Reagimi i mediave serbe pas koalicionit PDK-AAK-Nisma

Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka ngjallur reagime edhe në mediat serbe.

Blici serb ka raportuar se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është kandidat për kryeministër duke shtuar se ende vazhdon të jetë i akuzuar nga Serbia për krime lufte, transmeton Lajmi.net.

Njësoj kanë raportuar edhe Tanjug dhe B92, “Ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj të cilin Serbia po e akuzon për krime lufte do të jetë kandidat për kryeministër i koalicionit të përbërë nga PDK-AAK-Nisma”.

Kujtojmë se Haradinaj nuk është aspak i dëshiruar nga Serbia, madje kjo e fundit e sheh si një kërcënim.

Zgjedhjet nacionale në Kosovë pritet të mbahen më 11 qershor.

Që nga dje skena politike kosovare duket se është ndarë në dy blloqe të mëdha. “Krahu i luftës” është bashkuar në njërën anë, duke lidhur një koalicion të gjerë mes partive PDK-AAK-Nisma.

Atyre do t’u prijë si kandidat për kryeministër Ramush Haradinaj. Kurse në anën tjetër janë rreshtuar partitë e “paqes”, LDK-ja, AKR-ja dhe “Alternativa”.

Koalicioni i madh mes PDK-së, AAK-së dhe “Nismës” është arritur pak minuta para se të përfundojë afati zyrtar i KQZ-së për lidhjen e koalicioneve parazgjedhore. Përveç koalicionit me AAK-në dhe Nismën, PDK-ja ka arritur marrëveshje edhe me shtatë parti të tjera të vogla.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë dy marrëveshje, të cilat ata besojnë se do të jenë të rëndësishme për fatin e zgjedhjeve, ai me AKR-në e Behgjet Pacollit dhe “Alternativën”.

Partia e vetme e cila ka vendosur t’i hyjë e vetme kësaj gare zgjedhore ka mbetur lëvizja “Vetëvendosje”. Kjo parti deri në orën e përcaktuar nga KQZ-ja nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për koalicion.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button