Ivanov në Zyrën Popullore e vendos në kornizë “Manifestin” e “Për Maqedoni të përbashkët”

Në zyrën Popullore të presidentit Gjorge Ivanov është vendosur në kornizë “Manifesti” i “Ilindenit të katërt” të të ashtuquajturës iniciativë “Për Maqedoni të përbashkët”, njofton Portalb.mk.

Zyra Popullore, përveç me Manifestin është “pasuruar” edhe me logot e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” të cilat janë të ngjitura në pjesën e brendshme të dritareve, ndërkaq shihen prej jashtë.

BIRN e ka vizituar Zyrën Popullore të Ivanovit në Qendrën e Shkup, për të marrë informata se pse simbolet e kësaj iniciative, të cilët shkaktuan incidente në Kuvend më 27 prill, janë vendosur në zyrë.

“Nuk e di, unë jam praktikante këtu, por sipas të gjitha gjasave dikush derisa e ka nënshkruar librin për mbështetje të kryetarit, i ka ngjitur simbolet”, tha një e punësuar në Zyrën Popullore.

Në librin për mbështetje të Ivanovit janë nënshkruar 2.344 persona, prej të cilëve një pjesë janë vetëm me emra dhe mbiemra, ndërkaq një pjesë kanë lënë edhe porosi deri te presidenti. Menjëherë afër tavolinës në të cilën ndodhej libri për mbështetje, në mur qëndronte në kornizë Manifesti, me nënshkrimin e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”.

Nga kabineti i Ivanovit nuk ka përgjigje për pyetjet se kush i ka vendosur të njëjtat, pse nuk largohen dhe a e përkrah presidenti iniciativën.

Sipas fotografive të publikuara nga mediat nga 4 marsi i këtij viti shihet se “Për Maqedoni të përbashkët” e ka lënë të ashtuquajturin Manifest të “Ilindenit të katërt” në tavolinën që ka qenë në zyrën e Ivanovit, por atëherë nuk ka qenë në kornizë. Kush dhe pse e ka vendosur në kornizë, përgjigje nuk ka. Nuk dihet edhe se kush e ka vendosur në mur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button