Prishja e koaliconit shënon abortin e dytë politik

Florim Zeqa

Florim Zeqa

Prishja e koalicionit qeverisës ditën e mërkurë me 10 maj 2017, shënon abortin e dytë politik të LDK-së nga martesa me PDK-në.

Sikurse politika që nuk bëhet nga emocionet e çastit, ashtu edhe LDK-ja nuk mund të ribëhet nga emocionet dhe dëshirat e çastit, ngase në çast mund të ndodhin vetëm fatkeqësitë dhe fenomenet natyrore.

Katandisja e LDK-së është gjatë, e thellë dhe aq e dhimbshme, saqë vetëm një mendje e shëndoshë me një profeci hyjnore mund ta nxjerrë nga gremina e thellë, e fundosur në mënyrë sistematike pas shkuarjes në amshim të liderit historik dhe profetit të kohë sonë, Ibrahim Rugova.

Për fundosjen e “TITANIK-ut” kosovar, LDK-së rugoviane fajtor janë të gjithë nga pak, por pa dyshim më “meritori” është Isa Mustafa me sejmenët e tij, sahanlëpirësit dhe urithët e të gjitha pushteteve, të cilët për pak ambicie pushteti apo privilegji personal, rrënuan një trashëgimi të pasur politike dhe thyen shpresat e shumicës shqiptare në Kosovë.

Përgjatë këtyre viteve të pas shkuarjes në amshim të liderit historik të LDK-së, në veçanti pas Kuvendit të VIII-të zgjedhor të saj, u vërejt qartë se LDK-në nuk mund ta ribëjnë lakmitarët e pushtetit (të shumtë në numër në radhët e saj), të cilët i joshi pas pushtetit dhe më pas edhe i mashtroi lideri diktatorial dhe rrënuesi në themel i LDK-së rugoviane, Isa Mustafa me sejmenët e tij të pakurrizorë dhe padinjitet njerëzor.

Pra, përveç Isa Mustafës, bashkrrënues të drejtpërdrejtë të LDK-së rugoviane u bën të gjithë ata që mbështetën dhe e votuan marrëveshjen personale mes Isa Mustafës e Hashim Thaçit të 19 nëntorit 2014-të, për ta shpëtuar këtë të fundit nga rrënja e sigurt nga pushteti pas zgjedhjeve të 2014-s, kur i gjithë spektri politik shqiptar dhe popullata u bashkuan për largimin e tij. Për fatin e keq të vendit e më pak të LDK-së, të njëjtit votuan për zgjedhjen e kreut të SHIK-ut në krye të Kuvendit, e më pas edhe për zgjedhjen fatale të Hashim Thaçit për president të vendit.

Kështu pra, rrënues të LDK-së dhe shpresave të qytetarëve u bënë të gjithë ata që mbështetën liderin diktatorial në vendimet e dëmshme për vendin.

Klientela e Isa Mustafës në Kuvendin e VIII-të zgjedhor të LDK-së ua mbylli dyertë përfaqësuesve të dy degëve më të fuqishme të LDK-së në Diasporë (Zvicër e Gjermani), por e keqja më e madhe është heshtja ndaj në veprimi të tillë e mbi 300 “deleve” (delegatëve) të atij kuvendi famëkeq.

Për dhe rreth LDK-së rugoviane mund të flitet e shkruhet për periudhën 23 dhjetor 1989 deri me 21 janar 2006-të, si parti e vlerave unifikuese kombëtare dhe parti e hapjes së proceseve demokratike në hapësirat mbarëkombëtare, si parti që vuri themelet e shtetit tonë, Republikës së Kosovës.

Pas 21 janarit 2006-të, përveç lidhjeve emocionale të elektoratit, LDK-së nuk bënë t’i atribuohet asnjë lidhje me të kaluarën e lavdishme të saj.

Kuvendi i VI-të apo siç njihet në opinion si kuvendi i karrigeve, ishte një paralajmërim ogurzi për të ardhmen e këtij subjekti politik, mbase edhe për fundin fatal të frymës rugoviane në këtë subjekt.

Përderisa Kuvendi i VII-të shpërfaqi frymën e pabesisë dhe aktin e tradhtisë, ku  Isa Mustafa brenda natës i përgatiti “Puçin” politik ish kreut të LDK-së, zotit Fatmir Sejdiu për t’u katapultuar vet në kreun e LDK-së,…Kuvendi i VIII-të zgjedhor i kësaj partie instaloi dhunën, shantazhin politik dhe kërcënimet si format më të vrazhda të diktaturës politike (post-komuniste).

Pabesinë e tij, Isa Mustafa e përsëriti edhe në raport me subjektet tjera politike. Pas humbjes së zgjedhjeve nacionale të 3 nëntorit 2014, për t’i shpëtuar kërkesave të elektoratit rugovian për shkarkim, brenda natës e lidhi koalicionin mashtrues paszgjedhor fillimisht me AAK-në dhe NISMA, duke mashtruar më pas edhe Lëvizjen Vetëvendosje në koalicionin më të madhë të pasluftës në Kosovë, i cili PDK-në e solli në prag të rënjës përfundimtare dhe jo vetëm kaq, Hashim Thaçin e kishte shndërruar në një figurë të vdekur dhe të pavlerë politike.

Por, kësaj radhe pabesia e Isa Mustafës i kaloi kufijtë partiak. Me lidhjen e kurorës brenda natës me Hashim Thaçin për interesa personale i tradhtoi mbi 70 % të vullnetit të shqiptarëve për ndryshimin e kursit qeverisë në vend.

Për të mos i përmendur të gjitha pasojat politike që janë të njohura për opinion publik, pabesia e Isa Mustafës ndaj spektrit politik shqiptar ka bërë që sot LDK-në e Isa Mustafës të mos e do askush, nuk e do asnjë parti politike shqiptare, madje as shoqëria civile, thënë ndryshe sot Isa Mustafa ka vija të kuqe nga i gjithë spektri politik shqiptar.

Kështu siç e ka katandisë LDK-në Isa Mustafa, kjo parti mund të përdoret vetëm si patericë e partive tjera për arritjen e kuotave të pushtetit e asgjë më shumë.

A ka mjerim më të madhe për partinë e traditës më të gjatë demokratike në vend, për partinë e besës dhe shpresës shqiptare kur i shef të ikin të gjithë prej saj!

Këtë rrezik të katandisje së LDK-së e kisha vërejtur pas zhvillimeve antidemokratike në Kuvendin e VIII-të të saj, me ç’ rast pata ngritur shqetësimet e mia në shkrimin mjaft përmbajtësor “LDK-ja Post-mortum”, botuar me 1 qershor 2015 në gazetën Kosova sot dhe publikuar në dhjetëra portale mbarëkombëtare, ku në fillim të këtij shkrimi shënova epitafin më sa vijon: “Lavdi LDK-së Rugoviane (23 dhjetor 1989-21 janar 2006), varrosur me 31 maj 2015-të nga Isa Mustafa me sejmenët e tij”.

Ndërsa, për ata që nuk e kuptuan atëherë mesazhin e atij shkrimi, do ua përserisë edhe më qartë: “LDK-së nuk i mjafton “Rifreshi”, duhet ndërruar komplet “Hard-Diskun”!

Mesazhi i mësipërm vlen si alarm i fundit për Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së dhe elektoratin  e saj, nëse vërtetë duan ta ruajnë vazhdimësinë e LDK-së me një formë dhe përmbajtje të re, në të kundërtën, le të shërbehen me epitafin e 31 majit 2015-të, për ta kujtuar me pietet të lartë të kaluarën e lavdishme të LDK-së bashkë me liderin shpirtëror Ibrahim Rugova, si dhe ta shpallin Moratoriumin politik në LDK  para zgjedhjeve nacionale të caktuara të mbahen me 11 qershor 2017, që i bie abstenim i plotë nga procesi zgjedhor, i cili do të shënonte fundin e epokës së keqe post-rugoviane të LDK-së dhe fillimin e një kapitulli të ri demokratik në Kosovë.

Dikujt mund t’i duket paradoksale kjo kërkesë e sinqertë e imja, por është e vetmja mundësi. Edhe pse në dukje të parë katër vite janë të gjata për të mbetur jashtë parlamentit, do të jenë mjaft të shkurtra për t’i rikuperuar të gjitha dëmet e shkaktuara në LDK për 11 vite.

Vetëm “Rifreshi” që përmenda më sipër dhe ndërrimi i “Hard Diskut”, do ta  mundësojnë kthimin në pikën zero të LDK-së dhe mundësinë për një fillim të ri, me çka Kosovës do t’i lindte një alternativë e re dhe shëndosh politike, e shkëputur krejtësisht nga  e kaluara, me njerëz të rinj, me vizion të ri për shtetndërtimin e Kosovës dhe një perspektivë të sigurt për qytetarët, ku secili do të kishte mundësi të barabarta të kyçjes në proceset demokratike.

Pos tjerash, Moratoriumi politik, do të shënonte një standard të ri demokratik në skenën politike kosovare për shkëputjen nga e keqja, nga antivlerat dhe modelet e vjetruara qeverisëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP