Ymeri: Gjykata dha dhe anuloi më pas urdhrin politik për të arrestuar kryeministrin e ardhshëm të Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka komentuar pezullimin e përkohshëm të urdhërarrestit ndaj kandidatit të partisë Lëvizja Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se Gjykata ka dhënë fillimisht një urdhër politik për të arrestuar, siç ka thënë ai, “Kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, Albin Kurtin”, dhe tashmë, thotë Ymeri, “sërish në mënyrë politike, e ka pezulluar këtë urdhër”.

“Sot u konfirmua edhe zyrtarisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë, se ka pezulluar fletarrestin për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurtin. Ashtu siç e shpjeguam edhe dje, në prezantimin e kandidatëve tanë për deputetë, Gjykata ka dhënë fillimisht një urdhër politik për të arrestuar Kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, dhe tashmë, sërish në mënyrë politike, e ka pezulluar këtë urdhër”, ka thënë Ymeri në një postim në Facebook.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës nuk kishin nevojë për dëshmi të reja që vërtetojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur nga “Klani Pronto” i PDK-së dhe bashkëpunëtorët e tij në LDK, “por ja që rritja e Lëvizjes Vetëvendosje e ka nxjerr pushtetin edhe një herë zbuluar”.

“Vendimet e kësaj gjykate nuk kanë asnjë bazë të vetme juridike. Fletëarresti për Albin Kurtin u lëshua nga paniku i tyre për rritjen tonë, dhe u pezullua nga frika e madhe e tyre për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje më 11 qershor. Tashmë gjërat janë të qarta për të gjithë, dhe nuk ka klan që e ndal mobilizimin e gjerë qytetarë që po e sjell fitoren”, u shpreh kreu i VV-së, Visar Ymeri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button