Maqedoni, zgjedhjet lokale në tetor

Nga mbledhja koordinuese e mbajtur sot ndërmjet kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi dhe grupeve koordinuese u vendos që mbajtja e zgjedhjeve lokale do të jetë në gjysmën e parë të muajit tetor kurse mandati i kryetarëve dhe këshillave komunal do të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave komunal, njofton Portalb.mk.

“Partitë u morën vesh se prioritet i jashtëzakonshëm për Republikën e Maqedonisë është arritja e marrëveshjes për miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor me të cilin mbajtja e zgjedhjeve lokale do të parashihet në gjysmën e parë të muajit tetor, kurse mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave. Presim në afat të shkurtër partitë të arrijnë marrëveshje për formimin e trupave punuese, me qëllim që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratohen në bazë të procedurave të Rregullores”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Xhaferit.

Në mbledhje po ashtu është theksuar edhe nevoja e formimit të grupeve parlamentare.

“Me qëllim të mundësohen kushte për punë të rregullt të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë është e domosdoshme që të respektohet Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe i ftoi partitë politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvend, konform nenit 33 të Rregullores së Kuvendit të RM-së ta njoftojnë për formimin e grupeve parlamentare”, thonë nga kabineti.

 

____________________________________________________

10: 15 – Përfaqësuesit e partive LSDM, BDI, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së kryeparlamentarit Talat Xhaferi për mbledhje konsultative, ndërkaq VMRO-DPMNE ashtu siç njoftuan edhe më herët, VMRO-DPMNE-ja nuk po merr pjesë. Mbledhja tani ka filluar dhe nuk ka informata se sa do të zgjasë dhe nëse do të ketë ndonjë konferencë për shtyp.

————————————————————————-

Sot pritet të mbahet mbledhja konsultative e thirrur nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi, për të arritur konsensus për zgjidhjen e çështjes së skadimit të mandatit të krerëve dhe këshillave të komunave, njofton Portalb.mk.

Përfaqësuesit e partive parlamentare të shtunën kanë pasur takim të fshehtë në Kuvend, për të cilën asgjë nuk kumtuan për opinionin. Takimi në Kuvend u organizua që partitë të gjejnë gjuhë të përbashkët për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Qëllimi është që t’u vazhdohet mandati kryetarëve dhe këshillave komunal.

Partia e Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE nëpërmjet kumtesës njofton se nuk do të merr pjesë në koordinimin e paralajmëruar në Kuvend, e cila do të mbahet sot, njofton Portalb.mk.

“Talat Xhaferi nuk është zgjedhur për kryetar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në procedurë ligjore dhe grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk sheh arsye se për çfarë do të bisedohej me deputetin Talat Xhafer”, thonë nga VMRO-DPMNE.

LSDM thotë se bllokada e punës së pushtetit lokal ndodh për shkak të bllokadës së proceseve në Maqedoni nga ana e presidentit Gjorge Ivnaov dhe VMRO-DPMNE.

“Është më shumë se e nevojshme që Gjorge Ivanov ta ndajë mandatin me çka do të mundësojë që Zoran Zaev shpejt të formojë Qeveri dhe më pas sipas dispozitave ligjore të caktohet data për zgjedhje lokale”, thonë nga LSDM.

Partitë parlamentare shqiptare njëzëri shprehen se iniciativës së kreut të Parlamentit, për thirrje të seancës ku do të votohej ndryshimi i Kodit Zgjedhor, do t’i përgjigjen pozitivisht.

LEXO: Maqedoni, vetëm gushti dhe dhjetori nuk janë në lojë për zgjedhjet lokale të këtij viti

“BDI përkrah ndryshimet e menjëhershme në Kodin Zgjedhor për t’ju mundësuar funksionim normal komunave gjer në mbajtjen e zgjedhjeve dhe zgjedhjes së administratës së re”, është shprehur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Nga Lëvizja Besa bënë të ditur se nëse ekziston iniciativë për ndryshim të Kodit Zgjedhor dhe ligjit për vetëqeverisje lokale me qëllim të zgjatjes së mandatit të krerëve komunal, ata do ta mbështesin të njëjtin.

“Lëvizja Besa në vazhdimësi ka dashur që ta ndihmon procesin e zgjidhjes së krizave. Nëse ka inciativë të atillë ne do ta mbështesim”, tha Faton Fazliu.

Përkrahje për ndryshim të Kodit Zgjedhor kanë dhënë edhe nga Aleanca për Shqiptarët të cilët thonë se do ta mbështesin çdo iniciativë për zgjidhjen e situatës.

“Çështja e komunave duhet të zgjidhet në Kuvend i cili tashmë ka një kryetar. Deputetët e “Aleancës për Shqiptarët” do ta mbështesin çdo iniciativë për zgjidhjen e kësaj situate”, tha deputeti i LR-PDSH-së së koalicionit “Aleanca për Shqiptarët”, Surija Rashidi.

Maqedonia pa pushtet lokal

Afati i krerëve komunal skadon sot. Pas skadimi të afatit, deri në zhbllokimin e situatës pa rroga mbeten të gjithë punëtorët komunal, mësuesit dhe profesorët, punëtorët e ndërmarrjeve publike, por dhe pamundësohet kryerja e shërbimeve apo obligimeve në Komunë nga ana e qytetarëve.

Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) të premten kërkoi që Parlamenti më së voni deri sot të mbajë mbledhje dhe të sjellë vendim për mandatet e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve, sepse deri atëherë përfundon gjysma e parë e majit, kur me ligj ndalojnë të vlejnë mandatet e krytarëve të komunave dhe të këshilltarëve.

Sipas BNJVL-së, zgjidhje e mundshme është ndryshimi i Kodit zgjedhor në të cilin në vend të gjysmës së parë të muajit maj do të vihet datë tjetër për të cilën do të arrijnë marrëveshje partitë politike në Parlament. Nevojitet, konsiderojnë nga BNJVL, edhe ndryshim i Ligjit për vetëqeverisje lokale, si ligj sistematik. Në të shkruan se këshilltarët zgjedhen për kohë prej katër vitesh, ndërsa kryetarët e komunave, ndërkaq, se zgjidhen çdo të katërtin vit. Kjo sipas BNJVL-së do të thotë se me ndryshimet e Kodit zgjedhor mund të zgjidhet problemi me kryetarët e komunave, përderisa për këshilltarët do të nevojitet edhe ndryshim i Ligjit për vetëqeverisje lokale.

LEXO: Maqedoni: Pushteti lokal para bllokimit total, kërkohet zgjidhje

10 maj Gjykata kushtetuese e Republikës së Maqedonisë unanimisht vendosi të mos ngritë procedurë për vlerësim të nismave për heqje të dy neneve të Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe për Kodin zgjehdor, me çka do të mundësohej që kryetarët e komunave dhe këshilltarët të mbeten në funksionet e tyre deri në shtyerjen e zgjedhjeve lokale.

Parashtruesit e nismkave – Minsitria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Kongresi botëror maqedonas kërkuan vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshjmërisë së nenit 35, alinea 1 dhe të nenit 49 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, nenit 16, alinea 1 dhe nenit 16, alinea 1 në pjesën “në gjysmën e parë të majit” të Kodit zgjedhor.

Gjykatësit kushtetues vendosën se Gjykata nuk është kompetente të vendosë për situata juridike të cilat nuk ekzistojnë, sepse, siç tha gjykatësja njoftuese, Elena Gosheva, ajo është kryesisht në kompetenca të ligjdhënësit, përkatësisht Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button