Ahmeti nga Kërçova: Kudo që shkojmë lumenj njerëzish na presin

BDI sonte prezantoi para banorëve të Kërçovës kandidatët për deputetë të Njësisë Zgjedhore nr. 5 dhe shpalosi platformën e saj politike.

“Vetëm votuesi vendos se kush do të drejtojë legjislativin dhe ekzekutivin. Nuk vendosin bodrumet e as marrëveshjet e fshehta e tinëzare. Ne partneritet kemi me votuesit shqiptarë të Maqedonisë. BDI prej ciklit në cikël ka dalë edhe më e fortë, më e organizuar dhe kësaj radhe si asnjëherë më parë jemi më të fortë.”, tha Ahmeti.

“Pse shqiptarët votuan dhe votojnë BDI-në, sepse i hoqëm qafe shtypjet, diskriminimin, majorizimin, vuajtjet, frikën. Një fëmijë po të shihte një person të uniformuar në rrugë, neveritej. Sot djemtë tanë të uniformuar kujdesen për sigurinë tonë. Sot administrata punon për t’ju shërbyer bashkëkombësve të tyre. Të gjitha institucionet e larta janë në shërbim të bashkëkombësve. Shqiptarët dinë të bëjnë krahasim, si ishte dje dhe si është sot dhe duke bërë këtë krahasim ndryshimi është si ‘dita me natën. A ka edhe shumë punë për tu bërë? Po, ka edhe shumë! Por ama as dija e as vullneti nuk na mungojnë.”, u shpreh z. Ahmeti.

Mospjesëmarrja e shqiptarëve në presidencialet është në fakt përkrahje e idesë kombëtare të kandidatit konsensual që parashtroi BDI, tha Ahmeti.

Të gjitha të arriturat në të mirë të shqiptarëve të Maqedonisë mbajnë vulën e BDI-së tha Ahmeti.

“Ngado që shkoj lumenj njerëzish na presim, ka entuziazëm të madh. Ne pritemi tamam si bijtë e tyre pasi edhe të tillë jemi. Listat që janë para jush, janë të dëshmuara, brenda kanë njerëz që kanë luftuar e vepruar atje ku ka pasur nevojë shqiptaria. “ tha Ahmeti.

Musa Xhaferri mes tjerash foli edhe në lidhje me spotin e kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski ku ai u drejtohet qytetarëve shqiptarë.

“Ata kërkojnë falje para shqiptarëve, por keqpërdorin atë përmes marketingut politik. Edhe ne jemi kontribuues të barabartë të të hyrave të buxhetit shtetëror. Në mandatin e ardhshëm do të jemi dëshmitarë të lëshimit në përdorim të autostradave Gostivar-Kërçovë dhe Kërçovë-Strugë. Nuk do të jemi zemërngushtë që të promovojnë vetëm projektet që shkojnë në favor vetëm të BDI-së, por do të promovojmë projekte që shkojnë në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, u shpreh kryesuesi i Listës në Njësinë nr. 5.

“ Kërçova ka qenë pararojë e ndryshimeve të popullit shqiptar në Maqedoni dhe se , “nuk ka sesi të jetë ndryshe pasi ky popull ka luftuar për të drejtat e tij por edhe për të drejtave të të tjerëve në vend” tha kreu i Kërçovës, Fatmir Dehari.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button