Revolucioni i vonuar i Menduh Thaçit

Në shkencat politike dhe sociale fjala “revolucion” ka kuptimin e një ndryshimi të befasishëm, të vrullshëm dhe të menjëhershëm në një shoqëri politike të organizuar, shpeshherë ndryshimi është edhe i dhunshëm, ku masat bëhen bashkë për të rrëzuar dhe përmbysur një sistem të caktuar qeverisës. Revolucionistët, ju kundërvihen gjithçkaje që ka të bëjë me një sistem të caktuar dhe nuk kërkojnë ndihmë nga pushteti për të ardhur në pushtet, ato e përmbysin pushtetin dhe jetësojnë idealet e tyre për një rend të ri politiko-shoqëror. Të gjithë revolucionet që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit janë udhëhequr nga lëvizje të reja sociale apo politike dhe nga njerëz të ri apo figura të reja, të pa afirmuara e të panjohura për shoqërinë deri në ato momente. Ato, revolucionistët, nuk kanë qenë kurrë pjesë e atij sistemi – të cilët duan ta përmbysin me çdo kusht.
 
Po të tentojmë të bëjmë një ndërlidhje të idesë për “revolucion” të Menduh Thaçit dhe revolucioneve që ka parë historia botërore, do të arrijmë në përfundime jo vetëm qesharake, por edhe tepër jologjike dhe totalisht absurde.
 
Si mendon PDSH-ja dhe Menduh Thaçi të bëjnë revolucion me figura të tilla që 20 vite janë në skenën politike, madje duke qenë edhe me vite të tëra pjesë e atij pushteti që sot duan ta rrënojnë!? Revolucionistët, me shpirt dhe bindje nuk janë selektiv në përzgjedhje, ata atakojnë gjithçka që identifikohet një sistem i caktuar qeverisës. Si mund të ndodh “revolucioni” i Menduh Thaçit kundra këtij shteti – ku ai ka disa kryetarë komunash, qindra këshilltarë komunal, mijëra administratorë shtetëror (lexo: militantë partiak) të punësuar dhe dhjetëra drejtorë nëpër komunat që udhëheq subjekti i tij politik!? Apo vallë, mos ndoshta revolucioni që kërkon Thaçi drejtohet edhe kundër njerëzve të tij që janë pjesë aktuale e sistemit! Ndoshta gjithë ky “revolucion!” drejtohet edhe kundër Ziadin Selës, si dihet!
 
Se “revolucioni” i Menduh Thaçit është me shumë kontradikta, kjo nuk është pjesë e trajtimit të këtij opinioni, por do të tentojmë të elaborojmë pse ky “revolucion” është shumë i vonshëm!
 
Revolucioni i Menduh Thaçit dhe PDSH-së është më se i vonuar ngaqë ai deri më tani ka pasur shumë mundësi të arta jo vetëm të jetë pjesë e revolucioneve që ndodhën ndër shqiptarët e Maqedonisë, por të jetë edhe bartësi kryesor i shumë proceseve të më pasme politike. Ai kurrë nuk e bëri këtë, ai kurrë nuk ju bashkua popullit dhe kurrë nuk u bë zëri i tyre dhe gjithmonë në momentet më kritike të shqiptarëve ai u rreshtua gabimisht, duke marrë anën e palës tjetër.
 
Mundësia e parë për triumfalizëm politik dhe revolucion për Menduh Thaçin ishte viti 1994, periudha kohore kur nga shumë intelektualë shqiptarë u iniciua themelimi i Universitetit të Tetovës (UT). Ai dhe partia e tij e sapoformuar, jo që nuk u bënë pjesë e kësaj iniciative gjithëkombëtare, por e penguan atë në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme, madje duke organizuar edhe protesta kundër UT-së që u themelua me gjak, ndërsa kulminacioni ishte hapja e një kolegji privat, UEJL-së, që ishte edhe vula e antipatisë së tyre ndaj projektit më të madh kombëtar. UT-ja nga krerët e PDSH-së u quajt edhe kotec pulash apo “mUTë”.
 
Mundësia e dytë për triumfalizëm politik dhe revolucion për Menduh Thaçin ishte viti 2001, periudha më e lavdishme e shqiptarëve. Atëbotë, PDSH-ja participonte në pushtetin qendror edhe pse nuk kishte fituar besimin e popullit shqiptar. Në vend që ai, Thaçi dhe PDSH-ja, të përkrahnin luftën çlirimtare të UÇK-së, ata bashkë me pushtetin sllavo-maqedonas ju vërsulën UÇK-së në të gjitha format. PDSH-ja dhe Menduh Thaçi luftën e 2001-it e quajtën tradhti kombëtarë, luftëtarët e UÇK-së i quajtën hajna e kriminelë, ndërsa dëshmorët – viktima. Ai dhe PDSH-ja nuk u larguan as një sekondë nga komoditeti i pushtetit kur bombardoheshin fshatrat shqiptar të Tetovës e Likovës dhe të bëhen pjesë e revolucionit shqiptar, por vazhduan dashurinë e tyre me “partnerin strategjik”.
 
Mundësia e tretë për triumfalizëm politik dhe revolucion për Menduh Thaçin ishte viti 2007, periudha më e errët e shqiptarëve që nga pluralizmi politik. Si për çudi, atëbotë ishte njëjtë po ajo PDSH-ja në pushtet, edhe pse nuk kishte fituar besimin e popullit shqiptar. Këtë herë ndodhi masakra e Brodecit, ku nga forcat policore-ushtarake sllavomaqedonase në një aksion spektakular u ekzekutuan barbarisht dhjetëra shqiptarë të pafajshëm dhe u terrorizua e gjithë Malësia Sharrit. Menduh Thaçi, në vend që të lëshoj atë pushtet në shenjë revolte dhe t’i bashkohet zërit të popullit, e cilësoi atë si “aksion të suksesshëm” dhe vazhdoi dashurinë e vjetër me “partnerin e tij strategjik”. 
 
Mundësia e katërt për triumfalizëm politik dhe revolucion për Menduh Thaçin ishte 13 Prilli i vitit 2014, ku të gjithë shqiptarët u bënë bashkë për të luftuar konceptin etnocentrik të këtij shteti që tenton të instaloj pala tjetër, ai tradhtoi edhe fjalën e tij se “nuk merr pjesë në zgjedhje presidenciale” dhe zhgënjeu të gjithë shqiptarët duke kandiduar për president, profesorin e marksizmit, z.Iljaz Halimin. 
 
Këto ishin vetëm ca momente të arta për Menduh Thaçin për triumfalizëm politik dhe revolucion, të cilin sot ai e kërkon me gjithë ngulm si pasojë e ikjes enorme të elektoratit të tij. Ai të gjithë këto nuk i bëri, edhe pse e dinte tepër mirë se po t’i bënte ndoshta do të kishte përkrahje më të madhe se vetëm 35 mijë vota shqiptare. 
 
Menduh Thaçi dhe PDSH-ja edhe pse kurrë nuk fituan besimin e popullit, aq gjatë kanë qenë në pushtet sa që të gjithë këto që kërkojnë t’i bëjnë me revolucion me 27 Prill, do ti bënin për mrekulli edhe me evolucion. Andaj, ky “revolucion” i paralajmëruar mund të cilësohet si shumë i vonuar dhe populli këtë e di më së miri.
 
Edhe këtë opinion do e përfundoj me të njëjtën fjali, të opinionit të mëhershëm. Njerëzit e revolucionit janë të tjerë, ata nuk kërkojnë ndihmë nga Mijalkov apo Gruevski kur duan vërtetë të vijnë në pushtet. Revolucionistët nuk kërkojnë ndihmë nga pushteti për të ardhur në pushtet – ato e përmbysin atë.

Lajme të ngjashme

Back to top button