OEMVP del me propozim kandidat për zëvendëskryeministër për çështje ekonomike

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në konferencën për shtyp që organizoi sot, përgëzoi Zoran Zaev për marrjen e mandatit për të formuar Qeverinë e Republikës së Maqedonisë.

OEMVP është e bindur se nën udhëheqjen vendimtare të qeverisë së re do të zgjidhen sfidat që janë para si dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet institucioneve, si një nxitje shtesë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët, i cili do të kontribuojë për një qasje konstruktive në forcimin e demokracisë në vend, dialogut politik dhe zgjidhjen e çështjeve kryesore të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Lidhur me ngjarjet politike në vendin tonë, OEMVP si përfaqësuese e komunitetit të biznesit nuk ka qëndruar indiferent dhe vazhdimisht ka reaguar në vendimet e pamatura politike, që cënonin direkt sundimin e ligjit, pa të cilin nuk mund të flasim për funksionim të shtetit e jo më për mundësinë e të bërit biznes.
Në këto kushte të krizës, biznesi kërkon stabilitet më të madh për biznesbërjen në vend. Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore nga qeveria e ardhshme ka kërkuar postin e zëvendëskryeministrit nga radhët e biznesit dhe të njëjtin e ka diskutuar edhe në takimet e realizuara me Zoran Zaev, në të cilat vazhdimisht ka theksuar pjesëmarrjen aktive të biznesit në pushtetin ekzekutiv dhe harmonizim të plotë të interesave të biznesit me politikat qeveritare. Pra, biznesi të ketë qasje në përgatitjen e ligjeve para se të kalojnë filtrat qeveritar dhe jo pasi ato të hyjnë në procedurë kuvendore.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Drejtues të OEMVP-së, me shumicë votash u zgjodh kanditati potencial për zëvendës kryeministër për çështje ekonomike, Nebi Hoxha, kryetari i OEMVP-së.
Me këtë pozitë në qeverinë e re OEMVP pret që të kontribuojë në përmirësimin e komunikimit të pushtetit ekzekutiv me sektorin e biznesit lidhur me problemet dhe dilemat e ndryshme që prekin punën e afaristëve.

OEMVP kërkon rritjen e pjesëmarrjes së komunitetit të biznesit në përgatitjen e legjislacionit dhe harmonizimi i ndryshimeve ligjore me kërkesat dhe nevojat e afaristëve dhe në mënyrë aktive biznesi të merr pjesë në kontrollin e politikave ekonomike qeveritare.

Ajo që nxiti komunitetin e biznesit dhe Odën për një iniciativë të këtillë është lodhja nga paqartësia e ambientit politik, mungesa e parave të gatshme në biznes dhe shumë probleme të tjera që vështirësojnë punën e afaristëve.
Andaj në konferencën sot, OEMVP vlerësoi se është koha që biznesi të jetë bashkëveprues në përpilimin dhe realizimin në praktikë të politikave ekonomike dhe zhvillimore të shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button