BE kritikon Azerbajxhanin për bllokimin e ueb-faqeve të pavarura

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic ka denoncuar vendimin e një gjykate në Azerbajxhan për të bllokuar qasjen në ueb-faqet e pesë media online, përfshirë edhe ueb-faqen e Shërbimit të Azerbajxhanit të Radios Evropa e Lirë.

Vendimi i gjykatës “nuk është në përputhje me nevojën për media të lira dhe të pavarura në shoqëritë moderne dhe demokratike”, ka thënë në një deklaratë për media Kocijancic.

Organizata Freedon House gjithashtu ka dënuar vendimin e gjykatës në Azerbajxhan.

“Duke ndaluar faqet e internetit të mediave të pavarura, qeveria e Azerbajxhanit ka hedhur poshtë argumentin që më së shpeshti e ka përdorur presidenti azer, Ilham Alijev se Azerbajxhani gëzon lirinë në internet”, ka thënë Robert Herman, zëvendëspresident për programet ndërkombëtare në Freedom House.

Një gjykatë në Baku, më 12 maj ka thënë se kërkesa e Ministrisë së Transportit, Telekomunikacionit dhe Teknologjisë së Lartë për bllokimin në qasjet e faqeve të internetit duhet të përmbushet.

Radio Evropa e Lirë ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin, duke e quajtur këtë “një përpjekje tjetër”, për të heshur raportimin në vend.

Përveç ueb-faqes së Shërbimit Azer të REL-it, po ashtu janë bllokuar edhe ueb-faqet e gazetës Azadliq, Meydan TV dhe dy programeve tjera televizive në internet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button