Përfaqësuesit e popullit që nuk janë transparentë duhet të ballafaqohen me sanksione ligjore

Praktika e sjelljes së vendimeve në fshehtësi dhe më pas në publik e njëjta të plasohet si informacion nëpërmjet kumtesave edhe pse gazetarët presin me orë të tëra në Kuvendin e Maqedonisë është në kundërshtim me vlerat bazike të demokracisë madje e njëjta mund të sanksionohet edhe me ligj.

Demokracia e Maqedonisë nuk mund të shkojë në drejtimin e duhur përderisa edhe për vendimet më të rëndësishme (siç ishte rasti me sjelljen e vendimit për çështjen e komunave) nuk jepen informata të menjëhershme në opinion nga të përzgjedhurit e popullit dhe organi ligjvënës, shkruan Portalb.mk.

LEXO: Hulumtim: Kuvendi i Maqedonisë, më i mbylluri nga të gjithë kuvendet e rajonit

Në këtë kuptim jo-transparenca e deputetëve dhe organit ligjvënës ndaj mediave paraqet edhe jo-transparencë ndaj qytetarëve të cilët duhet të dinë për gjithçka që ndodh me të përzgjedhurit e tyre dhe se e njëjta mund të sanksionohet edhe me ligj. Kështu vlerësojnë për Portalb gazetarët Xhelal Neziri, Petrit Saraçini, Salajdin Salihu dhe Naser Selmani.

“Jo vetëm Parlamenti, por të gjithë institucionet e kanë obligim të jenë të hapura për opinion. Është e pritur që në kohë krize të kihet kujdes të mos jepen detaje, mirëpo qytetarët kanë të drejtë të informohen se çfarë bëjnë të zgjedhurit e tyre, çfarë vendimesh marrin, çfarë marrëveshje bëjnë apo edhe sa i kushton arkës së shtetit ky aktivitet”, tha për Portalb gazetari i SCOOP-it, Xhelal Neziri.

Ndërsa gazetari në Qendrën për Liri “CIVIL”, Petrit Saraçini transparenca institucionale paraqet obligim jo vetëm moral por edhe ligjor dhe mungesa e të njëjtës nënkupton edhe mungesë të demokracisë së mirëfilltë.

“Institucionet e shtetit е kanë për obligim, jo vetëm moral por edhe ligjor që të jenë transparentë para opinionit dhe mediave. Ikja dhe moskomunikimi me mediat e gazetarët flet për një kulturë të pamjaftueshme dhe vetëdije të ulët për përgjegjësinë që bart një funksion publik.  PA funksionarët të përgjegjshëm para opinionit, nuk ka demokraci të mirëfilltë”, tha për Portalb Saraqini.

Publicisti dhe ish gazetari Salajdin Salihu shkon më tej, ai thotë se deputetët si politikanë me pozitë shtetërore e kan obligim të jenë të hapur ndaj publikut dhe nëse ai nuk e bën një gjë të tillë, kjo nënkupton se ai fsheh diçka të dyshimtë.

“Politikani, si person publik, që drejton me punët publike, obligohet, jo vetëm moralisht, që të jetë i hapur ndaj publikut. Një politikan që u ik gazetarëve ai ose dëshiron të shes arrogancë, duke e pandehur veten “shumë të rëndësishëm” ose fsheh diçka të dyshimtë, ose nuk di çfarë të thotë, prandaj paaftësinë e fsheh në këtë mënyrë. Nuk arrij ta kuptoj se si një politikan me post qeveritar vendos se cilit medium t’i shpreh opinionin e cilit jo. Është mungesë e kulturës në aspektin e komunikimit politik”, tha për Portalb Salihu.

LEXO: Politika ka futur kthetrat në institucionin e popullit, vendit i duhet aksion urgjent!

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, gazetari Naser Selmani vlerësoi se institucionet në Maqedoni kryesisht kanë qenë jotransparente dhe se ndryshimi i saj duhet të jetë një sfidë për Qeverinë e re.

“Institucionet publike dhe shtetërore të Maqedonisë kryesisht kanë qenë jotransparente. Përmirësimi i transparencës së institucioneve do të jetë një sfidë e vërtetë me të cilën duhet të përballet Qeveria e re. Institucionet e kanë obligim ligjor të jenë të hapura ndaj medias kurse sa u përket deputetëve, ata janë të zgjedhurit e qytetarëve dhe ata duhet të jenë të hapur ndaj mediave”, tha për Portalb Selmani.

Gazetarët e kanë për obligim të kërkojnë llogaridhënie nga deputetët

“Gazetarët kanë të drejtë dhe obligim të kërkojnë llogaridhënie për punën e të zgjedhurve të popullit. Refuzimi i tyre për të komunikuar me gazetarët duhet të publikohen që qytetarët të informohen për mënyrën e sjelljes së të zgjedhurit të tyre. Në botën e lirë dhe demokratike është e paimagjinueshme që një deputet të injoroj median. Deputetët në vendet demokratike e kanë kuptuar se se injorimi i medias është njësoj sikur të injorosh votuesit që të kanë zgjedhur dhe refuzim për të qenë transparent për punën që bënë në Parlament. Deputetët që refuzojnë të komunikojnë me gazetarët krijojnë imazh negative për vetën si politikan dhe zvogëlojnë shanset të rizgjidhet si deputet në zgjedhjet e ardhshme”, tha Selmani.

Mediat kundrejt Kuvendit në kronologji

Xhelal Neziri dhe Naser Selmani njëzëri tregojnë se përvoja e mëhershme e tyre ka mundësuar që ata të kenë pasur marrëdhënie të kënaqshme me Kuvendin por se kjo gjë kohës së fundit fatkeqësisht ka ndryshuar.

“Gjatë konfliktit të vitit 2001 kam raportuar mbi punën e Parlamentit dhe në atë kohë kishte një transparencë të kënaqshme”, tha Neziri.

“Unë si gazetar punën e Kuvendit e kam ndjekur për 15 vite. Në përgjithësi Kuvendi, pavarësisht kush ka qenë në pushtet, me përjashtime të vogla, ka qenë i hapur dhe transparent për median. Ka pasur tensione të vazhdueshme por dera e Kuvendit për gazetarët ka qenë e hapur. Besoj se me kryetarin e ri të Kuvendit të arrijmë ta përparojmë bashkëpunimin mes Kuvendit dhe gazetarëve”, tha Selmani.

Por përvoja prej gazetari shpesh herë ka qenë dëshpëruese. Përpjekje të mëdha janë bërë që të kuptohet se a do të ndodh sot diçka, nëse po, ku dhe kur do të ndodhë.

Këto janë disa nga pyetjet më të reja që gazetarët e Maqedonisë duhet t’i fusin në pesëpyetëshin e zakonshëm të përbërë nga kush, çfarë, ku, kur dhe pse.

Përndryshe, jo- transparenca politike u përfol edhe gjatë bisedimeve ndërpartiake për formim të shumicës parlamentare e të cilat u paraqitën si paralajmërim edhe i  jo-transparencës institucionale të cilat së bashku cenojnë demokracinë e Maqedonisë.

Vazhdimësia e politikbërjes së tillë, e bazuar në mos-transparencë dhe mos-diskutim publik edhe për problemet më të mëdha, është çështja që do të vazhdojë ti prekë gjithnjë dhe më shumë qytetarët dhe publikun e gjerë. Për këtë, shumë prej tyre kërkojnë që tërë procesi i bisedimeve për formim të Qeverisë së re të zhvillohet nën një transparencë maksimale ndërinstitucionale dhe ndërpartiake, por gjithmonë duke kyçur këtu edhe Parlamentin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button