Të kërkohet ndërprerja e funksionit të presidentit aktual të Maqedonisë

Në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, të vitit 2014, presidenti aktual i Maqedonisë ka fituar gjithsej 534.910 vota, në bazë të Listës së përgjithshme me 1.780.128 votues në nivel të shtetit, ose afër 30% nga votat e përgjithshme, prej të cilave një numër i konsiderueshëm i votave është dëshmuar se janë siguruar përmes votuesve fiktivë të përfshirë në procesin zgjedhor. Ky është modeli i falsifikimit perfid të zgjedhjeve që është praktikuar në disa cikle zgjedhore në Maqedoni!

Mandati i presidentit në Maqedoni zgjat 5 vjet (2014-2019), që domethënë se funksionin e tij të fituar përmes falsifikimit të zgjedhjeve ky president duhet të ushtrojë deri në vitin 2019. Gjatë këtij viti dhe dy viteve në vazhdim, Maqedoninë e presin reforma të thella, në rrugën e së cilave pengesë kryesore do të jetë pikërisht ky president, siç e ka dëshmuar deri më sot.

Prandaj, duhet patjetër të inicohet procedurë për ndërprerjen e funksionit të këtij presidenti me mandat të falsifikuar dhe të keqpërdorur, për shkak të:

– zgjedhjes së tij pa marrëveshje gjithëpërfshirëse (konsensus);

– pa pragun e nevojshëm të votave (censusi për zgjedhjen e tij është ulur nga 50% në 40%, në kundërshtim me dispozitat kushtetuese);

– me mandat të fituar përmes zgjedhjeve presidenciale të falsifikuara (2014);

– me mandat të kontestuar, pa votat e shqiptarëve;

– për fshehjen e krimeve dhe amnestimin e kriminelëve;

– keqpërdorimin e funksionit vetëm për interesa të një partie politike dhe klanit kriminal;

– paaftësisë profesionale për ushtrimin e funksionit;

– partizimin e tepruar të funksionit të presidentit të shtetit;

– konfrontimin e vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar;

– qëndrimet, deklaratat dhe disponimin e hapur antishqiptar;

– përgjegjësinë për thellimin e krizës politike gjatë mandatit të tij dhe paaftësinë për parandalimin e rrezikut permanent për shpërthimin e konflikteve në vend, cenimin e sovranitetit të shtetit, paqen dhe sigurinë në vend dhe në rajonin më të gjerë.

Menjëherë pas formimit të qeverisë së re dhe nonsolidimit të institucioneve të pushtetit, sidomos të organeve të Parlamentit, duhet të inicohet procedurë për ndërprerjen e funksionit të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë* dhe ligjeve në fuqi*, edhe atë:

Në bazë të Kushtetutës së Maqedonisë,

,,Neni 87

Kryetari i Republikës mban përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve në ushtrimin e të drejtave dhe detyrave të veta.

Procedurën për vërtetimin e përgjegjësisë të Kryetarit të Republikës e ngre Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Për përgjegjësinë e Kryetarit vendos Gjykata Kushtetuese me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i gjyqtarëve.

Nëse Gjykata Kushtetuese e vërteton përgjegjësinë e Kryetarit të Republikës, funksioni i ndërpritet sipas fuqisë së Kushtetutës.”*

* Nëse nuk mund të sigurohen votat e nevojshme nga deputetët e Parlamentit, duhet të kërkohen mundësi të tjera ligjore, si p.sh., organizimi i referendumit nga qytetarët e vendit, ose përmes mekanizmave të tjerë në përputhje me konventat ndërkombëtare.

** Ligji për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Maqedonisë (12 prill 1994); Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligj për zgjedhje të presidentit të Republikës së Maqedonisë (21 krrik 1999); Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhje të presidentit të Republikës së Maqedonisë (8 mars 2004); dhe Ligji për të drejtat e presidentit të Republikës së Maqedonisë dhe familjes së tij pas ndërprerjes së funksionit (2 korrik 2004).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button