Enver Hoxha ishte mbinjeri, do të lexojnë veprat e tij gjithë njerëzimi si dhe do të shkruajë  zoti i historisë

Gjatë gjithë periudhës së dy regjimeve autoritare dhe totalitare, ky katund ishte fati dhe fatkeqësia e dy prijësave komunistë. Sa më shumë urreheshin dhe acaroheshin ata, aq më shumë diktatura egërsohej në katund. Shtoheshin represaljet dhe arrestimet. Kur dukej se armiqësia dhe urrejtja mes prijësave zbutej, katundi merrte frymë më lehtë. Disa thonin  se këngën e dy prijësave që rapsodët këndonin nëpër dasma  para natës së kobshme, do të këndohet prapë. Katundi  në periudhën e monizmit njihej si kështjellë e nacionalizmit, për disa ishte ajka e enverizmit. Ishte e qartë sepse regjimi e kishte si shënjestër dhe hakmerrej ndaj katundit. Nga ky katund kishte qenë i deleguar për themelimin e alfabetit shqip në Manastir Rexhep Voka, i dyti për Shqipërinë etnike Sabudin Gjura. Disa të përndjekur politik nga UDB-ja famëkeqe ishin arratisur në shtetin amë. Disa ishin dergjur nëpër burgje dhe pasi ishin liruar, ishin arratisur në Perëndim. Pas natës së kobshme, kishte dalë në male dhe në fund ishte arratisur në shtetin amë, një ndër figurat dhe personalitetet më brilante të Malsisë së Sharrit Xhelal Gjura. Pas shembjes së diktaturës, kishte vizituar katundin. I mallëngjyer dhe i zhgënjyer tha, isha viktimë e dy despotëve dhe tiranëve. Përndjekjet, hetimet dhe represaljet kishin vazhduar në këtë katund. Dy të përndjekur politik nga regjimi ishin arratisur në Shqipëri për të shpëtuar kokën. Lajmi mbërriti se nga i njëjti katund kishin hyrë në ujëra dy ‘peshq’. Të dhënat dhe informacionet i kishin marrë të dy prijësat. Bëhej fjalë për një ‘peshk’ të madh dhe një të vogël. Sipas kontratës dhe marrëveshjes mes dy prijësave, të gjithë të arratisurit ktheheshin prapë. Kishte ndodhur rrallë herë, ndonjërin që dinte gjuhë të huaja e kishin ndaluar për propagandë dhe agjitacion dhe në këtë rast marrëveshja rrezikohej. Edhe të dy  prijësat urreheshin dhe ishin armiq në kod, por kur vinin tek parimet bashkoheshin në një pikë. Si zakonisht të gjithë të përndjekurit dhe të burgosurit që iknin dhe arratiseshin në shtetin amë sigurimi, shefat së bashku me hetuesit i merrnin në hetuesi, i torturonin me vegla të veçanta torturuese në qeli, dhe pas shumë muajsh i kthenin pas. I mbanin me vite në burgje famëkeqe dhe në fund i kthenin sipas marrëveshjes. ‘Peshkun’ e vogël e kishin mbajtur në qeli. Torturat kishin filluar dhe klithmat dëgjoheshin jashtë. Ai kishte filluar të rrëfejë. Shoku Enver është idhull, tempulli, ikona ime. Enveri është dhe do të jetë i përjetshëm mëues i popullit dhe i gjithë njerëzimit. Ai është mbinjeri. Për prijësin do të shkruajnë dhe lexojnë gjithë njerëzimi në rruzullin tokësor. Do të shkruajë dhe zoti i historisë. Për liderët e prijësit isha dergjur nëpër burgjet e Jugosllavisë. Kisha  braktisur çdo gjë, nënën time të dashur, të dashurën time që më dhurojë 3 djem dhe njërin e pagëzova me emrin e prijësit. Dua të më sillni tek prijësi, dua të takohem me prijësin. Sigurisht, shoku Enver nuk e di që më torturuan.  Hetuesi edhe më shumë u acarua duke dhënë urdhër, që ti sjellin veglat e reja torturuese. Para kufirit, duke rënkuar dhe klithur tha, ju lutem mos më ktheni, më mirë më dërgoni në ferr se prapa. Hetuesi në fund e kishte pyetur, doni në Perëndim apo në Lindje? Ku të doni, por vetëm prapa jo. Ke patur pasaportë, ke mundur të shkosh edhe në Perëndim edhe në Lindje spiun i dyfishtë. ‘Peshkut’ të madh i ishin hakmarrë me dënime dhe tmerre duke vuajtur me vite të tëra nëpër burgjet më famëkeqe të kampit komunist. Despotë dhe tiranë më barbarë të bastionit stalinist. Në fund ngërçi ishte gjetur. Për të dy prijësit ky ‘peshk’ kishte qenë i rrezikshëm. Ai kishte një fuqi impersonale dhe karakter të fortë. Nuk iu bind as njërit prijës, as hetuesve që e torturonin nëpër biruca duke ia ndërruar veglat e torturës. Pas shumë viteve u kthye në moshë të thyer. Ai ishte kureshtar dhe stoic. Nuk u ankua asnjëherë për vuajtjet, dhimbjet dhe torturat që kishte përjetuar. Disa miqve të afërt u kishte thënë, duke ikur nga ferri hyra në fund në ferr, ku djalli kishte ikur dhe ishte tallur. Në fillim të viteve 80-të, pas vdekjes së Titos regjimi kishte zbuluar një grup të cilët i kishin akuzuar për kontrarevolucion, iridentizëm, separatizëm dhe bashkangjitje me shtetin amë ‘Shqipëria e madhe’. Pas arrestimeve situata kishte eskaluar. Të dy shtetet kishin mobilizuar forcat ushtarake në kufi. Këtë radhë Enver Hoxha kishte folur posaçërisht për këtë katund. Ne do ti çlirojmë nga socialimperialistët, socialrevizionistët dhe nga titistët vëllezërit tanë. Gazetat shkruanin se katundi gjendet mes disa fshatrave afër trekëndëshit  Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Mes bisedimeve të fshehta, Beograd -Tiranë do të bëjnë këmbim territoresh. Ky katund që shumica e dinin një ndër provincat më rebeluese ka qenë mollë sherri çdo herë. Në katund menjëherë kishin filluar përçarjet. Në mëngjes dy pleq me një shkop e kishin caktuar kufirin. E kishin ndarë katundin.  Njërën pjesë me Shqipërinë,  pjesën tjetër me Jugosllavinë ose po të duan pleqtë, thanë dhe me Bullgarinë. Një mësues thoshte, është vështirë të jesh shqiptar i këtij  katundi me damkë e nishan. Ju poshtë e keni lehtë. Çdo herë në kufi  i ndalnin  dhe i merrnin në pyetje, kur në çertifikata dhe pasaporta lexonte emri i katundit.

