Takim i Xhaferit me delegacionin e Kolegjit mbretëror për studime në Mbrojtje nga Londra

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot u takua me një delegacion të oficerëve të lartë dhe civilëve të Kolegjit mbretëror për studime në lëminë e Mbrojtjes nga Londra, të kryesuar nga Nikollas Evans.

Siç theksohet në kumtesën e Kuvendit, Xhaferi në takim i ka informuar për punën vijuese dhe të ardhshme të Kuvendit e cila lidhet me zgjedhjen e Qeverisë së re, si dhe për formimin e trupave të punës së Kuvendit, ndryshimet në Kodin zgjedhor në kontekst të zgjedhjeve lokale në vjeshtë dhe në përgjithësi vënien në funksion të institucioneve demokratike të shtetit, pas ngecjes së shkaktuar nga kriza politike.

Anëtarët e delegacionit, thuhet në kumtesë, kanë shprehur interesim për më shumë çështje, si nga aspekti i politikës së brendshme, ashtu edhe në kontekstin ndërkombëtar, me ç’rast janë këmbyer mendime për sfidat e ardhshme të Kuvendit të ri, për rolin e Kuvendit si korrigjues i pushtetit ekzekutiv, për integrimin evropian dhe euroatlantik të Republikës së Maqedonisë, çështjen për kontestin me emrin, për marrëdhënien, sensibilitetin dhe pritjet e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë ndaj Bashkimit Evropian si entitet i dëshiruar, si dhe për ndikimet e ndryshme ndërkombëtare në kontekst të integrimit të shteteve ballkanike në NATO.

Kolegji mbretëror është një prej kolegjeve më prestigjioze në botë për studime në mbrojtje, ndërsa si pjesë e studimeve, delegatët kanë detyrë të shqyrtojnë rajone të caktuara në botë. Krahas oficerëve të Mbretërisë së Bashkuar, në përbërjen e saj janë edhe oficerë të më shumë rajoneve të botës, – nga Evropa, Zelanda e Re, Lindja e Mesme, Meksika, Afrika dhe Japonia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button