Sela dhe Zaev u gjakosën për ne

Megjithëse më tepër më ka prekur sulmi ndaj Selës, respekt të veçantë meriton edhe lideri socialdemokrat Zoran Zaev. Pas qëndrimit stoik në Parlament, ata së bashku me Taravarin kanë merita edhe për ruajtjen e gjakftohtësisë dhe moseskalimin e dhunës

Demokraci do të thotë sundim i shumicës. Në një shtet demokratik shumica merr vendime dhe drejton shtetin, gjithmonë me disa kufizime, me disa vija të kuqe për sa i përket trajtimit të pakicës. Mirëpo në shtet jemi 2 milionë njerëz, që nuk mundemi orë e çast të merremi me politikë e të sjellim vendime. Edhe sikur të donim, nuk ka vend e mënyrë për të mbledhur gjithë qytetarët për të marrë vendime të përbashkëta. Për këtë shkak ne herë pas here mblidhemi dhe caktojmë disa njerëz që do të flasin në emër tonë. Këta mblidhen në një vend të quajtur Parlament, ku zbatojnë vullnetin tonë dhe sjellin vendime në emrin tonë. Kjo është esenca e asaj që quhet demokraci parlamentare.

Të enjten e kaluar hordhi barbare të dirigjuara nga krerët e VMRO-së ia mësynë Parlamentit, pra këtij vendi ku simbolikisht jemi prezent të gjithë ne si qytetarë. Ata sulmuan dhe rrahën fizikisht deputetët, ata njerëz që ne i kemi dërguar të flasin në emër tonë. U pa se sulmuesit kanë patur caqe të caktuara se kë të sulmojnë, ndër të cilët kryesorët kanë qenë dy liderë të opozitës së deridjeshme, Zijadin Sela dhe Zoran Zaev. Jo rastësisht ata janë më të rrahurit dhe më të gjakosurit. Madje sulmi ndaj tyre ka domethënie edhe më të madhe, pasi ata janë edhe kryetarë partish. Pesha e tyre, zërat që ata përfaqësojnë, janë edhe më të mëdha se të përfaqësuesve tjerë. Numerikisht ata përfaqësojnë më tepër se gjysmën e popullsisë së Maqedonisë. Mu për këtë rrahja e tyre është e barabartë me rrahjen e popullit. Simbolikisht u rrahëm të gjithë, fizikisht ata u gjakosën për ne.

Për disa arsye unë personalisht ndihem më i prekur nga gjakosja e Zijadin Selës. Pjesërisht kjo është sepse jam shqiptar, pjesërisht sepse Zijadini përfaqëson zonën time dhe më përfaqëson mua në mënyrë direkte, pjesërisht sepse ai ka pësuar më tepër se të tjerët. Mua dhe besoj gjithë liridashësve tjerë na ka lënë përshtypje qëndrimi i tij, sepse fundja karakteri i njeriut, e sidomos i një lideri, njihet në momentet më të vështira. E në ato momente të vështira Zijadini dëshmoi se i rrin pas me gjithë qenien e tij fizike vendimit për të luftuar deri në fund të keqen që na ka pllakosur. Ai nuk e ka patur patjetër të jetë prezent në sallën e konferencave, ai ka mundur të rrijë anash e të lërë Zaevin e deputetët tjerë të përballen vetë me turmat. Por ai ka qëndruar, për të çuar deri në fund mesazhin se regjimi duhet të bjerë, madje nëse duhet duke sakrifikuar edhe jetën e vet. Qëndrimi i tij ka shprehur më së miri vullnetin e gjithë votuesve të tij, por edhe të atyre që nuk e kanë votuar e që duan shembjen e regjimit. Zijadini na ka përfaqësuar denjësisht; ai ka gjakosur për ne.

Respekt të veçantë për sakrificën e tij meriton edhe lideri socialdemokrat Zoran Zaev. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me ditën kur u sulmua nga hordhitë nacionaliste. Tani e dy vjet Zaev pati guximin t’i kundërvihet pandërprerë regjimit, pa reteruar asnjëherë nga qëllimi përfundimtar – shembja përfundimtare e tij. Ditën e sulmit ai i vuri vulën rezistencës dhe lidershipit të tij, duke qëndruar në ballë të deputetëve të shumicës së re, duke mos bërë asnjë hap pas apo tentim për ikje dhe duke refuzuar të evakuohet para të tjerëve. Gjakosja e tij ishte goditja e fundit e regjimit në ikje, ndërsa qëndresa e tij fillimi i fundit të regjimit. E pa marrë parasysh përkatësitë tona etnike, shembja e regjimit është fitore për të gjithë. Në këtë kuptim edhe Zaev u gjakos për të gjithë ne.

Në fund është sidomos për t’u përshëndetur gjakftohtësia që këta liderë treguan gjatë gjithë kohës. Është e qartë se qëllimi i sulmuesve ishte ndezja e një konflikti më të gjërë, pas së cilit ata do të shpëtonin nga përndjekja penale – djegja e gjithë shtetit për të shpëtuar lëkurën e tyre. Por këta liderë refuzuan të bëhen pjesë e atij skenari, madje me çmimin e sakrificës së tyre personale. Në ato momente dhe ditët në vijim është e kuptueshme se gjakrat e qytetarëve ishin ndezur. Tek secili prej nesh besoj ka vluar dëshira për hakmarrje, por kështu vetëm do ishim bërë pjesë e skenarit të VMRO-së. Zaev ka bërë çmos që të qetësojë simpatizantët e vet në mënyrë direkte. Ndërsa me Zijadinin e pamundësuar, këtë detyrë tek shqiptarët në mënyrë të shkëlqyeshme e ka bërë Arben Taravari. Azhurimet e tij të përditshme të gjendjes shëndetësore të Zijadinit përherë ishin të shoqëruara me thirrje për qetësi dhe gjakftohtësi, duke kërkuar që t’i jepet përparësi drejtësisë institucionale. Dhe kështu duhet të jetë. Sela dhe Zaev u gjakosën për ne; tani ne duhet t’i lëmë të hakmerren vetë, duke krijuar një sistem të drejtë gjyqësor ku dhunuesit e tyre do të dënohen ashtu siç e meritojnë.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button