DALËZOTËSI I SHPIRTIT

Isak Guta është emri i autorit të librit “Emblema” që hedh dritë mbi jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut, njërit prej mjeshtërve më të mëdhenj të skenës teatrore evropiane. Ai vin përpara auditorit në momentin kur të tjerët përpiqen t’na i vjedhin kubarisht kuotat e larta dhe kur ne e neglizhojmë kujdesin e domosdoshëm për personalitetet pa të cilët nuk ka qytetërim, duke qenë se etnitë vlejnë aq sa i japin botës figura të shquara në art, kulturë, shkencë, politikë… Shi për këtë, veprën e Isak Gutës mbi aktorin e mirënjohur shqiptar, që gjithsesi nuk ka mundur t’u shpëtojë tendencave përvetësuese të shumëkujt, e konsideroj si sakrificën e një dalëzotësi të thesareve të shpirtit.

Kjo është arsyeja e parë përse e çmoj autorin e monografisë, i cili ka punuar 40 vjet për të mbledhur e sistemuar të dhënat mbi jetën dhe veprën e mjeshtrit të madh të skenës teatrore.

Për monografinë, të cilën z. Guta e konsideron: letrare-publicistike, thuhet se është vepra më e kompletuar për Aleksandër Moisiun e studiuar qe 100 vjet nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj. Ajo sjell të dhëna mbi botën e brendshme dhe gjenezën e forcës së artit eruptiv të Moisiut. Nëpërmjet saj, mes tjerash, autori synon dhe demaskimin përfundimtar të shtrembëruesve të përkatësisë etnike të Moisiut. Ai, në njëfarë mënyre, ia rikthen kombit ikonën përfaqësuese të artit skenik të epokës më të lulëzuar të teatrit evropian, gjithnjë i nxitur nga nevoja e brendshme e promovimit të kulturës shqiptare dhe përfaqësimit të figurës së Moisiut me identitetin e tij të mirëfilltë.

Autori beson se nëpërmjet aktrimit të Aleksandër Moisiut rrezaton gjenia artistike e kombit. Ai e konsideron atë emblemë të qëndresës shqiptare – mërgimtare, artist të klalibrit të madh botëror, figurë të madhe krijuese intelektuale, mjeshtër, që përsosi krijimtarinë interpretuese nëpër metropolet e globit, me shfaqjet e luajtura në katër gjuhë të mëdha të botës.

“Emblemën” për Moisiun, Isak Guta përmend rolet e mëdha të aktorit, që nga “Fundërrinat” e Maksim Gorkit, “Gjenovefa” e Hebelit, “Cubat”, “Don Karlos” dhe “Komploti i Fieskos”  të Shilerit, “Edipi Mbret” e Sofokliut, “Vdekja e Dantonit” e Buhnerit, “Edipi dhe Sfinksi” e Hofmanstalit, “Hijet” e Ibsenit, “Mesia e bardhë” e Hauptmanit, “Ai i ka fajet për të gjitha”, “Drita ndriqon në errësisre” dhe “Pushteti i errësirës” të Tolstoit, “Komedia e fatit” e Evreniovit, “Klavigo” e Gëtes, “Dilema e mjekut” e Bernard Shout, „Pentesilea“ e Klajstit, „Georg Dandin“ e Molerit, „Henriku IV“ e Pirandelos,  “Ivanovi” e Çehovit, „Romeu e Xhuljeta“, “Mbreti Lir”, “Henriku IV” e „Otello“ të Shekspirit, duke i kushtuar kujdes parësor rolit antologjik të “Hamletit”, të cilin, para Aleksandër Moisiut, e kanë luajtur aktorë të mëdhenj, si: Garriku, Talma, Rasheli, Kini, Shrenderi, Inflandi, Salvini, Kainci, Duze, Vojani, Basermani, Kaçallovi, Oliveri, Smoktunovski e shumë të tjerë dhe për ctë cilin flitet akoma sot me respekt e përulje nga profesionistët dhe njohësit e skenës teatrore botërore.

Duhet thënë se Isak Guta është studiuesi i parë që flet për konceptin e interpretimit krijues të Moisiut, gjë që e bën monografinë vepër të rëndësishme që meriton të zë vend në çdo bibliotekë shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button