Quhet Kaltrinë Sadiki – mbajeni mend këtë emër

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Ishin do kohëra kur arti dhe kultura përgjithësisht gëzonin respektin e personaliteteve dhe institucioneve kulturore. Atëbotë, në çdo qytet lexohej “Rilindja” dhe pinjollët e saj: “Jeta e re”, “Fjala”, “Shkëndija”, “Zëri i rinisë”, “Bota e re”, “Kosovarja”…, që na ushqenin ditëpërditshëm me copëzat e mozaikut të shpirtit shqiptar.

Më kujtohen si sot shkrimet mbi artin dhe kulturën, shkrimet afirmative mbi veprat e arrira letrare, përkrahja dhe lansimi i emrave të krijuesve me talent të veçantë në eterin estetik…, ndaj përse të mos e bëjmë të njëjtën edhe sot, kur të tjerët e bënë në kohëra monizmash.

Po përmend me këtë rast serinë e shkrimeve të Ramiz Kelmendit – njërit prej doajenëve të publicistikës shqiptare, që botoheshin në rubrikën: Mbajeni mend këtë emër të të përjavshmes “Zëri i rinisë”, ku Ai shkruante me sens të pagabueshëm mbi talentët e artit, të cilët i përkrahte në fillimin e karierave, duke i bërë më të përgjegjshëm ndaj asaj që krijuan në kohërat e mëvonshme.

Në këtë pikë, pa pretenduar kurora lavdesh, them se jam përpjekur dhe unë të laj borxhin ndaj disa krijuesve të rinj, të cilëve ua kam zgjatur dorën në momentin kur kanë ndjerë nevojën e përkrahjes sime morale. Po e bëj këtë sot dhe me krijuesen e talentuar Kaltrinë Sadikin, që, para pak ditësh, përuroi veprën e parë me tregime të shkurtëra dhe me poezi: “Dëshirat varen në yje”.

Kaltrina është studente shembullore e Fakultetit të Filologjisë, drejtimi Gjuhë dhe letërsi shqipe, pranë Universitetit të Tetovës. Ajo shkruan poezi, tregime dhe ese me motive dhe temat që lidhen me fenomenet dhe botën e brezit të saj. Është pjesëmarrëse në konkurse letrare dhe fituese e disa shpërblimeve. Dëshmia e fundit e vlerës së krijimtarisë së Kaltrinës është çmimi i parë i fituar në Konkursin letrar të UT, me esenë: “Ai, më shumë se mësues – shpresë”.

Kaltrinë Sadiku është në kërkim të penës së ngjyer me bojën e haresë për të sajuar format e ylberta të mrekullisë së jetës. Ajo shkruan për qejfin e saj, për të thënë diçka të dobishme dhe të bukur, për ta shprehë atë që gjallon brenda kufijve të ndjenjave dhe fantazisë së bujshme, por të kontrolluar, e vetëdijshme se ajo që shkruhet një herë nuk kthehet dot më.

Pas leximit të librit të saj, mund të konstatohet pa ekzagjeruar, se befason talenti, imagjinata, sinqeriteti, bota e pasur shpirtërore, gjuha e thjeshtë poetiko-filozofike dhe e qëruar mangësishë, dora e lehtë e Kaltrinës, që qëndis vargje dhe tregime të shkurtëra mbi: mallin, shpresën, ëndrrat, dhembjen, vuajtjen, vetminë, dëshpërimin, pritjen, pendimin, mëkatet e pabëra, dashurinë e pamundur…

Krijimet e Kaltrinës kanë qysh sot vijat identitare, kanë frymën dhe kiminë që i bën të dallueshme prej krijimtarisë së të tjerëve, prej krijimtarisë së autorëve pararendës.

Kaltrina  ka aftësi zhbirimi në të pathëna delikate shpirti, nëpërmjet të cilave sfidon migjeniançe moralin, që, ndër ne, ka për shtyllë egoizmin dhe epërsinë e llastuar mashkullore.

Universiteti i Tetovës është me fat që Kaltrina është studente e tij, por akoma më shumë, që ajo nuk është krijuesja e vetme në mesin e studenteve të këtij institucioni. Kjo është shenjë e mirë dhe sinjal paralajmërues i epokës së krijueseve të talentuara, si: Emira Aliu, Blerona Brao, Valdete Dulahi, Nurie Emrullahu, Fatjona Abdullahi dhe disa të tjera, që ecin udhës së Linditë Ahmetit, mjeshtres së mirënjohur të vargut, pa një të dytë si vetvetja. Sigurisht, ato do ta ndryshojnë për të mirë imazhin e hapësirës ku rriten dhe ku skalisin identitetet prej krijuesesh.

Kaltrinë Sadiki është njëra prej luleve të veçanta të kësaj buqete krijuesesh të reja, ndaj, sigurisht, do t’ia dalë të realizojë një për një ëndrrat e saj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

One thought on “Quhet Kaltrinë Sadiki – mbajeni mend këtë emër

  1. …E thene nga mjeshtri i kritikes letrare…Duhet besuar me fund kete vlersim i cili publikohet pa qene i msitnuem nga hatrimet, akraballeku, interesi e te tjera si keto. Nje vlersim i tille na ben te etur akoma me shume ta ndjekim Kaltrinen ne horizontin qiellor kaltersisht nder mjegullat qe moti i vendos pa qejfin tone…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP