Analizë: Si e ndërroi mendjen Gjorge Ivanov për dhënien e mandatit?

Pasi VMRO-DPMNE nuk arriti që të formojë Qeveri me BDI-në, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, refuzoi që t’ia japë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, si lider i partisë e cila u radhit e dyta sipas numrit të deputetëve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016, shkruan Portalb.mk.

Ivanov, me një deklaratë skandaloze më 1 mars të këtij viti, deklaroi se nuk do t’ia japë mandatin Zaevit pasi që ai e ka pranuar “Platformën e Tiranës” e cila siç tha ai, është e përgatitur në vend të huaj dhe u shërben interesave të huaja. Ndaj këtij vendimi, pati reagime të ashpra nga partitë politike, por edhe faktori ndërkombëtarë.

Kjo deklaratë ishte e ngjashme me po atë të bashkëpartiakut të tij, Nikolla Gruevski, i cili pasi nuk arriti të bëjë koalicion me partinë e Ali Ahmetit, iu vërsul LSDM-së, se e ka pranuar Deklaratën e partive shqiptare, e cila parasheh barazi të të gjithë qytetarëve në Maqedoni.

Portalb.mk ua sjellë në kronologji ndodhitë në lidhje me qëndrimin e Ivanovit për mandatin:

Valën e reagimeve e filloi eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, i cili tha se “të gjithë së bashku me Ivanovin duhet ta respektojnë rezultatin zgjedhor”.

Menjëherë pas Hanit, kanë reaguar shumica e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadat në vend, partitë politike, organizatat joqeveritare, njohësit e çështjeve politike, por edhe qytetarët. Megjithatë – Ivanov i palëkundur, vazhdimisht thoshte se nuk e jep mandatin.

2 mars

Vizita e parë pas deklaratës së Ivanovit që nuk do ta japë mandatin ishte e përfaqësues së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini më 2 mars, e cila pas takimit me presidentin dhe partitë politike qartë tha se “Ivanov të mos e shkel Kushtetutën dhe ta japë mandatin”. Ivanov as pas kësaj vizite nuk reagoi.

7 mars

Derisa vazhdonte rrjedha e reagimeve, më 7 mars, presidenti Ivanov ua ka dërguar një letër anëtarëve të Këshillit Evropian, kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tust, sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe deri te kryetari i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, me qëllim që të njëjtat “ta hedhin poshtë Platformën e Tiranës” i cilësuar nga Ivanov si ultimatues dhe shantazhues. Ndërkomëbtarët nuk iu përgjigjën pozitivisht Ivanovit, por megjithatë ai nuk ndërroi prapë mendje.

9 mars

Një reagim tjetër i Ivanovit ishte më 9 mars, ku gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanier, prapë e deklaroi qëndrimin e tij të njëjtë – nuk e jap mandatin.

10-13 mars

Një ditë pas saj, Zoran Zaev më 10 mars, para qytetarëve e prezantoi programin e ri të Qeverisë së ardhshme, ku bëri thirrje deri te Ivanov se kushtet për dhënien e mandatit janë plotësuar dhe se programi në fjalë nuk e cenon sovranitetin, unitaritetin dhe stabilitetin e Maqedonisë, ashtu siç pretendonte Ivanov. Pas 3 ditësh, më 13 mars, ka reaguar Ivanov përsëri me të njëjtën përgjigje – nuk janë plotësuar kushtet për dhënien e mandatit.

21 mars

21 mars, Maqedoninë e vizitoi eurokomesari Han për të dytën herë për t’i përsëritur deklaratat e Bashkimit Evropian në lidhje me dhënien e mandatit. Ivanov e refuzoi takimin me Hanin dhe të njëjtit i rekomandoi që të takohet me protestuesit e “Për Maqedoni të përbashkët”. Refuzimi i këtillë i Ivanovit u cilësua si skandaloz. Han i përsëriti qëndrimet, por Ivanov përsëri nuk “dëgjoi”.

4 prill

4 prill, në Maqedoni arriti presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili pati me ton më të “butë” i tha Ivanovit që “kjo krizë e vazhduar politike, e bllokon vendin tuaj në rrugën drejt euro-integrimit”. Megjithatë, Ivanov vazhdoi me qëndrimin e njëjtë – nuk e jap mandatin.

15 prill

Derisa gjithandej, nuk ndaleshin reagimet për vendimin skandaloz të Ivanovit, ky i fundit në një intervistë për “Viner Cajtung” më 15 prill, përveç që sërish e kumtoi qëndrimin e tij se nuk e jep mandatin, ai gjithashtu liderin e opozitës, Zoran Zaev e kërcënoi me burg.

17 prill

17 prill, në një intervistë për “Globus” ai përsëri tha se nuk do ta japë mandatin, duke thënë se “realizimi i Platformës Shqiptare do të paraqiste një fazë të re kalimtare për Maqedoninë dhe se realizimi i po të njëjtës do të nënkuptonte formim të një shteti të ri shqiptarë”.

18 prill

18 prill, ish shefi i Qeverisë dhe ish ministri i Punëve të Jashtme, Carl Bild e vizitoi Maqedoninë, ndërkaq presidenti Ivanov, refuzoi të takohet me të. Bild tha se Ivanov duhet ta ndajë mandatin Ivanovi, ndërkaq nga kabineti i presidentit than se “Bildt ka qasje jo-objektive ndaj gjendjes së brendshme politike në Maqedoni, por edhe përpiqet që drejtpërdrejt të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë”.

26 prill

Deklarata e radhës se “nuk e jep mandatin” ishte më 26 prill, i cili i përsëriti të njëjtat arsye – Platforma e Tiranës.

27 prill

27 prill, u zgjodh për kryetar të Kuvendit, Talat Xhaferi nga shumica parlamentare. Pas këtij akti, protestuesit e “Për Maqedoni të përbashkët” të cilët u ndihmuan nga disa deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe pjesëtarët e policisë të cilët ishin në udhëhqjen e bashkëpartiakut Mitko Çavkov, dhunshëm u futën në Kuvend, ku rrahën deputetë, gazetarë dhe demoluan gjithçka që pati brenda. Ivanov në atë mbrëmje doli me një deklaratë ku i ftoi të gjithë liderët e partive që të shkojnë në kabinetin e tij për “t’u marrë vesh që të stabilizohet situata”. Deklarata e këtillë u kuptua si zbutje e fjalorit të tij në lidhje me çështjen e dhënies së mandatit.

1 maj

1 maj, në Shkup ka arritur zëvendës ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Hojt Brajan Ji, I cili pas takimeve me partitë politike parlamentare dhe presidentin Gjorge Ivanov, deklaroi se SHBA nuk sheh ndonjë arsye që shumica e re parlamentare të mos merr mundësi për formimin e Qeverisë. Ivanov kërkoi ndihmë nga ndërkombëtarët, megjithatë nuk dha përgjigje konkrete për mandatin.

4 maj

4 maj, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, me shkrim e ka njoftuar presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov se është formuar shumicë parlamentare dhe është zgjedhur kryetar i Kuvendit, ndërkaq presidenti kishte afat që deri më 19 maj ta ndajë mandatin.

17 maj

Reagimet dhe thirrjet për ta dhënë mandatin nuk kanë ndaluar deri sot më 17 maj 2017, kur në mailet e mediave arriti kumtesa se Ivanov në ora 12:00 e fton Zaevin që t’ia japë mandatin. Zaev e mori mandatin, paralajmëroi formim të shpejtë të Qeverisë.

Rikujtojmë se ky nuk është vendimi i vetëm skandaloz i presidentit Ivanov. Ai vitin e kaluar i fali 56 funksionarë të dyshuar për krime të rënda, vendim i cili gjithashtu hasi në reagime të ashpra nga faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtarë. Njëjtë si tani, edhe vjet Ivanov e tërhoqi vendimin për falje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button