DEMOKRACIA E DHUNUAR 

Aty ku terrorizohet deputeti, qytetari pa imunitet mund të vritet “si qen”, sikurse thuhet te “Procesi” i Kafkës.

Në Maqedoni është dhunuar demokracia prej një turme të shfrenuar, të dirigjuar nga një regjim makbethësh, i cili, me vite, e ka prodhuar ligësinë.

Regjimet e këtilla nuk bien lehtë sa mendohet, sepse rron, për shumë kohë, fantazma e tyre; vepron urrejtja që e kanë mbjellë në koka njerëzish.

Një regjim i këtillë nuk ngritet vetëm në sajë të një prijsi, i cili beson se ka lindur për të sunduar deri në frymën e mbramë.

Në ngritjen e një regjimi të këtillë marrin pjesë ata që përligjin të keqen në emër të pushtetit.

Marrin pjesë ata që prodhojnë makina krimi.

Marrin pjesë shërbimet inteligjente, që kontrollojnë çdo sferë, madje edhe atë private dhe të cilat nuk dekompozohen lehtë.

Një regjim i këtillë ndërtohet nga politikanë që dijnë të bëjnë vetëm keq; nga shërbëtorë të bindur se bëjnë mirë duke i shërbyer tiranisë; me një president servil; me profesorë, shkrimtarë, artistë, që e kanë pranuar poshtërimin dhe nuk kanë kurrfarë kuraje qytetare; me gjykata që ndajnë padrejtësi; me media të kontrolluara dhe në shërbim të tiranisë; me shpikje të armiqve fiktivë, të jashtëm dhe të brendshëm, për të mobilizuar nënshtetasit në përkrahje të regjimit.

Një regjim i këtillë ndërtohet me gjithçka tjetër veç asaj që është normale dhe njerëzore.

Ky regjim do të tentojë të qëndrojë në këmbë për aq sa mundet, kurse më pas do të mbetet vampiri i tij.

Ajo që ndodhi në Parlament ishte pasojë e terrorit verbal të krerëve të këtij regjimi, që përmendën madje edhe “natën e thikave të gjata”. Pas çdo terrori verbal vjen terrori fizik.

Dhunimi i demokracisë nuk kishte si të mos vinte, kur për të kontribuuan politikanë dhe intelektualë shtetërore. Ata e mbrojtën regjimin që e cenoi vullnetin dhe mendimin e lirë; që e bleu apo e vodhi votën; që e frikësoi hallexhiun. E mbrojtën sistemin e kalbur së brendshmi. E mbrojtën fasadën pa përmbajtje. E mbrojtën identitetin e shpifur. E mbrojtën kiçin politik që prodhoi vetëm sllogane e refrene. E mbrojtën injorancën, e cila u ngjit deri në Olimpin e shtetit. Dhunuesin nuk e nxorrën përpara drejtësisë, por përtej drejtësisë, e ushqyen mirë për të ndihmuar regjimin. Këtë regjim e ushqyen edhe “disidentët” e sotëm, që kanë nisur t’i valojnë flamujt e ri. Për “disidentët” e sotëm gjithçka është mirë nëse ata janë mirë. Këta janë shërbëtorët më të mëdhenj të çdo robërie.

Ky regjim, mjerisht, është ledhatuar edhe nga diplomacia. Bërrllogu është hedhur nën rrogoz. Por ai kurdoherë del në sipërfaqe, ashtu sikurse në ditën kur u përgjak deputeti apo gazetari, teksa policia e analizonte situatën! Një polici që nuk e mbron deputetin brenda në Parlament, ajo nuk mund ta mbrojë qytetarin e thjeshtë, i cili e paguan me taksat e tij.

Ky regjim nuk e ka duruar mendimin opozitar. Ta heqësh opozitën në një shtet, thotë Andre Gide, është ftesë për terrorizëm.

Ky regjim është thirrur në turmën, të cilën e ka helmuar me urrejtje. Ai që merret me politikë dhe mbështetet te turma e tërbuar, e etur për krim, turma pa tru, turma e frikshme, turma që vepron me rrëmbim e instinkt, ai nuk e ka vendin në politikë. Ai është destruktiv.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button