kuptuar detajet e kësaj ngjarjeje.

Ne jemi duke punuar për të kuptuar të gjitha detajet e asaj që nga policia po trajtohet si një sulm i tmerrshëm terrorist”, ka thënë May përmes një deklarate për media.

Shërbimet emergjente në Britani kanë thënë se kanë dërguar në spital 59 viktima të shpërthimit.

Dëshmitarët kanë thënë se kanë dëgjuar një “shpërthim të fuqishëm” rreth orës 21:45 të së hënës, teksa njerëzit ishin duke u larguar nga “Manchester Arena”, ku këngëtarja Ariana Grande kishte mbajtur koncert.

Një video e shfaqur nga rjjeti televiziv Sky News tregon se si dëgjohet shpërthimi brenda sallës ku ishte mbajtur koncerti i këngëtares Grande.

 

Shërbimet në stacionin e trenit Manchester Victoria, që gjendet përfundi arenës, janë anuluar.

Nëse konfirmohet si sulm terrorist, atëherë ky do të ishte sulmi më vdekjeprurës në Britani, që prej se katër myslimanë nga Britania, përmes sulmeve vetëvrasëse me bomba vranë 52 persona në sistemin e transportit të Londrës më 2005.

Britania është në mesin e fushatës për zgjedhje të përgjithshme që do të mbahen më 8 qershor.

Pas shpërthimit, partitë politike në Britani kanë pezulluar fushatat zgjedhore.

Jeremy Corbyn, lider i partisë Laburiste, ka thënë se ka biseduar me kryeministren Theresa May dhe është pajtuar se të gjitha fushatat zgjedhore të pezullohen.

Jam i tmerruar nga këto ngjarje të tmerrshme në Mançester”, ka thënë Corbyn.

May më herët ka paralamëruar se edhe ajo ka pezulluar fushatën e Partisë Konservatore. Ajo sot do të takohet me ekipin e emergjencave të qeverisë, në përgjigje ndaj sulmit.

Manchester Arena, që është hapur më 1995, është arena më e madhe e mbyllur në Evropë dhe ka kapacitet për 21 mijë persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button