Pas organizimit të dhunës, “patriotët” arsyetohen se nuk kërkojnë asgjë jashtë sistemit juridik

E ashtuquajtura iniciativë qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” që më 27 prill të këtij viti hyri dhunshëm në Kuvendin e Maqedonisë ku rrahu gazetarë dhe deputetë, sot në Gjykatën Kushtetuese kanë dorëzuar iniciativë për deklarimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit, njofton Portalb.mk.

Njëri nga udhëheqësit e iniciativës, të cilët janë të afërt me VMRO-DPMNE-në, Bogdan Ilievski tha se “ka disa iniciativa për t’u vlerësuar kushtetutshmëria e zgjedhjes së Talat Xhaferit”.

“Ky është fillimi ka instanca tjera në të cilat do të drejtohemi në rast se Gjykata Kushtetuese shpallet si jo-kompetente. Po përgatisim edhe një padi të madhe, kundër shumë aktorëve politik nga tre vitet e fundit në të cilën do të përfshihet shumë material, ndërkaq përveç juristëve me të cilët disponojmë, do të kyçen edhe sociologë, psikologë, filozofë dhe historian. Luftën juridike patjetër duhet ta kërkojmë, pasi që asgjë nuk kërkojmë jashtë të drejtës dhe sistemit juridik”, shtoi Ilievski.

Ilievski është njëri nga organizatorët e dhunës së 27 prillit në Kuvend. Ai ëhstë person i afërt me strukturën udhëheqëse të VMRO-DPMNE-së dhe pas dhunë snë Kuvend janë shfaqur disa fotografi ku në mesin e tyre edhe në selinë e VMRO-DPMNE-së, por edhe me funksionarë të kësaj partie.

Ai për dhunuesit tha se “nuk i njeh, pasi që kanë qenë me maska në kokë, përveç sulmuesit të deputetes, Radmilla Sheqerinska”.

Edhe pse u rrezikuan jetët e deputetëve dhe gazetarëve dhe u demolua gjithçka në Kuvend, ai nuk ndjen përgjegjësi për dhunën dhe huliganët i quan “qytetarë paqedashës që nuk kanë dashur të sulmojnë askënd”.

Pas kësaj deklarate të Ilievskit, gjithandej u shpërnda një fotografi ku Ilievski bisedon me njësitet speciale në çastet kur turma kishte vërshuar Kuvendin.

Bogdan Ilievski

Iniciativa Masa Kritike (IMK) ka ngritur peticion për hetim të Bogdan Ilievskit, Igor Durllovskit dhe Boris Damovskit si organizatorë të protestave, transmeton Portalb.mk.

Policia gjatë natës së 27 prillit është akuzuar se nuk ka vepruar në mënyrë profesionale për t’i ndaluar protestuesit që të futen në Kuvend. Shumë persona, akuzuan se policia nën direktivat e Mitko Çavkovit të VMRO-DPMNE-së, qëllimisht i ka lejuar që t’i rrahin pjesëtarët e shumicës parlamentare. Sipas disa video-inçizmeve, disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, protestuesve ua kanë hapur dyert për t’u futur brenda, ndërkaq policia nuk ka intervenuar për atë.

Nga ana tjetër ka shumë kritika për Prokurorinë Themelore Publike të Marko Zvërlevskit i cili cilësohet si bashkëpunëtor i Nikolla Gruevskit, e cila edhe pse ka mjaft dëshmi dhe inçizime nuk e ka parë të arsyeshme t’i arrestojë organizatorët e dhunës.

MPB-ja në krye me Agim Nuhiun disa herë ka paralajmëruar se ekzistojnë prova se kush i ka dirigjuar dhe udhëhequr protestuesit, por edhe se kush i ka hapur dyert e Kuvendit që demonstruesit të papenguar të futen brenda, megjithatë Prokuroria nuk ka reaguar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button