ANALIZË: Vlerësimi ekstern në Maqedoni – nën thikë!

Testimi ekstern – para heqjes. Reagime të fuqishme shkaktoi paralajmërimi se LSDM-ja do ta heqë këtë model pas katër vitesh përdorimi. Propozim-ndryshimet e ligjit për arsim fillor dhe të mesëm tashmë janë dorëzuar në Kuvend. Nga shumica parlamentare shpresojnë se ndryshimet do ta kalojnë filtrin kuvendor së shpejti që të mund me kohë të anulohet procesi i sivjetmë i testimit ekstrën, shkruan analiza javore e Portalb.mk. Këtë model e futi në përdorim pushteti në largim me arsyetimin se në këtë mënyrë do të përforcohet kontrolli i njohurive dhe i notimit të arsimtarëve, mirëpo sipas ekspertëve, ministrave të mëparshëm të arsimit, ky koncept u shndërrua në “shpërblim-dënim” edhe për njërën edhe për palën tjetër.

Heqja e testimit ekstern – hap përpara apo mbrapa? 

Propozim-ndryshimet e ligjit për arsim fillor dhe të mesëm arritën në Kuvend. LSDM-ja propozoi heqjen e testimit ekstern, premtim ky që ishte dhënë dhe që ishte përfshirë në programin e partisë. Modeli, i cili sipas pushtetit të deritanishëm, duhej ta përmirësojë arsimin në mënyrë cilësore, u shndërrua në koncept për presion dhe frikë te arsimtarët dhe nxënësit, komentojnë një pjesë e ministrave të mëparshëm të arsimit.

“Mendoj se qëllimi nuk ishte strategjik, e aq më pak për përmirësimin e cilësisë së arsimit, prandaj nuk mund të jap ndonjë kualifikim në këtë aspekt. Kjo masë, sikurse edhe të tjerat, u fut për nevojat e politikës ditore, për kontroll të arsimtarëve si trup votues. Në vendet evropiane ka modele të ndryshme, mirëpo më të suksesshme, gjithnjë janë metodat stimuluese, investimet në metoda dhe modele të reja, sipas nevojave të shoqërisë. Mirëpo edhe praktikat më të mira evropiane do të dështojnë nëse keqpërdoren, gjegjësisht kur nuk ka tokë të pastër dhe të pëlleshme për zhvillim” – komenton për Portalb.mk njëri nga ministrat e mëparshëm për arsim, Sulejman Rushiti.

Propozuesi i ndryshimeve, LSDM-ja tashmë e ka dorëzuar iniciativën në Parlament. Nga partia presin që ndryshimet të miratohen me procedurë të shkurtuar që të mund që nga ky vit shkollor të hiqet testimi ekstern i nxënësve të shkollimit fillor dhe të mesëm.

“Ky i ashtuquajtur projekt, dha rezultate negative, në vend që të ndikojë në përmirësimin e procesit arsimor. Qeveria e re dhe shumica e re parlamentare do ta bëjë krejt të kundërtën – ajo është e përcaktuar me vendosmëri që të punojë në zgjidhje që do të kontribuojnë për arsim cilësor, që do të prodhojë kuadro të afta dhe profesionale. Do të punojmë, siç theksuam, jo nëpërmjet dënimit, por sipas parimit të shpërblimeve. Kështu do t’i motivojmë nxënësit, arsimtarët dhe profesorët, shkollat që të angazhohen për rezultate në arsim, si segment i rëndësishëm nëpërmjet të të cilit do të zhvillohet edhe shoqëria në të cilën jetojmë” – deklaroi Stefan Bogoev, kryetar i RSDM-së dhe deputet në Kuvend, njofton Portalb.mk.

Një pjesë e shkencëtarëve thonë se edhe pas disa vitesh që kur u fut në përdorim notimi ekstern, nuk ka analizë konkrete se çfarë efektesh ka dhënë ky model.

