Mandati u dha, amnesti nuk ka!

17 Maji është ditë me rëndësi për këtë shtet. Është dita kur para dy vitesh një numër masiv i qytetarëve dolën në protesta për të kundërshtuar pushtetin e gjertanishëm i cili u zbulua se kishte përgjuar në mënyrë të kundërligjshme rreth 26.000 qytetarë dhe kishte bërë krime të rënda. Ato protesta kishin një laramani të paparë më herët në këtë shtet që ishte mësuar me dekada të njihte vetëm protesta mono-etnike, mono-politike ose mono-sociale. E mbaj mend shumë mirë fjalimin rrënqethës të dy përfaqësuesve të Plenumit Studentor ku qartazi i treguan problemet e tyre. Poashtu i mbaj mend fjalimet e përfaqësuesve të organizatave joqeveritare të cilët ishin lodhur me shkeljet pa fund të të drejtave të njeriut dhe kërkonin që mafia që udhëhiqte me shtetin të shkojë aty ku e ka vendin – në burg. Në ato protesta kishte përfaqësues që punojnë me grupe të margjinalizuara në aspektin social, që kërkonin më shumë drejtësi sociale. Në ato protesta ishin edhe shoqet e mia me bluza me fotografi nga sulmi shkatërues i vetëm para disa ditëve në Lagjen e Trimave në Kumanovë ku u shuan shumë jetë dhe u bënë shumë dëme materiale nga një pushtet që nuk i zgjidhte mjetet për të defokusuar vëmendjen dhe për të heshtur të vërtetetën. Në ato protesta secili protestonte për arsyet e veta dhe laramania e krijuar ishte vërtetë impresive. Ato protesta ishin fillimi i zgjimit qytetar që solli me tej deri tek Marrëveshja e Përzhinës dhe themelimi i Prokurorisë Publike Speciale.

Një vit më vonë protestohej përsëri nga shumë qytetarë, në protesta që asnjëherë nuk u bënë të dhunshme dhe që ishin poashtu laramane në shumë aspekte, atë etnik, social, politik, ekonomik. Protestohej me mllef kundër tentativës së turpshme për bllokadë totale ndaj punës së PSP nga ai i cili ende e mban titullin shef i këtij shteti. Ai, i cili vetëm disa orë pasi dje dha mandatin kërkoi amnesti për kriminelët që terrorizuan qytetarët me vite të tëra. Le të mos harrojmë që pikërisht tentativa e tij për të amnistuar në mënyrë arbitrare krimin i zgjoi qytetarët e këtij vendi të cilët me muaj të tërë protestuan dhe kërkuan drejtësi. Ato protesta sollën deri tek Marrëveshja e Dytë e Përzhinës e cila përshpejtoi procesin zgjedhor nga rezultatet e të cilit erdhi deri tek formimi i një shumice të re parlamentare.

Ka dy vite që shumë njerëz u bashkuan në një veprim me një qëllim të vetëm: t’i thuhet JO! një regjimi autoritar i cili sundonte në mënyrë kriminale dhe përkrahej pa kushte nga bashkëqeverisësit shqiptarë në pushtet. Ky nuk ishte një proces i lehtë dhe kërkoi shumë energji dhe përkushtim. Por njëherit, ky ishte një process që zgjoi vetëdijen qytetare të shumë njerëzve në këtë shtet të cilët e mundën armikun e tyre kryesor: heshtjen. Pasi heshtja dhe konformizmi u mundën nga shumë njerëz, procesi i pakthyeshëm dhe i pandalshëm i vetëdijësimit filloi. Ai proces vazhdon, dhe tani është shndëruar në bazë të shëndoshë kritike e cila nuk do të rrijë duarkryq kur cilido pushtet i ri do të tentojë të shndërohet në regjim autoritar.

