Luma e Kosovës, pa asnjë kandidat për deputet!

Zakonisht, të ishe vend kufitar ka qenë sfidë e madhe në vitet e tmerrshme të para luftës së fundit, për shkak se këto vend shpeshherë kanë qenë edhe çerdhe e atdhedashësve, duke i strehuar e duke kontribuar njëkohësisht në çështjen kombëtare, e kësisoj ishin halë në sy e forcave armike. Glorifikimet dhe mitizimet janë sa të panevojshme, po aq edhe të papranueshme për vitet në të cilat po jetojmë. Shumë më të pranishme dhe njëkohësisht kontradiktore bëhen deklaratat e partive politike, kur vie koha e zgjedhjeve. Ajo që më shumti i mundon qytetarët, për zgjedhjet qendrore sidomos, ka të bëjë me personat që i do i përfaqësojnë në Kuvendin e Kosovës. Ky shqetësim është i arsyeshëm, por edhe i mangët nëse mbetet vetëm në atë nivel, thjeshtë si një shqetësim.  Arsyet se pse qytetarët nuk mund të zgjedhin personat të cilët i kanë në rrethin dhe lagjen e tyre e që gëzojnë reputacion, janë të shumta. Sistemi i partive politike tek ne është tej mase i centralizuar dhe nga kjo varet edhe promovimi i kandidatëve për deputet. Në momentin kur nga lagjet dhe fshatrat e një komune, persona të pëlqyer nga rrethi, nuk e kanë të vështirë futjen në listat që i propozojnë Degët e caktuara, por që “çekiçi” për ta vie nga lartë, ku nuk i lënë që as të sfidohen fare në garë për deputet.

Kryesisht kjo ndodh tek ato vende ku qytetarët dhe anëtarët e një partie të caktuar ose nuk janë të “zhurmshëm” ose kur janë të “dëgjueshëm”. Po ashtu, sistemi zgjedhor i Kosovës me një Zonë Zgjedhore, i shkon në leverdi kryekëput dy-tri regjioneve të Kosovës, të cilët i dërgojnë deri nga 20 deputetë, e që pastaj ata janë hartues të “politikave të mëdha”, derisa regjionet tjera duhet të vetëkënaqen me përfaqësim minoritar. Gjatë gjithë këtij mandati legjislativ dhe po ashtu edhe të atij të kaluarit nuk kemi parë as një iniciativë të vetme për reformën zgjedhore, e cila do nënkuptonte që vendi të ndahej në shumë zona zgjedhore. A thua vallë kanë marrë hapa regresiv vendet e rajonit dhe të Evropës, kur i kanë ndarë vendet e tyre në shumë zona zgjedhore, duke e decentralizuar tej mase udhëheqjen lokale ? Medoemos që tek ne ka një “marrëveshje” ndërmjet këtyre regjioneve që të mos ketë reformë në këtë drejtim, meqë nuk iu konvenon që të kenë përfaqësim në saje të numrit të banorëve që i kanë sepse do binte numri i deputetëve për ta.

Një shqetësim i tillë është edhe tek banorët e Krahinës heroike të Lumës, pjesa në Kosovë (Zhuri, Vërmica, Dobrushti, Shkoza, Muradema, Poslishti dhe Kobi), të cilat janë nën ombrellën e Degës së Zhurit, si fshati më i madh në nivel Republike. Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, nga kjo pjesë kufitare me Shqipërinë, nuk do ketë asnjë nominim për kandidat për deputet, nga asnjëri koalicion apo parti politike. Kjo vije ndoshta se edhe pse me figura të shquara të shkencës e intelektit dhe po ashtu edhe me numër të madh të votuesve, veçse pse nuk ka individë të “fortë” në qendër, nuk ka arritur të dërgojë asnjë përfaqësues. Sipas kësaj logjike edhe banorët e këtij rrethi, një pjesë e të cilëve jetojnë edhe në Prizren, duhet ti bojkotojnë zgjedhjet, meqë ata nuk janë të rëndësishëm për subjektet politike.

Nëse ndërlidhemi se pse do duhej të kishte kandidat tek partitë e krahut të luftës nga kjo krahinë, përveç kontribuuesve dhe dëshmorëve, kjo krahinë i dha Kosovës Komandantin e Parë të Zonës Operative të Pashtrikut, Remzi Ademaj-Petrit Kodra. Po ashtu, arsyeja se pse do duhej të kishte kandidat në rradhët e partive të grupuara në frymën rugoviste, duhet ta kenë parasysh se në këtë krahinë kishte dhe ka LDK-istë të orëve të para. Nëse shkojmë edhe më thellë në retrospektivë, duke tejkaluar kufijtë partiakë, në këtë pjesë, konkretisht në Qafën e Zhurit, u zhvilluan betejat e përgjakshme dhe heroike të Lumës ndaj pushtuesit serb, në vitet 1912-1915, ku ranë mbi 13 mijë forca serbe, e njohur tanimë nga të gjithë dhe e vënë në vendin ku e meriton nga ish-kryeministri shqiptar Dr.Sali Berisha. Me pak fjalë në këtë pjesë të vendit qëndroi dhe bëri plane çlirimtare e veproi edhe figura e madhe e kombit, Hasan Prishtina.

Mos të harrojmë, që fshatrat e kësaj pjese iu është premtuar qe disa vite që do i formojnë në një komunë, por për shkak të arsyeve elektorale ekziston edhe një arsye tjetër. Në momentin kur kjo pjesë të shndërrohet në Komunë, pasi që edhe i plotëson të gjitha kushtet si për nga numri i banorëve, por edhe për posedim të institucioneve lokale vetëqeverisëse, do të jetë komunë kufitare dhe si e tillë një pjesë e të hyrave në vendkalimin Morinë-Vërmicë do i takojnë kësaj komune, e jo komunës së Prizrenit. Tendencat e sistemit në Shqipëri për ta minimizuar emrin e Krahinës së Lumës, duke e zëvendësuar me emrin Rrethi i Kukësit, gjatë kohës së ish-sistemit, për shkak të të kaluarës së lavdishme të kësaj pjese, po vërehen edhe në Kosovë. Derisa nuk do të ketë një sistem me shumë zona zgjedhore, si Luma, si Prizreni, por edhe të gjithë vendet e tjera do të mbesin nën hijen e 2-3 regjioneve nga vijnë partitë e mëdha, e të vetëkënaqen me përfaqësim minoritar apo edhe të mbesin fare pa përfaqësim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button