“Disa nga sanksionet që janë paraparë për arsimtarët janë të pakuptimta, siç është vënia e notave jokaluese në dëftesat përfundimtare, ndërsa disa të tjera ishin drastike, siç ishte paraparë largimi nga puna i arsimtarëve duke u bazuar në dallimin ndërmjet notave të nxënësve nga notimi i vazhdueshëm dhe ai ekstern. Programi për testim ekstern u fut në përdorim krejtësisht në kundërshtim me rrjedhat e zhvillimit të arsimit tonë dhe të bazave të tij. As që ka pasur përmirësime deri tani, e as që mund të priten përmirësime në të ardhmen” – komenton për Portalb.mk profesori universitar dhe ish-ministri i arsimit, Nenad Novkovski.

Profesori Rushiti konsideron se modeli i notimit ekstern duhet të hiqet krejtësisht dhe arsimi të depolitizohet.

“Mendoj se duhet të hiqet dhe në pakon e plotë të reformës së arsimit të implementohen modele që do të jenë kompatibile dhe me qëllim të përmirësimit të procesit, e jo të kontrollit të kuadrit arsimor nga ana e politikës. Mendoj se në arsim ka shumëçka për t’u ndryshuar, mirëpo si e para dhe më e rëndësishme është të ndryshohet politika në lidhje me arsimin. Mendoj se ka shumë për t’u investuar edhe në harduer edhe në softuer. Më e rëndësishme është të bëhet departizimi i arsimit, të inkurajohen të gjithë ekspertët që të krijohet një strategji autentike, gjithsesi, duke i marrë parasysh qëllimet strategjike, mirëpo edhe duke bërë krahasime me vende të ngjashme sikurse i yni, të cilët e kanë kaluar rrugën që duhet ta bëjmë ne” – thotë për Portalb.mk profesori Rushiti.

Pushteti në largim e futi notimin ekstern me arsyetim se qëllimi është të vlerësohet se sa objektivisht arsimtarët i vlerësojnë njohuritë e nxënësve. Zgjidhjet aktuale ligjore parashohin dënime dhe shpërblime për arsimtarët, që kanë dallim më të madh, gjegjësisht më të vogël ndërmjet notës së testit dhe notës që e ka marrë nxënësi gjatë mësimit. Pas paralajmërimit për heqjen e testit ekstern reagoi edhe VMRO-DPMNE-ja.

“Qëllimi i LSD-së për ta hequr testimin ekstern nuk është reforma, por antireforma. Qëllimi i LSD-së për ta hequr testimin ekstern është lajkatimi ndaj prindërve, të cilët konsiderohen vetëm si votues potencialë, e jo edhe si njerëz të cilëve shteti duhet t’u sigurojë arsim më të mirë për fëmijët e tyre dhe të jenë më të suksesshëm në jetë”, deklaroi zëvendës-ministri në qeverinë teknike, i cili tha se VMRO-DPMNE-ja e futi testimin ekstern si përgjigje ndaj një dukurie e cila filloi në periudhën e tranzicionit, dhe e cila u manifestua me dhënien masive të notave të larta, pa u siguruar se nxënësi i ka fituar njohuritë e mjaftueshme për një notë të tillë” – konsideron Spiro Ristovski nga VMRO-DPMNE-ja.

Në vitin 2014 u tentua që të futet testimi ekstern edhe në arsimin e lartë, mirëpo pasuan protesta të mëdha të studentëve, të cilëve iu bashkangjitën edhe profesorët.

“Kjo do ta kufizojë të drejtën e arsimit, e drejtë kjo e cila është e mbrojtur me nenin 44 të Kushtetutës”, i shkruan atëherë studentët ministrit të arsimit, Abdylaqim Ademi, njofton Portalb.mk. Pushteti u tërhoq nga tentimi për ta futur testimin ekstern edhe në arsimin e lartë, mirëpo koncepti mbeti në fuqi për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

3 thoughts on “ANALIZË: Vlerësimi ekstern në Maqedoni – nën thikë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP