Prindërit të mos i marrin fëmijët në mitingje

Pas alarmimit se fëmijët keqpërdoren dhe involvohen në fushatat e partive politike, Civil-Media takoi zëvendësen e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska Mustafa.  Ajo na konfirmoi se fëmijët nuk guxojnë të jenë pjesë e aktiviteteve gjatë fushatës politike.

“Ne e përcjellim situatën dhe sipas asaj që e kemi parë, këta fëmijë dalin me prindërit e tyre. Ne si institucion nuk mund të bëjmë asgjë përpos të bëjmë apel që prindërit të përmbahen dhe të mos i keqpërdorin fëmijët për qëllimet e tyre partiake dhe politike. Ata janë fëmijë dhe nuk kanë qëndrim të krijuar për të bërë tifo për ndonjë parti”, tha Bajramovska-Mustafa.

Deri më sot, tek Avokati i Popullit nuk ka arritur ndonjë ankesë për keqpërdorim të fëmijëve në fushatë. Por, qytetarët janë ankuar në lidhje me atë se mungojnë në Listën e Zgjedhësve, agjitim nga partitë politike, ngjitje të posterave në muret e shtëpive private.

Avokati i Popullit, në prag të fushatës së zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, u bëri apel të gjithë faktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor për nevojën e domosdoshme për mbajtjen llogari për interesin më të mirë të fëmijës, përkatësisht që të mos i involvojnë fëmijët në fushata zgjedhore. Kjo do të thotë shmangie nga të gjitha përpjekjet për manipulime eventuale, si dhe keqpërdorim të fëmijëve për qëllime politike ose partiake. Në zgjedhjet e kaluara ka pasur raste ku fëmijët janë shfrytëzuar në ngjarje politike, spote dhe bilborde.

Lajme të ngjashme

Back to top button