Shkodrane (politikane) mos e korit Shkodrën (luftëtaren)

Një trimëreshe e cila sfidoi edhe burrërinë e meshkujve si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni, duke mos zgjedhur se cilin armik e ka përballë. Quhej Shkodrane, por e ngritëm aq larët saqë e thirrnim shkurt Shkodra, e ndjenim si motër, si çlirimtare dhe si heroinë e vërtetë. Në fakt ashtu edhe ishte. Këto epitete asaj nuk ja dhamë ne, por ja dha guximi, trimëria dhe sakrifica e asaj vashës e cila la shoqet dhe begatitë e rinisë për tu radhitur krah për krah me burrat më të fuqishëm të kombit kundër armiqve më të egër të kohës. Por sot, gjithnjë e më shumë po bindem se intrigat dhe sherri i politikës janë më të rrezikshme se plumbi i armikut. Atë që se bënë as kriminelët më të mëdhenj të cilët nuk arritën në asnjë çast ta gjunjëzojnë e koritin luftëtaren SHKODRA, po duket që do t’ia arrijë politika. Ndoshta do të preket, po i them që unë jam prekur më shumë se ajo. Shkodra që e njihnim ne nuk ishte vetëm e familjes së saj, por ishte bija e gjithë kombit andaj dhe unë si të gjithë shqiptarët e tjerë marr të drejtën që Shkodranes së sotme, politikane, ti bëj një pyetje: Ku e le Shkodrën, çfarë i bëre asaj. E nderuara politikane, luftëtarja që njihnim ne nuk pranonte diskriminimin, shkeljen dhe nënçmimin e shqiptarëve. Për këtë qëllim ajo në moshë të re kapi edhe armën të luftojë. Shkodranja që shohim sot në televizor, disi është heshtur, por jo vetëm kaq, ajo edhe ka ndryshuar fjalorin duke u sjellë krejtësisht ndryshe nga Shkodra e vitit 2001. Pse heshti Shkodranja e sotme kur u rrahën gjatë një ndeshje futbolli të rinjtë shqiptarë, veçanërisht bashkëqytetarët e Shkodrës e cila po të ishte sot nuk do të heshte njëjtë. Do ët thoni ishte rrahje mes shqiptarëve, por kjo do ta trondiste edhe më shumë Shkodrën e vitit 2001. Ku ishte Shkodranja kur u rreh i riu i Sllupçanit në mes të Shkupit, po nga të rinjtë shqiptaër. Po të ishte sot SHKODRA e vitit 2001, nuk do të heshte para një rrahjes së këtillë me motive partiake. SHKODRA e vitit 2001 nuk i ndante e as nënçmonte shqiptarët sipas përkatësisë partiake dhe as nuk i jepte të drejtën vetes për t’i thënë dikujt se nuk është shqiptarë sepse i takon njërës apo një partie tjetër. Sot, Shkodranja politikane e bëri këtë, ofendoi vëllezërit dhe motrat e SHKODRES vetëm se ishin anëtarë dhe simpatizantë të një partie tjetër shqiptare. Ne mërgimtarët që vijnë nga zona në të cilën luftoi SHKODRA e vitit 2001, para veprimtarisë së saj përkulemi me shumë respekt. Andaj porosisim Shkodranen e sotme: Aman, mos na korit Shkodrën e vitit 2001, ajo ishte e kombit dhe jo e një partie….

Lajme të ngjashme

Back to top button