Shkollat e Maqedonisë si shtabe partiake

Aktivistët për të drejtat e fëmijëve dhe sociologët, kërkojnë dënime më të rrepta  për mësimdhënësit, të cilët në vend të përhapin tolerancë, e ndezin fitilin e dhunës.

“Gjysh, të arta tu bëfshin duart.  Duhej edhe më tepër.”

“Pak e kishe, po ku fshihet Sheqerinska?”

Këto komente në Fejsbuk janë lënë nën fotografinë me deputetë të përgjakur dhe të rrahur në Kuvendin maqedonas.  Këto janë komentet e profesoreshave të dy gjimnazeve në Shkup, njofton “Radiomof“.

Kohë më parë, gjithashtu në rrjetet sociale, është publikuar video incizim nga gjimnazi në Prilep, gjatë së cilës drejtorja e shkollës me gjuhë nacionaliste ju bën thirrje studentëve të mbështesin lëvizjen “Për Maqedoni të përbashkët”, e cila bënte demonstrata në gjithë vendin.

“Në moshën tuaj unë qëndrova në mbrojtje të Maqedonisë së pavarur”, ju fliste ajo nxënësve.

“Është turp në institucion arsimor të na mbani fjalime politike”, dëgjohet si ia kthen një nxënëse nga fundi i incizimit.

Një prind, i cili nuk donte të flasë publikisht, dëshmoi se në shkollën fillore të cilën e viziton fëmija i tij, mësimdhënësi e ka mësuar klasën se i pret dy fish më tepër material për mësim, nëse ndërrohet pushteti.

slika_1_aleksandra_filipova_-_mladinski_obrazovni_forum

“Nga vend, ku të rinjtë duhet të mësojnë të shprehen në mënyrë kritike, të mësojnë fakte dhe të vërtetën, institucionet arsimore u shndërruan në godina ku në mënyrë të drejtpërdrejtë kryhet indoktrinim dhe propagandë politike”, thotë Aleksandra Filipova nga Forumi Rinor Arsimor.  Edhe vetë ka qenë viktimë e etiketimeve partiake si gjimnaziste, sepse ka kritikuar reforma arsimore të caktuara qeveritare.

Përzierja e politikës në arsim

Periudhën a kaluar në publik u zbuluan më shumë shembuj të përzierjes së politikës në institucionet arsimore.  Nxënësit i kanë liruar më herët nga mësimi, që të mund tu bashkëngjiten protestave, është shqiptuar kallëzim sepse profesor ka goditur një nxënës pas një debati politik, në shkolla ka postera të ngjitura të cilat bëjnë thirrje për bojkot të mësimit që të rruhet shteti, ndërsa në tubimin partiak të VMRO – DPMNE-së,  mësuese u paraqit me kryq për varrim në të cilin ishte shënuar emri i liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Edhe përskaj asaj se numër i madh i këtyre rasteve janë kundër ligjore, Filipova thotë se institucionet kompetente nuk ndërmarrin asgjë që ti ndalojnë.  Sipas saj, kjo është shenjë se sistemi arsimor keqpërdoret për qëllime partiake.

“Fillimisht i kufizuan nxënësit, pastaj u futën frikën që të mos shprehen lirshëm, dhe në fund drejtpërdrejtë ndikohet mbi mënyrën e tyre të të menduarit dhe mbi qëndrimet e tyre. Në vend që të nxiten të jenë qytetarë aktiv, me etiketime mësohen  të jenë të rinj vasalë, ndërsa pikërisht vasaliteti na solli në gjendje të këtillë, në të gjitha aspektet sociale”, thotë ajo.

Në lidhje me këto raste reaguan edhe nga Ambasada e Parë për Fëmijë në Botë – Megjashi, Dragi Zmijanac, themeluesi dhe kryetari i kësaj organizate, thotë se është shqetësues fakti se sa ndikim kanë partitë politike në arsim, në të cilin të punësuarit më shumë u shërbejnë kauzave partiake, sesa obligimeve dhe detyrave si mësimdhënës.

slika_2_dragi_zmijanac_predsednik_medasi

“Për fat të keq, shkollat bëhen shtabe partiake dhe qendra për rekrutim të rinisë së ardhshme partiake.  Kjo po bëhet në mënyrë suptile ndërsa shumë pak u kushtohet rëndësi edukimit dhe arsimit të fëmijëve tonë.  Përderisa drejtorët dhe profesorët punësohen në baza partiake, ndërsa nuk i kushtohet rëndësi cilësisë së tyre, do ta kemi këtë problem.  Arsimi është i robëruar në partizimin, por ka edhe shumë profesorë të cilët dëshirojnë të dalin jashtë  asaj sjellje vasale”, sqaron.

Shoqëria maqedonase dhe sistemi i saj arsimor janë të dezintegruar, ndërsa vlerat etnike dhe morale janë në rënie, konsideron Zmijanac.  Shton se fëmijët vështirë mund të gjejnë vlera të vërteta në atmosferën kaotike e cila sundon në vend.

Në Megjashi, marrin ankesa të shumta nga prindërit, por shton se edhe përpos apeleve të tyre, nuk ekziston instrument i cili do të kishte sanksionuar keqpërdorimin partiak të fëmijëve.

