Shpirti jetësohet kundrejt sulmeve fizike e fuqizohet më shumë pas çdo goditje

Edhe pas një jave, nuk mu shua kujtesa për ngjarjet makabre të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë. Edhe pas shtatë ditësh kur pash deputetin me tërë ato fasha, trupi mori dridhje të papërshkruara, lëkura shkoi rënqethësi, fashat në kokë ndiznin më shumë kujtesën, njollat errësojnë edhe më shumë atë natë.

E rrahën para meje, e shkelmosen si është me së keqi, në fund të shkallëve të Kuvendit, në hyrjen kryesore të saj e cila mbante dyert e mbyllura. Shkelmosjet shkonin në të shpejtë të shoqëruara me zërin e një huliganeje. Po. Huliganeje. Ishte femër. Deri sa disa individë e shtruan në kolltuk të sulmuarin në prapavijë ulërinte e tmerruara, përsëriste “ju pritëm me muaj se mos po hiqni dorë nga platforma, ju ende njëjtë. Nuk ju mjaftoi kjo krizë, sot zgjodhët kryetar, edhe atë shqiptar! Si mund ta bëni këtë, si, si?”. Përnjëherë deputeti humbi sysh. Nuk e di çfarë ndodhi, ku shkoi dhe kush e mori? Humba unë sytë apo atë e përpiu toka?

Ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë do të hyjnë në historinë e re të Maqedonisë demokratike. Nëse për një pavarësi të një shteti duhet të derdhet gjaku i popullit, për demokracinë e tij duheshka të derdhet gjaku i deputetit?! Kjo është formula që e ndjeka Maqedoninë, kështu deshi partia në ikje, kështu deshën servilët e saj. Po qe deshën policët? Këtë nuk e kuptoj!

Me muaj të tërë jemi të pushtuar me thirrjet e shumta nacionaliste që bëhen nga partia dhe protestuesit e caktuar, po aq muaj Shkupi brohorit nga thirrjet e këtyre të fundit për “rruajtje” të shtetit të Maqedonisë nga kërcënimi i shqiptarëve.

As sot nuk e kuptova ku e kërcënuan shqiptarët Maqedoninë, ku e kërcënova unë atë?!

As që dua e as që do ndonjëri të kërcënojë dikë, këtë nuk na e lejon respekti, sepse frika do na e kishte dhënë të drejtën që moti. E sa herë thuhet që njeriu percepton tek njeriu atë qe e posedon vetë.

Maqedonia e veshur nën petkun e një shteti ku sundon “drejtësia” e ku triumfon “siguria” ajo u sulmua nga “miqtë” e saj. “Mbrojtësit” e saj sypatrembur dhe të buzëqeshur mirëpritën “miqtë” e saj, bënë që të njëjtët t’i pranojnë në konakun e saj si të jenë mysafirët më të rëndësishëm të saj, por nuk mjaftoi vetëm mikpritja, ndaj tyre u bë edhe shërbimi më i mirë.

Nuk u penguan aspak e as u arrestuan numri i shumtë prej tyre!

Nëse për protestuesit u sigurua mburojë, çfarë u sigurua për popullin?

Në atë çast, aty, vdiq besimi e siguria, u shkatërrua konaku i shtëpisë. E ne shqiptarët e dimë shumë mirë se konaku paraqet shtyllën e një familjeje. Kur shkatërrohet konaku, merr fund tërë familja.

E kush mund të jetë konaku i Maqedonisë përveç se Kuvendi. E sa më dhemb të them, se Maqedonia do ta mbajë mend këtë, do ta mbaj mend se si u godit pas shpine nga “miku” më besnik i saj. Thika shkoi thellë…. a e dini pse? Sepse vetëm një “mik” mund të dijë se ku shoku i tij ka muskulin më të butë e më të dobët. Vetëm një “mik” e di pikën e dobët të mikut, ai sulmon aty, ai e di edhe si do të frymojë, madje edhe si do e lëshojë edhe frymën e fundit e si mund të jep shpirt.

Por, harruan se shpirti i mikut jetësohet kundrejt sulmeve fizike e fuqizohet edhe më shumë pas çdo goditje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button