CIVIL: Klika fashizoide duhet të përgjigjet për thirrjet për vrasje dhe dhunë ekstreme politike!

CIVIL – Qendra për Liri e dënon ashpër shprehjen e urrejtjes dhe thirrjet për linçim dhe dhunën ekstreme politike që haptazi manifestohen rrugëve të Maqedonisë.

“Transparentet në të cilat implikohen kërcënime për vdekje të Zoran Zaevit dhe Radmilla Shekerinskës, të cilat u paraqitën në protestat në organizim të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” më 8 maj, janë vetëm edhe një nga vargu i dëshmive për motivet, porositë dhe qëllimet e këtyre protestave. Ato porosi janë prezente që prej fillimit dhe janë në themelet e kësaj iniciative për të cilën dihet mirë se është e nisur, organizuar dhe e sponsoruar nga VMRO – DPMNE”, thonë nga CIVIL.

Ata shtojnë se pas porosive dhe slloganeve të shumta në të cilat me emërime fyese për shqiptarët, bëhet thirrje për dhoma gazi, sopata dhe të ngjashme, në slloganet e reja shohim edhe një klithje të urrejtjes së skajshme dhe kërcënimeve për jetë.

“Ky është qëndrimi i organizatorëve që manifestohet në vazhdimësi. Kjo urrejtje dhe dhunë janë pjesë e sulmit të përgjakshëm të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në të Enjten e Zezë ( 27 prill). Gjithashtu, opinioni është dëshmitar se institucionet më të thirrura, policia dhe Prokuroria Themelore Publike, qartë tentojnë ta relativizojnë shprehjen e urrejtjes, planin e qartë për skenare të dhunshme dhe brutalitetin që pasoi. Në këtë mënyrë, këto institucione shndërrohen në mundësues dhe bashkëpunues të kësaj klike kriminele dhe fashizoide, e cila tenton të bëjë çdo gjë, dhe ta hedh vendin në humnerë, vetëm e vetëm të mbrojë një grup njerëzish që janë nën hetime dhe akuza serioze të PSP”, thonë nga CIVIL.

Qëndrimi i Civilit është se këto janë shembuj të qartë të veprave të rënda penale, dhe të rrezikimit të rendit dhe sigurisë në vend.

“Asnjë deklaratë ose parullë që do të shërbente si arsyetim ose tërheqje e vëmendjes, në fakt, nuk mundet më të kalojë sepse është tepër e qartë se çfarë po ndodh dhe kush qëndron pas kësaj iniciative të dhunshme dhe kriminele. Prokuroria Themelore Publike dhe policia me kohë duhej të ndërmarrin masa kundër kërcënimeve me  vdekje dhe t’i ndëshkojnë në përputhje me ligjin. Nuk kërkojmë hakmarrje, vetëm kërkojmë funksionimin e sistemit, ndërsa të gjithë ata që nuk e zbatojnë ligjin, e shkelin ligjin me këtë mos-zbatim”, përfundojnë nga CIVIL.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button