“Ne angazhohemi partitë politike të luftojnë për të drejta më të mëdha të fëmijëve dhe për mirëqenien e tyre.  Ne, kundërvihemi kur vërejmë se i përdorin fëmijët si folklor ose dekor madje edhe në lidhje me rekrutimin e tyre që në moshë më të vogël, nëpërmjet prindërve ose kuadrit edukativ – arsimor, në mënyrë që ata të jenë trashëguesit e tyre.  Fëmijët kanë prioritete të tjera”, thotë ai.

Gjenerata moralisht të humbura

Ndërkaq, fakti që fëmijët përdoren për qëllimet e promovimit të dikujt, kjo në Maqedoni u bë e zakonshme.  Shtatorin e kaluar, kur kryeministri i kaluar Nikolla Gruevski e çoi vajzën e tij në ditën e parë të shkollës, fëmijët e tjerë e pritën të organizuar të radhitur në dy reshta.  Kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, fëmijët dhe edukatoret e kopshtit për fëmijë, e pritën gjysmë orë derisa u paraqit në promovimin e parkut të ri të qytetit.

Profesoresha e sociologjisë në Fakultetin Filozofik në Shkup, Tatjana Stojanoska Ivanova, është e tmerruar nga këta shembuj.  Thotë se nevojiten dënime më të mëdha për personat të punësuar në arsim, të cilët në vend që të përhapin tolerancë, e ndezin fitilin e dhunës.

“Çfarë shembulli jepet? Nesër secili mund të bëjë thirrje për dhunë.  Çdo mësimdhënës mund të praktikojë të kthehemi në shekullin 16, të marrim shkop dhe të rrahim fëmijë.  Dhuna lind dhunë. Nuk ka mundësi mësues në Fejsbuk të dëshirojë vdekjen e dikujt ose të lavdërojë dikë që ka kryer dhunë. Si, në atë mënyrë, pritet se do të ndalohet dhuna në shkollat? Kjo është dyfytyrësi dhe konsideroj se ata njerëz janë dënim moral.  Njeri i atillë nuk guxon asnjëherë të mbajë ditar në dorë.  Nuk meriton të mbajë epitetin edukator”, thotë ajo.

Shkolla është shtëpia e dytë e fëmijës dhe përpos prindërve, mësimdhënësit dhe profesorët janë ndikimi më i madh i të rinjve.  Stojanoska Ivanova, tërheq vërejtjen se, nëse nuk i vihet fund imponimit të qëndrimeve politike nga pozita e autoritetit, që mund ti frustrojë të rinjtë, kjo në shoqëri do të kthehet si bumerang.

“Fëmijët mësojnë sipas modelit të imitimit dhe identifikimit.  Nëse nga prindërit dhe mësimdhënësit, si model kryesor, pranoni ndikime të gabuara, nëse shohin se dhuna nuk ndëshkohet, mund të paraqiten gjenerata moralisht të humbura.  Përderisa këto shembuj i mbajmë nën rrogoz, ato vetëm do të shtresohen dhe do të na presin gjenerata të dhunshme.   Dhunë në çdo segment”, thotë ajo.

Qytetarë besnik

Deri tani asnjë nga rastet e lartë përmendura nuk është sanksionuar.  Te drejtori i gjimnazit të Prilepit, Inspektorati Shtetëror Arsimor nuk zbuloi asgjë të gabuar.  Në rastet e tjera nuk u hap procedurë.

Vetëm qytetarët me onlajn peticion, të cilën deri më tani e kanë nënshkruar më tepër se 4.300 persona, kërkuan sanksione për një nga profesoreshat e cila publikoi koment plot me fjalë të urrejtjes në rrjetet sociale.

Nga Inspektorati nuk iu përgjigjën pyetjeve tona.  Gjatë deklaratës së tij të fundit lidhur me këtë temë, ministri i arsimit Pishtar Lutfiu deklaroi se ky institucion, është i angazhuar për kontrollin mbi arsimin, duhet në mënyrë profesionale të kryejë detyrën e vet dhe presionet politike duhet të lihen anash.

Gjatë testimit të fundit ndërkombëtar PISA, maqedonasit e moshës 15 vjeçe, në mesin e moshatarëve të 72 vendeve, u gjetën në katër vendet e fundit sipas rezultateve për shkenca natyrore, matematikë dhe lexim.  Rezultatet nuk janë më të mira as në testet të tjera ndërkombëtare.

Indokrtrinimi politik është vështirë të regjistrohet.  Në mungesë të analizës institucionale, vetëm mund të imagjinohen përmasat e problemeve në arsimin maqedonas.  Ajo që është publikisht e qasshme dhe që kohë më parë gjithashtu shkaktoi revoltë publike, janë përmbajtjet e shumta kontestuese ose ilustrimet në botimet e fundit të librave shkollorë.

“Qytetarë besnik i respektojnë ata të cilët janë në pushtet në shoqëri.  Ata çdo herë janë të gatshëm ti respektojnë rregullat dhe dispozitat në shoqëri, edhe me kusht të duhet të heqin dorë nga liritë e tyre”. Këtë e lexojnë nxënësit e klasës së tetë në librin shkollor të lëndës Shoqëri qytetare, ndërkaq të cilin pushteti e aprovoi në vitin 2010.

Shkruan  Daniell Evrosimoski për Al Xhazira Balkans

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button