Përmes këtij procesi të zgjimit qytetar, poashtu përmes ndihmës së pakontestueshme dhe inkurajuese të dhënë nga faktori ndërkombëtar si dhe përmes rolit konstruktiv që luajti opozita e cila ishte udhëheqësja kryesore e procesit të demaskimit të mënyrës fashiste të qeverisjes se gjertanishme, erdhëm deri tek 17 Maji i këtij viti kur pas shumë përpjekjeve për të ruajtur proceset ligjore dhe kushtetuese gjatë transferit të pushtetit, ai që shërben si shef shteti vendosi më në fund të kryejë detyrën e tij dhe t’i jape mandatin shumicës së re parlamentare për të krijuar qeverinë. Si qytetarë të këtij vendi mendoj që kjo është një arritje e madhe me të cilën mund të krenohemi. Të krenohemi dhe të marrim frymë lirshëm për disa momente. Të marrim frymë lirshëm dhe t’i kujtojmë të gjitha momentet kur gjithçka dukej e pamundur dhe kur lodhja ishte më e fuqishme se ne. Lodhja dhe zhgënjimi sulmonin nga të gjitha anët, por ne arritëm të gjejmë energji dhe të ecim përëara. Dhe sot mund të krenohemi me këtë.

Ata që mërziten se gjatë dhënies së garancive edhe ashtu të panevojshme me qëllim të marrjes së mandatit paskan pësuar shqiptarët dhe Kërkesa e tyre e përbashkët duhet të dijnë se proceset që tani më kanë filluar nuk mund të kthehen prapa. Kërkesat e shqiptarëve në këtë vend asnjëherë nuk e kanë cënuar integritetin tritorial dhe sovranitetin e këtij shteti, prandaj shqiptarët nuk kanë pse mërziten se mund t’u pamundësohet realizimi i kërkesave të tyre. Kërkesat tona do të realizohen aq sa neve do të jemi të sinqertë dhe këmbëngulës në punën për këtë realizim. Tani që ndryshimet kanë filluar dhe vetëdija qytetare është rritur, tani që ekziston shansi për të ndërtuar një shoqëri ku së pari të drejtat fundamentale të njeriut do të respektohen, është shumë më lehtë të implementohen të drejtat kolektive të një etniteti i cili deri tani këto të drejta i kishte në letër por jo edhe në realitet.

Sa i përket amnestisë: tentativa për vrasje nuk amnistohet. As sulmi terrorist ndaj institucioneve më të larta të shtetit nuk amnistohet. Krimi i organizuar dhe korrupsioni assesi nuk amnistohen. Falja e këtyre veprave dërgon mesazhin më të gabuar tek qytetarët i cili thotë se ato vepra do të vazhdojnë të tolerohen dhe përgjegësi penale për to nuk do të ketë. Këtë nuk ka të drejtë e as mandat ta bëjë qeveria e re e as parlamenti dhe këtë nuk do e lejojnë qytetarët që për dy vite kërkojnë me ngulm bartjen e përgjegjësisë për veprat e kryera. Pa një përgjegjësi të tillë procesi i pajtimit është thjeshtë i pamundur. Ai process i patjtimit kërkon bartjen e përgjegjësise edhe brenda partive që deri tani kanë udhëhequr me këtë shtet. Këto parti, e veçanërisht BDI e cila do të jetë edhe në qeverinë e ardhshme, duhet të kalojnë vullnetarisht në një proces të reformimit dhe bartjes së përgjegjësisë nga anëtarët që kanë qenë pjesëtarë në krimet e bëra në qeverisjen e kaluar. Pa atë proces reforma nuk do të jetë e plotë, ndërsa pajtimi dhe ecja përpara nuk do të jenë të mundura.

A do të na zhgënjejë qeveria? Sigurisht që po! E cila qeveri nuk i ka zhgënjyer qytetarët deri tani? Ajo do të na zhgënjejë aq sa do e lejojmë ne. Qytetarët që kanë përjetuar zgjim të vetëdijes së tyre kanë prag të ulët të tolerances për gabimet e qeverisë së re dhe mund të identifikojnë shumë më shpejtë shenjat e autoritarizmit dhe keqpërdorimeve. Prandaj reagimi do të jetë i shpejtë dhe i vrullshëm pas çdo gabimi të cilin do ta bëjë qeveria e re.

Poashtu, zgjimi i vetëdijes qytetare do të mundësojë që të identifikohen më shpejtë edhe praktikat e mira dhe të suksesshme për implementimin e asaj që është premtuar, veçanërisht në krahasim me qeverisjen e gjertanishme. Thejshtë dallimet bëhen më mire nga njerëz që shohin më qartë dhe me mendje të kthjellur e të hapur.

Koha për ndryshime është këtu. Është koha për të bartur përgjegjësi për të kaluarën dhe për të dhënë llogri për të ardhmen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button