NETVE TË FTOHTA

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

NETVE TË FTOHTA

Shkupjanët thonë se dimër më të madh nuk mbajnë në mend. Kështu, gjithmonë thuhet. Po ky dimër me të vërtetë ka qenë jashtë asaj që e pret njeriu. Ngrihen dritaret dhe fryma para hunde. Fusha e gjerë është mbuluar trash me borë, fusha nëpër të cilën vonohen trenat dhe ku dridhen të varfrit. Qytetit i rri mbi kokë Mali i Krojeve me gunën e saj prej bore, kurse syrit i përhihet se Mali i Zi i Shkupit dhe Lubeteni e bëjnë një mur të vetëm, së bashku.
Ndërkaq ne ngrohemi pranë mangallit në kafenenë “Kristal” dhe pimë raki. Tre tregtarë,  një këpucëtar, një pajtonxhi dhe unë. Kostë kafexhiu qëndron para banakut dhe sjell meze: lakra të tharta dhe speca të imtë të tharët. I vetmi jam unë që ende pi me gotë. Ata të tjerët janë njerëz shtëpiarë, gjithçka e kanë me masë. Secili e ka shishen e vet prej njëqind dërhemësh, e pi dhe shkon në shtëpi. Po qe i disponuar helbete, atëherë e porosit edhe një. Përreth nesh duken fuçitë, shekët, zorrët për verë dhe ajo era e thartirës të cilën e ndjen njeriu në të gjitha bodrumet. Vendi i Shaban Agait – zbrazët: ai fle me aksham. Jashtë kërcet nën këmbë ngrica dhe ndjehet vala e ftohtë që godet kur hapet dera.
Dhe, si njerëzit që janë plakur ose që po e ndjejnë se po plaken, ne i hallakasim kujtimet. Flasim për kohët e liga, për robërinë, për tiranët. Pastaj këpucëtari thotë:
– Tamaz Beu. E çfarë qeni ka qenë! Ne nuk kemi hequr aq shumë e s’kemi pasur aq dëme. Fshatarët, po. Ulej ai përfund atij vidhit atje, kurse qatipi shkruante se çka do t’i japin çifçinjtë në vjeshtë: kaq shinikë drithë, kaq misër… 
– Edhe kjo dardhë do ketë mjaft fruta, thotë Tamaz Beu. Shkruaj dyqind okë dardha.
– Aman bej! Po vidh është ky!
– Hesht mor pezeveng! Ti e ditke ç’është vidh! Kur them unë dardhë, dardhë është. Shkruaj dyqind okë! (Hiç më mirë nuk janë sjellë pushtetarët serbë ndaj shqiptarëve në kohën kur Jeliçi ka pirë raki në kafenetë e qyteteve shqiptare! Shën. i përkth.) 
Pastaj kur kishte shkuar në Bullaçan, paska hëngër e paska pirë e pastaj ç’të bëjë nga azgënllëku – shtiret si i vdekur, e jep urdhër që fshatarët ta mbajnë, kurse gratë e fshatit të shkojnë pas tij e të vajtojnë: “Prej pikëllimit për beun”.
Pastaj Hasan Potka: Si t’i hipish kalit – të rrahë pse i ke hipur, po t’i zbresësh, të rrahë pse i ke zbritur kalit (1)

– Dhe prapë e tyre se e tyre: me lira, me politikë (2).
Kurse pajtonxhiu rrëfen se çfarë kuajsh ka pasur dikur, kë ka vozitur dhe çfarë njerëzish ishin.
– Këta të sotmit? Jo, vëlla. E atëherë ishte se ç’ishte. Si rrufeja. Dhe kështu shkoj unë me pajton për në Kumanovë, kur një njeri me tesha arnauti. “Ndal!” tha. Me pushkë, e ishte syçelë. “Ec!”, tha. Pastaj e nxori një pagur me verë e më tha: “Serb je a çka je, merr e pi!” Dhe unë. Oho, komit, e pashë unë. – Dëgjo, zotëri. Deri në Kumanovë kokën e ke të sigurt, pastaj shiko se çka do të bësh”. Dhe e pyeta:
– Kush je ti, zotëri?
– Unë jam Mickoja nga Poreçi.
– A për Serbi shkon?
– Për Serbi.
– E, gjallë qenke, vojvoda Micko!
Dhe pajtonxhiu vazhdon:
– E çfarë njerëzish kishte dikur. E iku ajo kohë. Kështu do të shkojë kjo dynja. Zoti e di. Ih, çfarë njeriu ishte babai i Trajko Kratovaliut. Gjorgjeja. “Goge”, e thërritnim. Ishte efendi. E kishte gojën e ëmbël. Eh, kur shkonim në manastirin e Leshkës, pranë Tetovës (3) ! Mëngjes. Mjegulla është ngritur prej Lubetenit. Treska gumëzhin. Ne në qerre. Para kemi pula të pjekura dhe shishet me nga dyqind dërhemë (Për pulat e pjekura të lexohen shkrimet e Trockit lidhur me okupimet e tokave shqiptare nga ana e Serbisë në vitet 1912/1913, shën. i përkth.). E të këndosh…? Jo. Se po ia more këngës… Kuajt u bënë shkumë deri në Tetovë. Nuk i ndal kush. Kurse Gogeja këndonte. Kuku, nënë! Kuajt e shkretë nuk i shihje kur e kalojnë fushën e kur drejtohen kah manastiri.
Po ju, a s’e dëgjoni këtu edhe Mitkon dhe Kallçon?
Kështu e ka populli ynë. Kështu e ka populli ynë.

_______________________________________________________________________________
1 Shprehja shqiptare hip se të vrava, zbrit se të vrava
2 Si në mediumet e sotme serbe e maqedonase në të cilat trumbetohet se shqiptarët i kanë paratë dhe se e kontrollojnë politikën 
3 Nuk është hera e parë të politizohet ky manastir. Kjo është bërë gjithmonë, siç ndodh edhe sot.

LEXO PJESËN PARAPRAKE: PREJ GOSTIVARI DERI NË DIBËR

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button