Si të ndahen ministritë

LSDM kryeministrin dhe 10 ministri prej të cilëve njëri shqiptar, BDI Kryetarin e Parlamentit dhe tre ministri, Aleanca dy ministri dhe Besa dy ministri. Kjo është ndarja më reale sipas rezultatit të zgjedhjeve, forcave në parlament dhe kontributit politik për formimin e qeverisë së re

Problemet e formimit të qeverisë. Në politikë ndarja e kulaçit qeveritar, apo e plaçkës së luftës siç njihej dikur, është problem i llojit të vet. Megjithëse në parim ajo duhet të reflektojë vullnetin e elektoratit të shprehur në zgjedhje, negociatat për formim të qeverisë më shpesh shndërrohen në fushëbetejë të vërtetë të pretendimeve, egove e ambicieve të pakufizuara të partive e individëve. Kështu ditëve në vijim hapësirën publike padyshim do t’a pushtojnë këto “beteja” emrash e partish, të maskuara nën petkun e “programeve”, “principeve” e “idealeve” të partive. Këtë rradhë problemi është edhe më i madh e kompleks se zakonisht, pasi në qeveri hyjnë disa subjekte të reja, “të martuara” me zorr, me një sërë dyshimesh e mosbesimesh ndaj njëri tjetrit.

Mirëpo sado i ndërlikuar të jetë procesi i ndarjes së posteve qeveritare, ekzistojnë disa parametra bazë që në vija të trasha duhet të definojnë këtë proces. Në rradhë të parë këtu është raporti matematikor i forcave në parlament, përherë pikënisje fillestare gjatë bisedimeve. Edhe më i rëndësishëm është momenti politik i shembjes së regjimit të vjetër, për të cilin shumëkush pretendon se ka merita vendimtare. Nga njëra anë qëndron fakti se ndryshimet nuk do të vinin sikur mos ishte beteja dyvjeçare e pakompromis e LSDM-së me regjimin, që gjithsesi i jep këtij subjekti fjalën e parë në qeveri. Por nga ana tjetër LSDM-ja nuk do të vinte në pushtet pa përkrahjen e 40 mijë shqiptarëve, të pasuar me mbështetjen e subjekteve shqiptare BDI, Aleanca dhe Besa. Këto realitete deri diku kontradiktore do të japin konturat bazë të ndarjes fer dhe korekte të kulaçit qeveritar, ashtu që qeveria të reflektojë vullnetin e votuesve dhe kontributin e secilit subjekt për formimin e saj. Sipas meje procesi i ndarjes duhet dhe do të rrjedhë si më poshtë.

Çfarë ndahet. Përveç ministrive aparati shtetëror përfshin qindra poste tjera nëpër sektorë, drejtori, agjencione, ndërmarrje publike e të tjera. Por këto janë relativisht pa peshë dhe të tepërt në numër karshi institucioneve shtyllë – ministrive, prandaj këtu do të fokusohemi vetëm te ndarja e ministrive. Kjo ndarje më pas mund të përsëritet në eshalonet më të ulta. Nuk do të përfshijmë as ministrat pa resorë, sepse këta nuk janë institucione në vete dhe mund të ndahen si të duan, apo të hiqen fare, pa reperkusione për funksionimin e qeverisë. Kështu mbesin 15 ministri dhe dy sekretariate në nivel zëvendëskryeministrash – i Marrëveshjes së Ohrit dhe i Eurointegrimeve. Këtyre 17 posteve do t’u shtojmë edhe postin e kryeministrit dhe postin e Kryetarit të Parlamentit, që për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme duhet t’i numërojmë dyfish. Në total pra kulaçi qeveritar përbëhet prej 21 posteve.

Le të shënojmë se në qeverinë e vitit 2014 VMRO kishte 14 poste dhe BDI 7.

Kush ndan. Sipas asaj që dihet deri tash, në qeverinë e re sigurisht do të bëjnë pjesë LSDM, BDI dhe Aleanca, me gjasa të mëdha që atyre t’u bashkangjitet Lëvizja Besa. Prandaj në analizën më poshtë nisemi nga supozimi se postet duhet të ndahen mes këtyre katër subjekteve.

