Gazetaria e shpërthimeve primitive

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Gazetaria është në krizë. Ajo më nuk informon, nuk analizon, nuk orienton. Ajo dezinformon, hamendëson, çorienton.

Gazetaria e kohës sonë e nëpërkëmb dinjitetin e njeriut. Kur godet nuk e njeh asnjë kategori etike. E ekspozon njeriun përpara turmës sikur të ishte një demon, pa ja dhënë të drejtën e mbrojtjes. Nuk vlen parimi: “ta dëgjojmë edhe palën tjetër” ose “goditmë por lermë të flas!”.

Gazetaria shërbehet, gjithnjë e më shumë, me gjuhën e drunjtë, të paqartë, të errët. Fjalitë janë të errëta, sepse mendimet janë të errëta, thoshte Gëte.

Gazetaria e sotme e rikonstrukton realitetin politik. Krijon një botë virtuale, sipërfaqësore, botë kotësie e trivialiteti. Ajo është shërbetore e tiranisë së shumicës.

Gazetaria sot është skajshmërisht sipërfaqësore. Është gazetari spektakli, klikimi, që merret me gjëra krejtësisht triviale.

Gazetaria e sotme është alergjike ndaj mendimit të thellë, ndaj dijes. Ajo ka frikë nga dija.

Sot më shumë se sa shkrimet lexohen komentet e pa selektuara, që janë “pjesa” më e lexuar e teksteve “gazetareske”.

Komentet janë vazhdimësia e pistë e teksteve, janë shpërthime emocionale qeniesh parake. Shkruhen me fjalor të pistë, të egër, me sharje e fyerje, me një gjuhë pa sintaksë. Dhe ky quhet “ndërveprim”.

Sot pak kush merret me tekstin dhe shumëkush merret me autorin, i cili fyhet, denigrohet, shahet, ofendohet, nëse mendimet e tij nuk janë në vijë me “ideologjinë” e turmës.

Fyerjet, denigrimet, sharjet, ofendimet e hijezojnë tekstin e shkruar. Fyerjet, denigrimet, sharjet, ofendimet kanë më shumë ndikim se sa teksti i autorit. Dhe portalet e lejojnë shfryrjen parake. Mjafton që të ketë klikime.

Portalet, shpesh edhe pa impresum, ta “vjedhin” një mendim, një postim dhe ta “dekonstruktojnë” për efekte klikimi. Vënë pastaj tituj me shenja pikësimi. Ose ndonjë titull pa pikë lidhje me përmbajtjen. Madje e ndryshojnë edhe citatin. Normalisht, nuk i selektojnë komentet, që nuk merren me përmbajtjen e shkrimit, por janë lumë sharjesh e ofendimesh dhe ngjajnë si një hyde park.

Komentet, në nëntëdhjetë përqind të rasteve, nuk kanë lidhje me përmbajtjen e tekstit. Janë shpërthime emocionale parake, barbare dhe nuk përzgjidhen nga mediat, sepse pëlqehet zhurma. Mjafton të kënaqet mendja primitive. E ajo kënaqet kur lexon sharje. Mendja primitive ka dëshirë që ta dëgjojë atë që e ka dëgjuar përherë.

Si duket do të vijë dita kur njerëzit e mendimit, që nuk duan të jenë pjesë e botës së spektaklit, e botës që i mahnit turmat pa tru, e botës së ekstazave të çastit, do të përcaktohen për ekzil intelektual. Askush nuk ndjehet mirë kur shahet nga lloj – lloj speciesh parake për gjërat që s’i ka bërë, që s’i bën dhe s’e ka ndërmend që t’i bëjë. Ndjehen mirë vetëm derdimenët që vuajnë nga protagonizmi, madje edhe kur shahen, mjafton që të përmenden nga portalet.

Nuk është vështirë që të investosh në këtë lloj “gazetarie”. Është e vështirë që të shpëtosh prej saj. Kjo sot duket e pamundur. Gazetarët dhe mediat, kuptohet me përjashtime, po veprojnë me ligjet e xhunglës dhe shpërfaqin vetëm anën barbare të qenies njerëzore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

One thought on “Gazetaria e shpërthimeve primitive

  1. Tekst shume i bukur, ka permbledhur e pershkruar persosmerisht ate qe te gjithe e dime, qe pernjemend eshte bere shume problematike. Diagnoza eshte dhene, problem ngelet terapia.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP