Ju do thoni si të doni…

Kaluan disa dekada nga fillimi i tranzicionit politik, ekonomik dhe social në Republikën e Maqedonisë, kurse ne edhe më tej vazhdojmë të kultivojmë smirë, ndërtojmë urrejtje, të shpifim për njëri tjetrin, të baltosim sukseset e të tjerëve dhe t’u thurim lavde të bëmave tona të mëhallës.

Mund të jesh i kualifikuar dhe profesionist, por është kot nëse nuk arrin të fitosh simpatinë e drejtuesve të klanit, mund të jesh matrapaz por të mjafton servilizmi dhe dëgjueshmëria ndaj tyre për të kapur majat e “pushtetit”. Për të qenë më i saktë, servilizmi dhe oportunizmi janë parakushtet kryesore për të arritur sukses në këtë ambient “hienash”. Antivlerat dominojë në çdo cep të jetës sonë publike dhe private… Kush më mirë se Ali Asllani përshkruante realitetin tonë të hidhur të para më shumë se gjysmë shekulli, i cili vazhdon të jetë dëshpërues:

“Që të zini një koltuk, aq u ulët u përkulët,

Sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët.”

“Ju do thoni si të doni… po e drejta dermon hekur!”

Ndoshta është gabim të thuhet se gjërat nuk kanë lëvizur aspak në drejtim pozitiv, mirëpo shqetësimi im kryesor është se shumë sfera të jetës publike janë përmirësuar sipërfaqësisht, janë kurdisur mbrapsht ose kanë ngelur edhe pa u prekur fare në brendësi. Përveç shumë mungesave ekzistenciale (mungesa e ujit për pije, politizimi i skajshëm i shkollave dhe universiteteve, degradimi i spitaleve, etj.) dhe infrastrukturore (mungesa e rrjetit të kanalizimit, rrugë të katandisura, mungesa e parqeve dhe kopshteve për fëmijë, etj.) destruktiviteteve ekonomike (shpërndarje jo e drejtë e të ardhurave, regresiviteti në tatimin, reketimi i bizneseve etj.) në të njëjtën kohë përballemi me probleme të natyrës administrative si p.sh.: ne si shqiptar jetojmë në lagje dhe arsimohemi në shkolla të cilat ende mbartin emra të “heronjëve” maqedonas, qytetarët në vendbanimet rurale nuk kanë adresa të sakta banimi (të gjithë jetojnë në rrugën “ББ- Без Број”), qasja autoritare e “pashallarëve të sporteleve” ndaj qytetarëve, etj. Krizën e përgjithshme tani më çdo kush e ndjen në lëkurën e vet…

Përkrah ndryshimeve minimale pozitive në përgjithësi, “stili i politikbërjes” vazhdon të ngelet i njëjtë, i dominuar nga populizmi, folklorizmat, bajraktarizmat dhe klishet e zakonshme. Thënë pak më ndryshe, retorika politike edhe në këtë kohë nuk “kundërmon” tjetër vetëm se ankronizëm… Por, dua të nënvizoj se është vetëm një e vërtetë e padiskutueshme: qytetarët janë të lodhur nga demagogjitë, nga mediokriteti, diletantizmi, prepotenca dhe narcizmi i klasave drejtuese, tani më duan “bukë”…

Të gjithë ne kemi vetëm një jetë dhe këtë duam ta jetojmë me nder dhe dinjitet. Kjo mënyrë e të jetuarit kërkon parakushte të caktuara sociale, ekonomike dhe politike. Si asnjëherë më parë neve na duhet unifikim, konstruktivitet, sinqeritet dhe vullnet shoqëror dhe politik, tolerancë, respekt i ndërsjellë pavarësisht nga bindjet politike dhe si kurrë më parë ne nuk kemi nevojë për fanatizëm dhe militantizëm. Pranimi i verbër i ideologjisë politike është e papranueshme, naive dhe sjellje prej adoleshenti. Besoj se është momenti ideal i relaksimit të raporteve, mirëkuptimit të njëri tjetrit, evitimit të paragjykimeve, stereotipeve dhe inateve personale dhe përcaktimi i të gjithëve për zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta me rëndësi jetike.

Nëse i referohemi thënies së gjeniut Ajnshtajn “Bota kështu siç e kemi krijuar, është proces i të menduarit tonë. Ajo nuk mund të ndryshohet pa ndryshuar edhe mënyra jonë e të menduarit”, mund të konkludoj se, të gjithë ne, në një nivel të caktuar kemi kontribuar në këtë amulli të përgjithshme, detyrimisht duhet të ndryshojmë duke tejkaluar veten, sepse alternativat tjera janë anakronike dhe nuk na shpiejnë në binarët e suksesit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button