Bosnja protestoi kundër dënimit të muslimanëve në Egjipt

Qindra demonstrues u mblodhën të shtunën në kryeqytetin boshnjak për të protestuar kundër dënimit me vdekje për 529 anëtarët e Vëllazërisë Muslimane në Egjipt.

Turmat brohorisnin sllogane të tilla si “Krah për krahë me Vëllezërit  Muslimanë”, “Mursi ne jemi me ju” dhe “Paqe për Vëllazërinë Muslimane”.

Ata mbanin fotografitë e presidentit të rrëzuar egjiptian Muhamed Mursi dhe pankarta me shenjën ‘Rabia’, simbol i lirisë dhe rezistencës në Lindjen e Mesme.

Sipas protestuesve, qëllimi i protestës ishte për të dërguar një mesazh për të gjithë botën se dënimi i anëtarëve të Vëllazërisë Muslimane shkel të drejtat e njeriut dhe vlerat universale në të gjithë botën.

“Ky nuk është një problem vetëm i botës islame, por edhe për të gjithë botën. U bëjmë thirrje të gjithë njerëzve për të shprehur solidaritetin e tyre me popullin egjiptian,” tha një protestues, studente Betyl Saraç, e cila shprehu shpresën se autoritetet egjiptiane do ta kthejnë dënimin me vdekje.

Një tjetër protestues u shpreh se egjiptianët ishin dënuar me vdekje në një gjykim të padrejtë.

“Imagjinoni një sistem që dënon 529 njerëz të pafajshëm vetëm për shkak se ata nuk qenë dakord me të,” tha ai.

Protesta në Sarajevë është mbajtur në mënyrë paqësore dhe pa incidente.

Lajme të ngjashme

Back to top button