ANALIZË: Frikë e qytetarëve – zvogëlim i kursimeve!

Pas të dhënave për rënien e prodhimtarisë industriale dhe pas vlerësimeve të biznesmenëve se gjendja ekonomike e firmave përkeqësohet, edhe sektori bankar dërgoi sinjale se paqartësia politike ndikoi edhe te kursimet dhe kreditimi, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Në prill, Banka Popullore regjistroi zvogëlim të depoziteve te popullsia dhe te firmat. Një pjesë e biznesmenëve presin stabilizim pas formimit të qeverisë së re reformuese, të cilën, sipas tyre, e presin një numër i madh i sfidave politike-ekonomike.

Edhe kursimi në hije të krizës politike…

Pas sinjaleve që i dërgoi industria, projektimet e zvogëluara për rritjen ekonomike dhe hyrjen e investimeve të huaja, edhe sektori bankar gjendet në hije të paqartësisë nga kriza politike.

“Të dhënat fillestare për muajin prill të vitit 2017 tregojnë se ka rënie te kursimi në krahasim me muajin paraprak. Realizimet e këtilla e pasqyrojnë zvogëlimin e depoziteve në të dy sektorët – atë të popullsisë dhe atë të ndërmarrjeve, edhe pse zvogëlimi i depoziteve të popullsisë është më i vogël në kushte të paqartësisë së shtuar” – theksojnë nga Banka Popullore.

Një pjesë e ekonomistëve që në fillim të këtij viti paralajmëruan se paqartësia do të vazhdojë edhe në vitin 2017, ndërsa vlerësime të ngjashme dhanë edhe afaristët. Ata konsiderojnë se tani, kur ballafaqohemi me pasojat e krizës, është me rëndësi se çfarë hapash në lidhje me ekonominë do të ndërmerren me formimin e qeverisë së re.

“Qeveria e re do të ballafaqohet me një numër të madh të sfidave dhe gjithsesi do të jetë shumë e vështirë t’u jepet prioritet segmenteve të caktuara. Mirëpo, gjithsesi, në qoftë se do të duhet të caktohen prioritete, do të ishin këto: rebalanci i buxhetit dhe eliminimi i shpenzimeve të panevojshme/joproduktive, si dhe orientimi i forcave kah rritja e investimeve kapitale, respektivisht të shfrytëzohen maksimalisht mjetet në pjesën e investimeve kapitale. Në këtë periudhë duhet të fillojë dialogu për ristrukturimin e mundshëm të shpenzimeve buxhetore” – thotë për Portalb.mk Fatmir Bytyqi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore dhe shton:

“E dyta, mirëpo jo edhe më pak e rëndësishme, do të duhej të ishte fillimi i dialogut të hapur me të gjithë faktorët e shoqërisë për një strategji afatgjate për zhvillimin e vendit. Pa këtë hap, të kota do të jenë të gjitha masat individuale që eventualisht do t’i ndërmerrte qeveria. Dhe e treta, konsiderojmë se duhet të ketë hapa konkretë për kthimin e sundimit të së drejtës, si dhe zbatimin joselektiv të ligjeve. Kjo e fundit është veçanërisht me rëndësi që të kthehet besimi i ekonomisë te institucionet dhe sundimi i të drejtës”.

Sipas guvernatorit Dimitar Bogov, politika monetare do të vazhdojë të jetë partner i sigurt i politikës makroekonomike, që të ruhet stabiliteti i gjithmbarshëm ekonomik, mirëpo, megjithatë, ai konsideron se përpiluesit e politikave duhet të jenë më të guximshëm për të ndërmarrë reforma dhe kërkoi konsolidim fiskal.

“Alarmi është ndezur edhe për politikën fiskale, e cila në shumë vende u bë tepër komode me politikën e përqindjeve të ulëta të kamatës. Duhet të shtrëngohen kushtet fiskale gjë që do të mundësojë konsolidim fiskal” – deklaroi para do kohësh guvernatori Dimitar Bogov, njofton Portalb.mk.

Të gjitha segmentet e ekonomisë tashmë dërguan sinjal për përkeqësim të gjendjes për shkak të paqartësisë politike, dhe është e vërtetë se rimëkëmbja e sistemit dhe kthimi i besimit nuk do të shkojnë aq lehtë – mirëpo, ky do të jetë një proces i pashmangshëm në të cilin, përveç krijuesve të politikës, patjetër duhet të kyçet edhe sektori civil dhe biznesi, konsideron afaristi Bytyqi.

“Rimëkëmbja e sistemit gjithsesi do të jetë një proces i vështirë, mirëpo nuk do të thotë se ata duhet të dekurajohen, por përkundrazi, kjo do të duhej të ishte motiv plotësues që të dëshmojnë se me të vërtetë e duan këtë vend dhe se punojnë për interesat shtetërore. Gjithsesi, konsiderojmë se vullneti politik, konsekuenca në vlerat që promovohen dhe që zbatohen prej tyre, si dhe përballja pa kompromis me të gjitha dukuritë negative, mund të jenë tregues i mirë për rimëkëmbjen e sistemit të gjithmbarshëm shoqëror. Kuptohet, duhet të ketë një dialog të gjerë ndërmjet të gjithë faktorëve (qeveria – sektori qytetar – sektori privat) në krijimin e rrugës drejt procesit të shëndoshë dhe të qëndrueshëm shoqëror në Maqedoni” – thotë për Portalb.mk Bytyqi.

Komisioni Evropian në raportin e tij të fundit publikoi prognoza optimiste për rritjen e ekonomisë, mirëpo megjithatë i potencoi edhe rreziqet dhe pasojat, dhe kërkoi zvogëlim të deficitit, që do të çojë në zvogëlimin e borxhit publik./ Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button