Ndarja matematikore. Idealisht qeveria duhet të reflektojë raportet në zgjedhje dhe në parlament. Në realitet kjo nuk ndodh asnjëherë, por ky raport matematikor përherë shërben si pikënisje dhe assesi nuk duhet anashkaluar.

Në të vërtetë këtu janë dy raporte kyçe matematikore që duhet të jenë themeli i ndarjes së posteve. Së pari është raporti LSDM-Partitë Shqiptare. Në zgjedhje LSDM ka fituar 440 mijë vota, ndërsa tre subjektet shqiptare 180 mijë vota; LSDM ka 49 deputetë, ndërsa partitë shqiptare 18. Këto shifra tregojnë raport forcash 5:2.

Raporti tjetër i rëndësishëm është ai mes partive shqiptare. Besa dhe Aleanca kanë më tepër vota se BDI, por në parlament raporti është 10:8 në favor të BDI-së. Duke marrë parasysh rolin kyç të BDI-së për formimin e qeverisë, ky raport 5:4 duhet ruajtur gjatë formimit të saj, edhepse opozita ka patur më tepër vota në zgjedhje. Raporti i këtillë do të shërbejë edhe si formë ndëshkimi dhe leksion për opozitën, e cila refuzoi të bashkojë forcat në zgjedhje.

Sipas kësaj del se kulaçi qeveritar matematikisht duhet ndarë 15:6. Pasi LSDM do të ketë kryeministrin, ndërsa BDI kryetarin e parlamentit, del se LSDM duhet të ketë 13 ministri dhe partitë shqiptare 4.

Realiteti politik. Mirëpo raporti matematikor nuk reflekton realitetin politik që thotë se pa marrë parasysh raportin 5:2, LSDM do të kishte mbetur në opozitë pa përkrahjen e partive shqiptare. Pra partitë shqiptare duhet të shpërblehen për kontributin e tyre, sepse lehtë mund të refuzojnë këtë ndarje dhe të kërkojnë zgjedhje të reja.

Ndarja reale. Duke kombinuar raportet matematikore me rolin vendimtar të subjekteve shqiptare mendoj se një ndarje reale duhet t’i shpërblejë këta subjekte me nga një vend shtesë nga ajo që thotë matematika. Pra nga raporti matematikor 15:6, realiteti politik imponon ndarje në raport 12:9.

Në praktikë kjo do të thotë se LSDM-së duhet t’i takojë kryeministri dhe 10 ministri. Në realitet LSDM ka partnerë të saj të koalicionit, por pasi ka garuar bashkë me ta në zgjedhje, ndarja e këtyre 10 ministrive është punë interne e saj. Për hir të korektësisë ajo duhet të ruajë ndonjë vend për kuadrot e saj shqiptare. Pasi shqiptarët i kanë dhënë rreth 10% të votave, do të ishte e drejtë që të paktën një ministër i saj të jetë shqiptar.

Më pas mbesin për t’u ndarë 9 postet për subjektet shqiptare. Kjo ndarje ka zgjidhje tejet të lehtë. Këta poste duhet të ndahen sipas formulës më lartë, BDI-Opozita 5:4. Pasi BDI veçmë ka kryetarin e parlamentit i cili ka peshë të dyfishtë, asaj i takojnë edhe tre ministri. Nga dy ministri duhet t’u jepen Besës dhe Aleancës, me çka rrumbullakësohet i gjithë kabineti qeveritar.

Ditët në vijim do të ndëgjojmë lloj-lloj pretendimesh e spekulimesh se si do të duket e si duhet të duket qeveria e re. Sipas meje ndarja më reale mbetet kjo: LSDM 10 ministri, BDI 3, Aleanca 2 dhe Besa 2. Kjo ndarje reflekton më së miri raportet e forcave matematikore dhe politike në parlament dhe popullatë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button