Afganistan: Forcat qeveritare e rimarrin kontrollin afër Kunduzit

Qeveria e Afganistanit thotë se forcat e saj e kanë rimarrë kontrollin në vendbanimin, Qala-i-Zal, afër qytetit verior, Kunduz, që deri tash ishte nën kontroll të talibanëve, shkruan REL.

Ministria e brendshme afgane tha se sot herët në mëngjes, forcat e sigurisë e kishin filluar operacionin për rimarrjen e këtij vendbanimi, përfshirë, zyrën e guvernatorit, selinë e policisë dhe ndërtesat e tjera të rëndësishme.

Gjatë ofensivës është vrarë një militant taliban, ka njoftuar Ministria e mbrojtjes e Afganistani. Nuk ka pasur informacione lidhur me viktima eventuale në radhët e forcave qeveritare.

Para dhjetë ditëve, militantët talibanë e patën marrë kontrollin ndaj këtij qyteti.

Nga ana tjetër, qyteti Kunduz është nën kontroll të qeverisë, por talibanët e kontrollojnë pjesën më të madhe të vendbanimeve rreth tij.

Gjatë 18 muajve të kaluar, militantët talibanë kanë arritur që dy herë ta okupojnë qendrën e Kunduzit, por kjo ka ndodhur për periudha të shkurtëra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button