‘Nuk i dilet në ballë Allamanit me një pushkë prej çatallit’

Duke udhëtuar në Perëndim ku punonte, një zotëri nga ky katund tha,  në kufirin e Sllovenisë ish republika më liberale në atë kohë thonin se prej këtu fillon Europa. Doganieri kur pa pasaportën e ndali dhe e drejtoi në një dhomë. Inspektori dhe shefi i doganës tha, që duhet të kemi disa informacione. Ai iu drejtua, ju jeni një provincë rebeluese, që doni të bashkoheni me Shqipërinë. Zotëria i frikësuar iu drejtua inspektorit, nuk është provincë është katund, shoku inspector. Inspektori duke e shikuar në sy tha, nuk është as qytet, është katund i vogël. Duke pyetur më gjerë për origjinën e familjes kryesisht  për prindërit, zotëria filloi të marrë frymë më lehtë. Ai rrëfente se gjyshi ka qenë jeniçer dhe deri në vdekje mendonte se do të kthehet Perandoria Osmane. Babai im në kohën e monarkisë jugosllave, kishte mbaruar  shkollën fillore katër vjeçare në gjuhën serbo-kroate, dhe kishte shumë nostalgji për mësuesin mga Kraleva. Më kujtohet pas luftës si fëmijë kur shkoja në qytet, babai më porosiste të kthej tek një berber dhe ta pyesë se a do të kthehet krajli. Herën e fundit berberi më tha, thuaj babait se nuk kthehet as krajli i tij dhe as mbreti im. Shefi i doganës i tha inspektorit është për tu habitur herë e parë të dëgjojë që dhe shqiptarët e paskan dashur krajlin tonë. Pas mbarimit të luftës babai ngeli pa punë dhe merrej me bujqësi. Vendin e punës ia kishte zënë një partizan, që nuk dinte të shkruante emrin e vet. Babai rrëfente se ky bilmes dhe tërllak kishte dalë në male, me një çatall pushke ti dalë në ballë allamanit. Në fund nxori librezën e anëtarësisë, lidhjes së komunistëve dhe ua tregoi atyre. Njëherë më tha udhëheqësi i repartit  atë librezë tregojua atyre poshtë.

Mirëse na erdhe o trim i maleve, qofsh e rrofsh sa malet e Sharrit’

Katundi kishte qenë më se 40 vite një ndër kështjellat më rebeluese. Pas shpërbërjes së ish- Jugosllavisë dhe luftërave, vazhdonte sikur të ishte qendër e Ballkanit. Gazeta më prestigjoze e Serbisë shkruan, në Jugosllavinë e Titos askujt nuk i shkonte ndërmend se ky vend është një katund. Të gjithë mendonin se është provincë ose qytet i madh. Pas luftës në Kosovë filloi dhe u hap edhe në Maqedoni.  Në bisedime mes dy palëve   që ishin në luftë, as ndërkombëtarëve dhe  amerikanëve nuk u shkonte ndërmend se bëhej fjalë për një katund, saqë Pentagoni kishte dërguar hiperdiplomatin  e tyre si ndërmjetësuesi i posaçëm mes palëve që ishin në luftë. Ky diplomat amerikan kur kishte parë se pashallarët e kombit nuk kishin kurrgjë në dorë. Diplomati amerikan së bashku me një reporter lufte të New York Times ishte ngjitur maleve të Malsisë së Sharrit dhe kishte arritur në këtë katund. Ky katund ishte bërë qendra e botës. Kur  komandanti i ushtrisë çlirimtare dhe diplomati amerikan ishin takuar kokë më kokë kishin filluar bisedimet. Pas bisedimeve komandanti me luftëtarët kishin zbritur si mjegulla nga malet dhe ishin stresuar në atë katund. Komandantin dhe luftëtarët gjithë Malsia dhe katundi i kishin pritur si Mesia, me lule emocion dhe vokacione. Kryebashkiaku i kishte thënë duke e përqafuar ‘mirëse erdhe o trim i maleve, rrofsh e qofsh sa malet e Sharrit. Jemi të varfër, të vuajtur dhe pa punë. Në këtë katund janë të punësuar hoxha, muezini, 3 mësues dhe shërbëtori i shkollës fillore. Komandanti ishte drejtuar duke thënë, do të ndërtojmë   uzina e kombinate, kemi besën, ky katund me shekuj u ka bërë rezistencë gjithë armiqve ka sakrifikuar për çështjen  dhe kauzën kombëtare. Katundin do ta shndërrojmë nga ferri në parajsë. Me mbarimin e luftës komandanti me shokët e luftës kishin zbritur poshtë. Ata kishin lënë armët dhe kishin rrokur politikën. Me afrimin e zgjedhjeve aktivistët politik kishin premtuar shumë. Në fund gjithë katundi kishte votuar për partinë që kishte dalë nga gjiri i luftës. Ata pasi i kishin marrë votat nuk ishin kthyer deri në zgjedhjet e ardhshme. Kryebashkiaku e kishte dërguar ish korrierin e komandantit, në selinë e tyre për ndihmë. Ata kishin thënë se jeni adresuar gabim,  harroni derën tonë, shkoni tek ata që ua keni dhënë votat. Ish korrieri i komandantit, i brengosur u kishte treguar katundarëve. Në çajtore ishin tubuar të gjithë. Një plak i gjatë me shkop   në dorë, i ra tavolinës me shuplakën e dorës. Me zë të lartë bërtiti, haram u qoft buka! E kemi ushqyer me mish qingji, petulla dhe fli, komandantin. Në fund e mori fjalën kryebashkiaku. Ne u besuam idealeve, u besuam fjalëve se së paku do të bënin diçka për këtë popull të vuajtur e të varfër. Ata zbritën poshtë dhe na e kthyen shpinën. Të etshëm për pushtet, pasuri dhe luks, na harruan përgjithmonë. Qysh në kohën e krajlit, katundi ynë ka qenë komunë. Kemi pasur më shumë të punësuar se tani. Kur e morën partitë tona hyqmetin iu bë më keq. Të gjitha partitë i provuam asnjëra nuk na solli të mira. Në zgjedhjet e ardhshme më mirë do të votojmë për Zoran Zaevin.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button