MENDJA APO FORCA

“Triumfi dhe tragjizmi i Erazmo Roterdamskit” është një perlë nga mendjekërkuesi shikimqartë Stefan Cvajgu, ku flitet për njeriun e mendimit, Erazmon e Roterdamit, për rolin e tij në kohë udhëkryqesh historike dhe për Martin Luterin, si njeri veprimi.

Është libër që flet për përplasjen ndërmjet humanizmit dhe egërsisë; ndërmjet qetësisë e pacifizmit të njeriut të mendimit dhe tundimit për pushtet të njeriut të veprimit.

Është libër që sikur është shkruar për kohën tonë.

Aty lexojmë: “Ndjenja dhe mendime të reja janë të kapshme vetëm për një rreth të zgjedhurish”, kurse turma “idenë e zëvendëson me një njeri, me një figurë, me një model, sipas të cilit mund t’i japë trajtë vetes”. Kur “një popull i tërë derdh fuqinë e vet në fuqinë e një personi të vetëm, ky e ka të lehtë të bjerë në tundimin që ta shohë veten si të dërguar nga Perëndia”.

Secila kohë, thotë Cvajgu, ka aspiratën e saj dhe ajo aspiratë zë vend te një figurë e madhe. Si rrallë herë në historinë njerëzore ndodhi që kjo aspiratë zuri vend te figura e Erazmit, prandaj të gjithë të veshurit me pushtet: mbretër, princër, papë, kontë, të pasur, donin ta takonin, të ishin pranë tij, sepse të gjithë donin “që me famën e tij t’i shtojnë lavdinë vetes”.

Erazmoja nuk u tundua nga pushteti, por gjithçka e bukur zgjat shkurt. Sapo beson se gjithçka shkon për së mbari, ndodh e papritura. Lavdia e Erazmit u zbeh prej se në horizont u shfaq njeriu i veprimit, Martin Luteri.

Ndryshe prej Erazmos, pra prej njeriut të druajtur, të frikësuar nga çdo e keqe që mund të ndodhte për shkak të ideve të tij, ndryshe, pra, nga njeriu i librave, i mendimit, i qetësisë, heshtjes, paqes, Luteri ishte i eturi për pushtet, këmbëngulësi për idenë e tij, pavarësisht çmimit që duhej paguar.

Ashtu sikurse rrethanat historike e imponuan modelin erazmian, po ashtu e zbehën këtë model sa nisi shkëlqimi i modelit luterian.

Modeli luterian kontribuoi që “mendimi të mbytej nga çmenduria e masave” dhe, për këtë shkak, ndodhën përplasje, beteja, dënime kundërshtarësh ideologjikë. Ndodhi e kundërta e asaj që pretendonte modeli erazmian.
Më vonë, njerëzimi zgjodhi të tjerë modele adhurimi. Zgjodhi njerëz veprimi, që s’u merakosën për etikën, por për pushtetin, jo për të përhershmen, por për përfitimin efemer.

Teksa e lexon këtë libër, gjithsesi, pyetesh: çfarë modeli ka zgjedhur vendi dhe koha ku(r) jetojmë. Nuk ka dilemë: ka zgjedhur modelin luterian.

Me imponimin e programuar të këtij modeli sot përçmohet mësuesi (sa bukur tingëllon kjo fjalë plot magji); mjeku (që si thotë Homeri, vlen sa qindra luftëtarë); arkitekti (që ndërton dhe nuk rrënon); matematikani (që njeh gjuhën e numrave, pra gjuhën e botës); shkrimtari (që të kënaq me magjinë gjuhësore); filozofi (që të fton ta adhurosh dijen); piktori (që na shpalos të fshehurën në padukshmërinë e kësaj bote); muzikanti (që na mundëson nëpërmjet tingujve, siç thotë Mocarti, të shkojmë të qetë edhe nëpër natën e errët të vdekjes). Në të gjithë rastet ata janë të “kotekotshmit” e këtij vendi dhe kësaj kohe.

Prandaj, shumëkush nuk skuqet kur thotë marrëzira para të diturit. Nuk skuqet sikurse Telemaku para Nestorit. Shumëkush, që nuk ka qorruar sytë duke qëndruar sipër librave, gjykon për gjërat që s’i di. Askush – moskush – gjithkushi është koka kompetente për gjithçka. Me lehtësinë e papërballueshme ta cakton rolin që duhet të luash në skenën jetësore e shoqërore.

Ky model adhurimi u imponua prej se me kazma partiake goditi gjithçka të vlefshme, prej se u imponua “filozofia e barazisë”; prej se të gjithë u futën në një thes, sipas një skeme të paracaktuar; prej se u fshi dallimi ndërmjet të mirës dhe të keqes, ndërmjet rrenës dhe të vërtetës, të vlefshmes dhe të dëmshmes, të bukurës dhe të shëmtuarës, të përhershmes dhe të përkohshmes, veçantisë dhe rëndomësisë, kreativitetit dhe trivialitetit. Tmerrësisht, skajshmërisht, idiotësisht, mizorisht, fatkeqësisht.
Prandaj, sot nuk adhurohet mendjegjerësia, por mendjengushtësia. Jo gjuhëpraruesi, por gjuhëmpirësi. Jo kultura, por subkultura. Jo vlera, por kiçi. Jo i qeti, por i dhunshmi. Jo i urti, por i tërbuari.

Askush – moskush – gjithkushi vendos për gjithçka: kush, ku, çfarë roli do të ketë në këtë në shoqëri. Vendos sipas mendjes së tij të llamarintë. Ku(r)do e lartëson të besueshmin e tij, servilin e tij, kopjen e tij.

A do t’i bindim fëmijët tanë se Erazmoja vlen më shumë se sa Luteri, se Diogjen mendari, vlen më shumë se Ajaks shpirtegri, se Krishti vlen më shumë se Baraba?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button