A është Zorani Nikollë?

Ditëve të fundit mediet serbe trumbetojnë me të madhe ndryshimin e kursit të Serbisë ndaj Maqedonisë. Thuhet se ajo do ta rikthejë në përdorim emrin FYROM, aq të urryer nga maqedonasit “antikë”. Një revidim i tillë vendimesh paraprake sigurisht që mund të shkaktojë efektin domino, duke thelluar, para së gjithash, krizën shumëvjeçare të Maqedonisë me Greqinë. Ky, natyrisht, mund të mos jetë dënimi i vetëm të cilin Serbia planifikon t’ia bëjë qeverisë së Shkupit, sepse, siç dihet, ndërmjet dy ish republikave të federetës jogosllave ekzistojnë plagë të vjetra, si puna e mospranimit të autoqefalitetit të kishës ortodokse maqedonase…

Thuhet se kjo do të ndodhë për shkak të pranimit të Republikës së Kosovës nga ana e Maqedonisë, gjë që mund ta shtyjë këtë të fundit të kërkojë shpëtim në ndonjë reng eventual antishqiptar.

Çështjen e paqartësoi dhe intervista e z. Zaev dhënë medieve serbe, vetëm dy ditë pas të enjtes së përgjakshme në kuvendin republikan, me ç’rast u përpoq të dëshmojë se është më proserb se Nikolla Gruevski, i cili paska mëkatuar kur votoi në favor të mbrojtjes së kishave dhe manastireve të Kosovës nga UNESKO-ja. Sipas tij: Në Kosovë është historia e Serbisë, atje është zemra e Serbisë…

Pas kësaj paraqitjeje inferiore në mediet proqeveritare të Vuçiqit, të cilat, të paktën ndaj nesh, nuk kanë ndryshuar me asgjë prej paçavrave të epokës millosheviqiane, shtrohet pyetja: a mund të ndodhë që qeveria e ardhshme e z. Zaev të kërkojë revidimin e vendimeve që lidhen me Republikën e  Kosovës?

E pabesueshme, apo?! Por jo dhe për vendin e çudirave, që historikisht ka luajtur rolin e sejmenit të devotshëm serb dhe ka qenë një dajm poligon i testimit të durimit shqiptar.

Të merremi vesh: hë për hë nuk dua ta besoj këtë mundësi, por z. Zaev rëshqiti akoma pa e formuar qeverinë e re, e cila nuk guxon të jetë antishqiptare si ajo e Gruevskit. Kjo na e jep të drejtën t’ia shtrojmë ca pyetje sot dhe këtu:

Përse kryeministri i ardhshëm duhet t’i ligavitet një shteti të armiqësuar me fajin e vet pothuajse me të gjithë fqinjët?

Përse i amnistoi vellëzërit serbë për krimet shekullore të bëra mbi shqiptarët, të pranuara publikisht nga historianët, mediet dhe veb-faqet e panumërta serbe, të arritshme për secilin adhurues të së vërtetës?

Përse planifikon të shfajësohet perpara Ivanovit lidhur me kërkesat tona për jetë të barabartë me maqedonasit në stilin e shpendit të Edgar Alan Po-së: kurrë më!, kur diplomacia perëndimore e thotë troç se: deklarata e shqiptarëve synon vetëm realizimin e plotë të të drejtave të mohuara të parapara që në vitin 2001 me Marrëveshjen e Ohrit?

Pyetje si këto mund të shtrohen me qindra, por, të presim e të shohim nga do t’ia mbajë lundra?

Dua të besoj se z. Zaev, për partinë e të cilit votuan mijëra shqiptarë e ka të qartë se epoka e albanofobisë vmro-iste morri fund me krimin e të enjtes, sepse ndryshe: ku do të qëndrojë dallimi ndërmjet të djeshmes dhe të sotmes, ndërmjet Zoranit dhe Nikollës?

Sigurisht se z. Zaev do ta ketë problem mposhtjen e të keqes së mbjellur me sistem nga diktatura e Gruevskit dhe frikën nga hegjemonizmi kanosës serb, por kjo nuk duhet t’i shërbejë si alibi për t’i irituar bashkëvendësit e tij me zemrat e Serbisë brenda trojeve shqiptare. Aq më tepër kur Kosova nuk i ka dëmtuar me asgjë serbët dhe nuk e ka përdhosur Mollën e kuqe të askujt…

Kjo duhet thënë patjetër, sepse nuk e kemi më ndërmend të bëjmë firo të ardhmen e fëmijëve tanë. Shi për këtë, kryeministri i ardhshëm duhet ta thotë troç: në ç’pika do të ndryshojë domosdoshmërisht Maqedonia për shqiptarët, për t’mos qenë e njëjtë me shkretishten gruevskiane?

Luksi i lojërave me shqiptarët ka përfunduar. Ato nuk do t’i lejojë faktori i unifikuar politik shqiptar, pa të cilin nuk mund të ketë ndryshim serioz pushtetesh.

Tamam puna të vijë sërish në shprehje mekami: kapërceva jazin – ta lufsha kalin!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button