Quo vadis?

Xhabir Ahmeti

… pastaj vjen mbrëmja tjetër. E njëjtë si e djeshmja.  Dhe, ia jep ezani nga një xhami. Pas disa sekondash, ia jep herë njëri myezin, herë tjetri nga xhamitë tjera. Nuk e kanë më me vete sahatin e hoxhës myezinët e tashëm. Sahatin e saktë të hoxhës. Si dikur. Që ta thonë në të njëjtën kohë ezanin. Krijohet një kaos zërash – në vend të harmonisë. Vërtetë, pse s’merren vesh për këtë punë, ta zëmë t’i reduktojnë thirrjet e ezanit: një myezin për disa xhami? Tash e kanë altoparlantin. Në vend se t’i koordinojnë punët, secili e lëshon altoparlantin e vet. E lëshon deri në fund. Pa pardon. Shtatë altoparlanta në një lagje, dy në një katund! E do të kishte mjaftuar një për shtatë lagje, një për tri copë katunde… Pak më vonë bie kambana. Do ta ketë lëshuar me zë të lartë ndonjë besimtar nga incizimi. Ku ta dish. Sigurisht thonë kur munden ata me gjithë atë zë ezani, pse mos t’ua japim edhe ne kambanave.

Pastaj kur nis të lëshohet qetësia, ia jep një shpend nate. Do të jetë kukuvajka. Pastaj një fëmijë qan keq nga ballkoni i ndërtesës përballë. Dëgjohet një grua që shan me mllef që s’përshkruhet… E qorton nënën e fëmijës që nuk di ta qetësojë beben e shkretë. Pastaj disa pijanecë të bërë xurxull këndojnë, jo që këndojnë po gërvallen… Kësaj si duket i thonë demokraci. Demokraci sa të duash. Me grusht. Sa treten zërat e pijanecëve, dalin zëra gërvishtës nga ashensori i vjetër. Qytetaret që në shtëpi janë nëna e gra e mallkojnë ashensorin se i pengon zhurma e tij kur e ndjekin telenovelën induse. I mallkuari ashensor bën zhurmë mu në çastin kur bëhet dialogu më interesant midis heroit dhe heroinës së telenovelës për dashurinë e pafat. Pas telenovelës plot intriga të panatyrshme qytetaret falen. I luten perëndisë për vota, sepse votat sjellin pushtet, kurse vetëm pushteti të jep takat dhe para dhe ta siguron edhe respektin e njerëzve.

Disa qytetarë janë mbledhur në ndejë te miqtë. Flasin për fëmijët: këta fëmijët e tashëm janë të çoroditur. Të paedukuar, pa mirëkuptim për prindërit dhe për të moshuarit. Egoistë. Ku ta dimë, thonë, a u bënë të tillë nga ndryshimet politike, apo ka diçka tjetër këtu? Ndoshta demokracia?  Phiii edhe kjo demokraci!… Çfarë demokracie, vëlla?! Kush të pyet në këtë sistem kush je e çka je? Ndoshta edhe lufta i ka fajet. Eheee, si kemi menduar e sa kemi pritur nga lufta. Çfarë na solli lufta? Asgjë.

Na solli vetëm papunësi dhe  telefona celularë, të cilët po na i topisin fëmijët. Në kohë të Titos, thonë, ndoshta e kemi pasur më mirë. Së paku bukën e kemi pasur. Vërtetë i kemi bërë punët më të rënda nëpër miniera, në ndërtimtari, në industri të tekstilit, po për bukë s’kemi hequr.Tash mjerimi i ka shtrirë këmbët gjerë e gjatë. Sot për një kore bukë njerëzit heqin të zitë e ullirit. Po, thonë të tjerët, por atëherë një fjalë s’e thoshe dot për shtetin. E thoshe, por të priste zandani, atje ku ha pula gur. Mirëpo një të mirë e ka kjo kohë, thotë njëri duke i rrotulluar rruzaret. E kemi hequr qafën mirëditën, mirëmëngjesin dhe tungjatjetën e Ernest Koliqit. Tash rehat-rehat përshëndetesh me selam alejkum dhe alejkum selam. Po edhe shalom, pse jo?… Edhe emrat modernë të fëmijëve dalëngadalë po i tëharrim. E keni parë sa janë rralluar Dritat, Premtimat, Shpresat? Një ditë do të hiqen nga realiteti ynë këta emra e do të gëlojnë emrat e vjetër:  Adile (Adela), Adem (Adam), Sulejman (Sollomon), Zeqirija (Zaharija), Musa (Mojsej), Jakup (Jakob), Jusuf (Jozef), Sara, Safije (Sofija), Benjamin, etj. Pastaj do të vijnë emra si: Erdogan, Erduan, Jashar, Dejna, Tuana, Tyrkan, Binnur.

Pas tyre do të vijnë Dutiel, Daniel, Dui, Mui, Lupçe, Nikos etj.etj. A nuk janë emra më të mirë këta, të nxjerrë nga qitapi? pyet dikush. Janë, ndoshta, përgjigjet një tjetër, por s’na shpëtojnë as këta emra nga burgosjet politike. S’na ndihmojnë emrat… Plot i kemi burgjet me shqiptarë me kësi dhe asi emrash. Shumica të burgosur pa faj, vetëm pse janë shqiptarë. Me të vërtetë, ndërhyn një i ri, pse nuk bashkohemi ne rreth gjuhës sonë, rreth identitetit tonë, rreth trungut tonë? Kur jemi shqiptarë të jemi me ka krejt shqiptarë. Pastaj bie heshtja.

Me të vërtetë kah po shkojmë ne? shtrohet petja para secilit.

Ne, a? Ne po kridhemi në thellësitë e mjerimit politik e do të jetojmë në mbretërinë e ëmbël të iluzionit se Gjorge Ivanovi do të kujdeset për ne pikërisht pse jemi shqiptarë dhe do të na ruajë si pëllumba pa pupla brenda kopertinave të kushtetutës së tij, të tillë siç e lexon, siç e kupton dhe si ia ka ënda atij vetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP