A thua kishte të drejtë Gruevski për kuadrot shqiptare në qeveri?

Kryeministri Gruevski tha se ai është shtylla kryesore për realizimin e të gjitha projekteve “madhështore” nëpër vendbanimet shqiptare dhe se ato projekte e kanë vulën e VMRO-DPMNE. Ai ka vënë në pah dështimet dhe paaftësinë e ministrave dhe kuadrove shqiptarë. Nuk dëshiroj ta besoj, por e vërteta e hidhur është më i mirë dhe mashtrimi më ëmbël.

Asnjë popull nuk mund të përparojë pa e vënë në efiçiencë të plotë pasurinë më të vyer, mendjet e kthjellëta, dituritë e tyre në pozita të rëndësishme shtetërore. Të gjithë duhet ta dimë se çështja në fjalë ka një rëndësi të madhe për neve, saqë nuk do të ishte teprim nëse e quanim kapitale, sepse aktiviteti ekonomik i shqiptarëve, pa projekte të ngritura mbi teorinë shkencën dhe dijen, i ka bërë që shqiptarët të ecin verbërisht midis problemeve ekonomike, opinioneve të kundërta dhe propozimeve të pabaza të politikanëve. 

Fjalimi i Gruevskit duhet të jetë shkollë për partitë politike shqiptare në pushtet, ata duhet ta nxisin kontributin vetjak, por edhe më të gjerë në lëmin e zhvillimit ekonomik bazuar në platformën e qartë ekonomike nëpër nënsistemet e suazës institucionale që quhet sistem ekonomik dhe sistem politikë. 

Ata janë të obliguar të formojnë aleanca strategjike me ekspertë, pasi vetëm në atë mënyrë synimi strategjik për zhvillim ekonomik do ta zërë thelbin e fitores. Ky synim i zhvillimit ekonomik që të jetë i qëndrueshëm dhe i realizueshëm nuk kërkon aktivitet vetëm të liderëve politik por aktivitet të përbashkët të tri grupeve të specialistëve shqiptarë, përfshirë këtu ekonomistët, juristët dhe politikanët të kyçur në qendra të zotësisë. Ekonomistët janë ata që duhet të vërejnë dhe sinjalizojnë devijimet ekonomike në shoqëri, të propozojnë aksione, nga ato nxjerrin konsekuenca dhe të parashtrojnë kërkesa dhe për qëllimet në interes të shqiptarëve. Juristët formulojnë masat dhe aktet normative për t’i propozuar në kuvend, kurse politikanët në kuadër të veprimtarisë së tyre në sferën ekonomike tregojnë qëllimet, zgjedhin mjetet, përcaktojnë kohën e zbatimit të politikës ekonomike etj. Këto tri grupe specialistësh duhet të ndihmojnë në zhvillimin e një strategjie që jo vetëm të vëzhgojnë pozicionet e palës tjetër, por edhe të zhvillojnë pozicionin e vet. Ata në aplikimin e politikës ekonomike duhet t’i realizojnë qëllimet e zhvillimit, duke i shfrytëzuar mundësit që shfaqen gjatë udhëheqjes dhe pjesëmarrjes në qeveri, si dhe duke i dhënë ndihmesë pozitive ekonomisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button